Kush është Kardinali që mori drejtimin e Vatikanit pas vdekjes së Papës
Në orët e para të së hënës, bota mori lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga një figurë pak e njohur për publikun e gjerë, por me një rol kyç në hierarkinë e Kishës Katolike. Ai ishte kardinali irlandezo-amerikan Kevin Farrell.
Farrell, i cili u emërua në vitin 2019 nga vetë Papa Françesku si Camerlengo i Kishës Romake, ka marrë tashmë detyrën për të udhëhequr Vatikanin gjatë periudhës së tranzicionit të njohur si Sede Vacante, kohëzgjatja midis vdekjes ose dorëheqjes së një pape dhe zgjedhjes së pasardhësit të tij.
Në këtë rol, kardinali Farrell jo vetëm që do të organizojë procedurat për konklavën, mbledhjen e mbyllur të kardinalëve që zgjedh Papën e ri, por do të mbikëqyrë edhe ceremonitë zyrtare të zisë, përfshirë vendosjen e trupit të Papës në arkivol dhe procesionin solemn drejt Bazilikës së Shën Pjetrit.
Kush është kardinali Farrell?
I lindur në vitin 1947 në Dublin të Irlandës, Kevin Farrell studioi në Universitetin e Salamankës në Spanjë dhe më pas në Universitetin Papnor Gregorian në Romë. Gjatë shërbimit të tij shpirtëror, ai ka mbajtur role në të katër anët e botës nga Meksika ku shërbeu si kapelan universitar, deri në SHBA, ku kaloi mbi 30 vite në funksione të ndryshme kishtare.
Në vitin 2007, ai u emërua peshkop i Dioqezës së Dallasit, ndërsa në vitin 2016, Papa Françesku i besoi drejtimin e dikasterit të sapokrijuar për Laikët, Familjen dhe Jetën, një nga strukturat më të rëndësishme për baritorinë moderne të Vatikanit. Brenda të njëjtit vit, ai u ngrit në rangun e kardinalit.
Në vitin 2023, Papa Françesku i besoi Farrell-it edhe detyra të tjera me peshë: ai u emërua president i Gjykatës së Lartë të Shtetit të Qytetit të Vatikanit si dhe kryetar i Komisionit për Çështje Konfidenciale, dy institucione që lidhen ngushtë me administrimin dhe drejtësinë brenda qytet-shtetit të shenjtë.
Ndërkohë që përgatitjet për konklavën janë në prag, roli i kardinalit Farrell si Camerlengo do të jetë thelbësor për sigurimin e një procesi të rregullt dhe transparent të kalimit të pushtetit brenda Kishës Katolike.
Historikisht, vetëm dy camerlengo kanë qenë më pas të zgjedhur papë, Papa Leoni XIII në vitin 1878 dhe Papa Piu XII në vitin 1939, megjithatë, spekulimet për emrat e mundshëm të pasardhësit të Françeskut tashmë kanë nisur, dhe syri i botës është kthyer nga Vatikani.
Ceremonia mortore për Papën Françesku pritet të zhvillohet të mërkurën në mëngjes, ndërsa bota katolike nis një kapitull të ri në historinë e saj.
LEXONI GJITHASHTU:
I vodhën këngë të papublikuara, foto dhe video private, Ariana Grande padit hakerët! I shitën në internet
E rëndë në Francë, gjenden në kuti kartoni trupat e pajetë të 5 foshnjave në banesën e një çifti në Orange
Tërmeti në Japoni, shkon në 50 numri i të plagosurve! Ndërpritet energjia elektrike dhe udhëtimet
- 13:40 I vodhën këngë të papublikuara, foto dhe video private, Ariana Grande padit hakerët! I shitën në internet
- 13:33 Gjykata rrëzon të gjitha akuzat ndaj Sami Lushtakut për frikësim të dëshmitarëve
- 13:26 Karakaçi inspekton punimet në Bypass-in e Tiranës: Lidhje me autostradat, duke shmangur hyrjen në qytet
- 13:25 I dënuar në Itali me 11 vjet burgim për trafik droge, arrestohet 48-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar
- 12:54 Apeli i Posaçëm lë në fuqi sekuestron ndaj 25 pasurive të Jamarbër Malltezit dhe Argita Berishës
- 12:52 E rëndë në Francë, gjenden në kuti kartoni trupat e pajetë të 5 foshnjave në banesën e një çifti në Orange