Shqiptarët i japin sot lamtumirën e fundit shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare, mëngjesin e 1 korrikut.
Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.
Në Teatrin e Operas dhe Baletit po mbahen homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe. Krerët e shteteve nga Shqipëria dhe Kosova ndodhen në Tiranë për të përcjellë me nderime të larta shkrimtarin në banesën e fundit.
Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, zhvilloi homazhe në Teatrin e Operas, ku në fjalën e dhënë përpara mediave vlerësoi maksimalisht figurën e shkrimtarit.
“Kadare është ngjitur në Panteonin e përjetësisë si njeriu që në kohën më të vështirë për kombin shqiptar i kujtoi bashkëkombësve dhe gjithë botës se ne jemi një ndër kombet e identitetit europian dhe i formimit të identitetit europian. Kjo në një kohë që u bë çdo përpjekje për të shkatërruar lidhjet shqiptarëve me habitatin e tyre që është Europa. Kisha një mesazh për të rinjtë, që të përpiqen të lexojnë qoftë edhe një poezi, apo roman të Ismail Kadaresë se do ti shndërrojë dhe do ti ndryshojë, të kuptojë vlerën e tyre si shqiptarë, qoftë edhe si individ”, tha Basha.
Homazhe u kryen dhe nga Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Për t’i dhënë lamtumirën gjeniut të kombit që me penën e tij e ngriti Shqipërinë dhe shqiptarët në majat e letërsisë botërore atëherë kur Shqipëria ishte më e izoluar se kurrë. Me sakrificë i parapriu një epoke të re. I përjetshëm kujtimi i shkrimtarit tonë të madh dhe të papërsëritshëm”, deklaroi Meta në një prononcim të shkurtër për media.
Në ceremoni ishin të pranishëm dhe ish-presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu, kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, 40 deputetë nga Kuvendi i Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Më pas homazhe u kryen dhe nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritarë dhe deputetë socialistë.
Homzahe u kryen dhe nga miqtë e tij shkrimtarë, ku mes tyre Preç Zogaj, Rita Petro dhe Fatos Kongoli e cilësuan Kadarenë si një shkollë letrare me veprat e tij që nuk do të vdesin kurrë.
“Kadare është shkrimtar i madh i përmasave botërore. E kam adhuruar gjithmonë si autor Kadarenë dhe atëherë kur nuk më shkonte mendja të bëhesha unë shkrimtar. Vitet e fundit u miqësuam me njëri tjetrin. Kishim një mik të përbashkët dhe vila e Kadaresë në Qerret takoheshim shpesh. Më ndodhte të takohesha dhe në raste festash. Ismaili nuk është shkrimtar i zakonshëm. Është shkollë letrare”, tha Fatos Kongoli.
“Shkrimtari Kadare do të vijojë të jetë mes nesh edhe kur ne të mos jemi. Nuk ka shtëpi pa një libër të Kadaresë. Madje dy ditët e para, 1 dhe 2 korrik, (Kadare vdiq më 1 korrik) qielli ishte shumë I ngrysur njëlloj si në romanet e Kadaresë. Ai donte një diell perëndimor. Është shkrimtari I të gjithë shqiparëve”, tha shkrimtarja Rita Petro.
“Vdekja e tij do shërbeje për të rivendosur në lartësinë e merituar konceptin për letërsinë. Ka një keqkuptim për letërsinë sot, se shumë autorë, nuk e startojnë nga majat. Majat janë fillesat e gjithë atyre që fillojnë”, tha Preç Zogaj.
Të pranishëm ishin gjithashtu dhe eksponentë nga Partia Demokratike, si dhe personalitetet të tjerë nga bota e artit dhe kulturës nga e gjithë bota shqiptare.
Homazhet publike mbahen nga ora 09.00-11.00 dhe nga ora 11.30 deri në 12.30. Në orën 11:30 pritet të mbahet ceremonia shtetërore e Lamtumirës së shkrimtarit, ndërsa në 12:30 do të nis kortezhi i përcjelljes së shkrimtarit për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.
Në nder të Kadares sot Shqipëria dhe Kosova janë në zi, ndërsa në dy vendet flamujt janë ulur në gjysmështizë. Ne ceremonite shtetore do te marrin pjese edhe presidential, kryeministri dhe kryetarii kuvendit te Kosoves
Në orën 13.00 çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe.
Lindur më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; Gjuhë – Letërsi në Tiranë, më pas dy vjet vjet studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, Kadare është përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë dhe përkthyer në 45 gjuhë. Vitet e fundit i ndau mes Francës dhe Shqipërisë.
Shkrimtari së fundmi mori dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin “Princesa de Asturias” për Artet më 2009 dhe Çmimin “Jeruzalem” më 2015. Autor i 71 veprave, ai shquhet kryesisht për prozë, por me kontribut edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
LEXONI GJITHASHTU:
- Homazhet dhe ceremoni shtetërore për shkrimtarin e madh Ismail Kadare
- Gjirokastra vajton Kadarenë, bashkëkohës shprehin lëvdatat për gjeniun e letrave