I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk u takua me presidenten Vjosa Osmani, megjithëse të dy ishin në Pragë për konferencën e sigurisë, Globsec.
Lajçak ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë, pasi e takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Çeki.
“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të shkoj në Bled për Forumin Strategjik të Bledit të këtij viti dhe në Prishtinë për ta përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”, shkroi Lajçak në një postim në Facebook.
Lajçak njoftoj edhe per takimin me te n garkuarin e ri tē SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
“Një moment kryesor ishte takimi me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e ri të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof në margjinat e GLOBSEC dhe rikonfirmimi i partneritetit tonë të shkëlqyer. Po aq të rëndësishme ishin takimet e mia me presidentin Vuçiq për hapat e ardhshëm në Dialog dhe pritshmëritë nga periudha e ardhshme, si dhe lidershipin e mëparshëm dhe aktual të Malit të Zi për ta marrë një pasqyrë më të mirë për zhvillimet në vend”, shtoi Lajçak.
Sa i përket mungesës së një takimi mes Lajçak dhe Osmanit në një përgjigje për Gazetën Express, nga Presidenca kanë thënë se Osmani ka pasur një agjendë të ngjeshur, rrjedhimisht ka qenë i pamundur takimi me Lajçakun.
“Për shkak të agjendës së ngjeshur të Presidentes gjatë vizitës njëditore në Pragë, ka qenë e pamundur të realizohet takimi këtë herë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Bashkimi Evropian po kritikon Kosovën për veprime të njëanshme, referuar operacioneve të Policisë në veri dhe paralajmërimeve të Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit.
Në një diskutim në konferencën Globsec Presidentia e Kosovës Vjosa Osmani tha se nuk mund të ëndërrohen rezultate të prekshme nga dialogu me Serbinë, pa një “barazi” mes palëve duke lene te kup[tuhet se ndermjetesist kane mbajtur ane ne dialogun e deritanishem
Osmani u shpreh e sigurt se me ardhjen e Kaja Kallas në detyrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian “barazia do të kthehet në tryezë”
“Në BE thonë se Kosova duhet t’i zbatojë në mënyrë të njëanshme detyrimet e saj. Tani besoj fuqimisht se jemi në një situatë ku duhet ta rikthejmë barazinë në tryezë. Nëse palët trajtohen në baza të barabarta, atëherë mund të kemi sukses dhe jemi shumë të sigurt se me ndryshimet në Bashkimin Europian, me ndryshimet e reja, Përfaqësuesen e Lartë që vjen se barazia do të kthehet në tryezë si parakusht për sukses. Pra, ne kemi besim dhe shpresojmë, por do të duhet të presim disa muaj që ato suksese të shihen besoj”, tha Osmani.
“Kur nuk keni barazi si baza e çdo procesi negociues, askush nuk duhet të ëndërrojë për rezultate të prekshme që mund të zbatohen edhe në terren”, shtoi ajo.
Osmani tha se tavolina është përmbysur.
Këtë pjesë ajo e shpërndau në X, duke shkruar: “Në negociata, tavolina duhet të jetë e nivelizuar. Tani për tani, tryeza në dialogun Kosovë-Serbi është rrokullisur në kokë”.
“Është koha që barazia të kthehet në tryezë. Ky është parakushti i suksesit”.