Në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, Partia Demokratike do të paraqitet për herë të parë pas shumë kohësh me 12 drejtues qarqesh, dy koordinatorë kombëtarë dhe me shumë mundësi pa kryetar në terren për të bërë fushatë dhe takime me qytetarët.
Në kushtet që Sali Berisha po plotëson 9 muaj në arrest shtëpie dhe ka pak sinjale se ai të mund të dalë nga aty dhe t’i rikthehet jetës normale politike, PD i vendosi të mërkurën 12 drejtuesit e fushatës si asnjë herë më parë, gati 7 muaj para periudhës kur pritet të zhvillohet procesi zgjedhor.
Në mesin e pak emrave të rinj, dhe disa politikanëve me eksperiencë në kampin blu, elementi i parë që bie në sy është se në asnjë qark nuk ka zonja që do të drejtojnë fushatën e demokratëve.
Sipas gazetarit Ardit Hoxha, kjo nuk është risi për PD-në, pasi edhe në 2021, nuk kishte zonja drejtuese qarqesh, por disa demokrate ishin në ballë të betejës për qarkun e Tiranës në zona të caktuara, si Jorida Tabaku, Albana Vokshi, apo Grida Duma.
E pikërisht nga Tirana është prodhuar ndryshimi më i madh, që nga 8 drejtues që kishte në 2021, këtë herë e gjithë pesha kryesore i është besuar Belind Këlliçit.
Janë 4 qarqet, ku PD nuk e ka ndryshuar lidershipin politik nga ai që pati në 2021, kur kandidat për kryeministër kishte Lulzim Bashën. Përkatësisht, Gjirokastra me Tritan Shehun, Vlora me Bujar Leskaj, Dibra me Xhelal Mziun dhe Kukësi me Flamur Hoxhën, janë qarqe ku drejtuesi politik nuk është cenuar, pavarësisht gjithë ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në PD gjatë këtyre 3 viteve të fundit.
Ndryshime të forta ka në 5 qarqe, Elbasan, Fier, Berat, Shkodër dhe Korçë. Gazment Bardhi ikën nga Elbasani për të shkuar në Fier, duke i lënë vendin Ervin Salianjit dhe e merr vendin që në 2021 e kishte Enkelejd Alibeaj. Në Korçë do të jetë sfida e parë si drejtues politik për Ivi Kason, që merr vendin që e kishte Edmond Spaho. Edhe Shkodra do të ketë një drejtues të ri, me Luçiano Boçin që shkon në kryeqendrën e veriut për të marrë një pozicion që në 2021 e kishte Helidon Bushati. Por edhe në Berat do të ketë një debutues si drejtues politik, ku Enno Bozdo do t’i zërë vendin Tomor Alizotit, që me shumë gjasa do të kthehet në Tiranë si drejtues i fushatës në një nga zonat e kryeqytetit.
Dy qarqet ku ndryshimet janë me të buta janë Lezha dhe Durrësi. Në Durrës do të jetë drejtues politik Oerd Bylykbashi që ka qenë përherë deputet i këtij qarku dhe disa herë i pari i listës. Ndërsa në Lezhë do të jetë Agron Gjekmarkaj, që në 2021 ishte i dyti në listën e këtij qarku.
LEXONI GJITHASHTU:
- PD cakton në mbledhjen e kryesisë 12 drejtuesit politik në qarqe
- Rrëzohet kërkesa e Berishës për interpelancë me Ramën, Vokshi: Ju tmerron emri i tij