Liderët e BE thonë se do vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën, por pa zotime konkrete

20 Mars 2025 | 20:15

Liderët e Bashkimit Evropian kanë thënë të enjten se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, mirëpo nuk e kanë miratuar menjëherë kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për një pako prej 5 miliardë eurove për blerje të artilerisë.

“Neve na duhen fonde për predha artilerie dhe do ta vlerësonim mbështetjen e Evropës me të paktën 5 miliardë euro, sa më shpejt që është e mundur”, u ka thënë Zelensky liderëve evropianë, të cilët janë mbledhur për të diskutuar në Bruksel.

Në nisje të samitit në Bruksel, edhe kryediplmatja e BE-së, Kaja Kallas u ka bërë thirrje liderëve që t’i përputhin fjalët me vepra kur bëhet fjalë për Kievin, teksa presidenti amerikan, Donald Trump çon përpara idetë e tij për përfundim të luftës.

“Sa më të fuqishëm që janë në fushëbetejë, aq më të fuqishëm janë në tavolinën e negocimit”, ka thënë Kallas si referencë për ukrainasit.

Në një deklaratë të miratuar nga të gjithë liderët – përveç kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban – ata janë pajtuar për të vazhduar “mbështetjen e rregullt financiare për Ukrainën”.

Ata kanë thënë edhe se vendet anëtare duhet “t’i rrisin përpjekjet për t’i adresuar nevojat ushtarake të Ukrainës”.

Megjithatë, askush nuk ka pasur përgjigje konkrete për propozimin e Kallasit për t’u fokusuar në atë që Zelensky ka thënë se u duhen më së shumti – rreth 2 milionë predha artilerie që kushtojnë 5 miliardë euro.

Kallas veçse është tërhequr nga një propozim për t’u zotuar për ndarje të 40 miliardë dollarëve si ndihmë ushtarake për Ukrainën për gjithë vitin, ashtu që secili shtet të kontribuojë sipas situatës ekonomike, meqë disa shtete kanë rezistuar ashpër, sidomos në jug të Evropës.

Rritja e kapaciteteve të Bashkimit Evropian për mbrojtje është një tjetër temë në agjendën e samitit, çka reflekton shqetësimet se Moska mund të sulmojë ndonjë vend anëtar të BE-së në vitet e ardhshme, si dhe shpërfaq dyshimet për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Evropën përmes NATO-s.

“Ne duhet të riarmatosemi, sepse përndryshe do të jemi viktimat e radhës të agresionit rus”, ka thënë presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka thënë se nuk e pëlqen shprehjen “riarmatosje”, të cilën Komisioni Evropian e ka përdorur shpesh në përpjekjet për t’i çuar përpara shpenzimet në mbrojtje.

Këto deklarata reflektojnë ndasitë mes vendeve të BE-së për shpenzime në mbrojtje, varësisht se sa janë larg Rusisë.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Samiti i Koalicionit të Vullnetmirëve, Macron: Kievi do të blejë 16 avionë luftarakë Rafale dhe armatime

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi këtë të hënë se Franca dhe Ukraina kanë arritur një “udhërrëfyes” që parashikon blerjen e 16 avionëve luftarakë Rafale dhe armatime nga Kievi. Sipas tij njëri...
20:46 | 13/07/2026

Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko paraqiti në Parlament dorëheqjen e saj

Kryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko i ka paraqitur dorëheqjen e saj parlamentit, njoftoi kryetarja e parlamentit të hënën pas vendimit të presidentit Zelenskyy për ta shkarkuar atë, në...
20:08 | 13/07/2026

Kryeministri në pritje i Anglisë, Andy Burham rendit grupet e tij të preferuara muzikore

Andy Burnham, kandidat për të qenë kryeministër i Anglisë ka renditur grupet e tij të preferuara muzikore, në një intervistë të kohëve të fundit. Politikani,...
18:36 | 13/07/2026