Në një konferencë të mbajtur në Kosovë për krimet e luftës të kryera nga regjimi i serb, autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviçit”, Nevenka Tromp ngulmon se Kosova duhet ta padisë Serbinë për gjenocid.
Kosova duhet të padisë Serbinë për gjenocid. Kështu ka vlerësuar hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, në konferencën ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
“Kosova është shtet edhe pse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, mundet të bëjë padi nëpërmjet shtetit anëtar të Kombeve të Bashkuara të paraqesë padinë kundër Serbisë për gjenocid. Sepse është një rast shumë i mirë, jo për të fituar edhe një herë sepse do të mbetet aq konservative sa ka qenë kjo gjykata ndërkombëtare, por për të treguar që do t’i çoni përpara dhe Serbia do të sillet krejt ndryshe në arenën politike dhe në Procesin e Berlinit, apo procesit kundër Kosovës”,-tha Nevenka Tromp, hulumtuese e tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-jugosllavi.
Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Sllobodan Millosheviçit”, tha se Kosova duhet te marre mësime nga humbja e rasteve nga Kroacia e Bosnja e Hercegovina kundër Serbisë.
E mbijetuara e masakrës ne familjen Bugujevci, qe aktualisht është nënkryetare e Kuvendit te Kosovës, Saranda Bugujevci, tha se do duhej fuqizim i institucioneve te Kosovës për adresimin e krimeve te luftës.
“Kur flasim për aspektin e drejtësisë mendoj që jemi shumë larg për t’i adresuar krimet që janë kryer në Kosovë. Por këtë nuk e kisha ndërlidh specifikisht vetëm me përgjegjësinë që duhet të adresohet brenda institucioneve të Kosovës. Çështja e EULEX-it, më mirë do të ishte që institucionet e Kosovës qysh në atë kohë të fuqizoheshin qoftë në aspektin e policisë, qoftë në aspektin e prokurorisë, qoftë institucione të tjera të cilat kanë pasur rol në këtë drejtim. Pse të mos ketë një gjykatë specifikisht për krime të luftës”,-tha Saranda Bugujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, foli për, siç tha ajo, armën më të pistë të luftës.
“Këto krime janë të padukshme, është arma e pistë dhe ma e lirë e mundshme që zbatohet si strategji e luftës jo vetëm në Kosovë por edhe në Ukrainë edhe në vendet tjera ku ka konflikt. Fatkeqësisht trupi i gruas por edhe i burrave bëhet pjesë e fushëbetejës pa dashjen e tyre. Ka të bëjë me integritetin e individit dhe nuk është lehtë të dokumentohen, nuk është lehtë të flitet”,-tha Feride Rushiti, drejtore e “QKRMT”.
Gjate luftës së fundit në Kosove nga aparati shtetëror serb janë vrarë mbi 13 mijë civilë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e burra, mbi 6 mijë persona janë zhdukur prej tyre rreth 1.600 vazhdojnë të jenë të pagjetur, e afër 1 milion njerëz janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.