Kushtetuesja e Kosovës jep vendimin për konstituimin e Kuvendit

8 Gusht 2025 | 12:52

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë, shkruan REL.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit “nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar se me aktgjykimin paraprak të Kushtetueses lejohej votimi i fshehtë për kryetarin.

Kjo parti për këtë post ka propozuar Albulena Haxhiun, e cila në disa votime para 1 majit – kur u ndryshua forma e votimit nga të hapur në të mbyllur – nuk arriti të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e...
16:56 | 16/07/2026

“Kosova nuk hesht para gjuhës së urrejtjes”, depozitohet kallëzimin penal ndaj ministres serbe Paunoviç

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Donika Gërvalla këtë të enjte përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se kanë depozituar një kallëzim penal ndaj ministres...
15:34 | 16/07/2026

Mblidhen 53 nënshkrime nga deputetët në Serbi, kërkojnë shkarkimin e ministres Snezana Paunoviç

53 deputetë opozitarë në Serbi kanë mbledhur nënshkrimet për t’i kërkuar kryeministrit Gjuro Macut shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunovic....
15:06 | 16/07/2026