PËRDITËSIM LIVE | Nis me vonesë procesi i numërimit të votave
Sot, 654,538 qytetarë në 6 bashki do votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë. 10,134 prej tyre do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje lokale të pjesshme.
6 kryetarët që do të fitojnë garën e 6 marsit, në rastin më të mirë do e kenë mandatin 16 mujor, ndërsa në rastin më të mundshëm do e dorëzojnë atë pranverën e ardhshme, kur janë të planifikuar zgjedhjet e zakonshme lokale.
Durrës – Bashkia më e madhe është Durrësi, me 262 019 votues. Në këtë bashki garojnë 3 kandidatë, Emirjana Sako nga PS, Luan Hoti nga PD dhe Ardian Muka nga Shtëpia e Lirisë.
Shkodër – Pas Durrësit vjen Shkodra, ku të drejtën e votës e kanë 168288 qytetarë. Në garë janë Majlinda Angoni e PS, Xhemal Bushati i PD dhe Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë.
Lushnje – Bashkia e tretë më e madhe ku do të votohet këtë të dielë, është Lushnja. 104 782 votuesit e Lushnjes do të votojnë mes Eriselda Sefës së PS, Elton Banos nga Shtëpia e Lirisë dhe Indrit Sefës nga PD.
Dibër – Në zgjedhjet e 6 marsit do të votohet edhe për kryetarin e ri të bashkisë Dibër. Kjo bashki ka 567 80 votues që do të zgjedhin mes 4 kandidatëve. Rahim Spahiu nga PS, Premtim Kryemadhi i Shtëpisë së Lirisë, Dritan Torba nga LRE dhe Luan Haka i PD.
Rrogozhinë – 32236 votuesit e bashkisë Rrogozhinë do të zgjedhin mes, Ferdinand Saraçit të Partisë Demokratike, Hekuran Xhanit të shtëpisë së lirisë, dhe Edison Memollës nga Partia Socialiste.
Vorë – Bashkia më e vogël ku votohet këtë 6 mars është Vora. 30433 qytetarët e Vorës do zgjedhin mes Blerim Sherës nga Partia Socialiste, Ymer Marku nga Partia Demokratike dhe Lulzim Vrana nga Shtëpia e Lirisë.
Procesi i numërimit të votave në të 6 bashkitë do të organizohet në 13 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.
23:33 – Ende s’ka numërim në Shkodër
4 KZAZ e Shkodrës kanë administruar të gjitha kutitë e votimit dhe pritet nisja e procesit të numërimit.
23:20 – Nis numërimi në Lushnjë
Ka nisur pas një shtyrjeje procesi i numërimit në Lushnjë. Shkak për vonesën u bë ndryshimi i listës së numëruesve dhe vëzhguesve të PD në KZAZ 55.
22:10 – Pritet nisja e numërimit të votave
Pritet që në orën 22:30 të nisë procesi i numërimit të kutive në KZAZ 55 në Lushnjë, ku do të numërohen 65 qendra votimi.
21:00 – PS fiton bashkinë e Vorës, kandidati i PD s’arrin as 700 vota
Kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera ka fituar garën për Bashkinë e Vorës.
Shera ka marrë mbi 7 500 vota duke mundur me një diferencë të thellë kandidatin e ‘Shtëpisë së Lirisë’, Lulzim Vrana, i cili mori 2 589 vota
19:20 – Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në 6 bashkitë
Procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki është mbyllur zyrtarisht. Pjesëmarrja në votime sipas KQZ ka qenë 30.33%.
17:00 – Dy orë para mbylljes së kutive të votimit, sa është pjesëmarrja në zgjedhje
Deri në orën 17:00, nga 942 QV, në 529 QV të raportuara pjesëmarrja është 27.74%. Dibra është qyteti me pjesëmarrjen më të lartë nga 6 bashkitë që janë pjesë e zgjedhjeve të pjesshme.
12:30 – Kushte ekstreme moti në tre qendra votimi në Shkodër
Dy qendra votimi në Shosh dhe një në Pult të bashkisë Shkodër kanë pezulluar votimin. Aty nuk ka shkuar asnjë person të votojë për shkak të motit të keq.
12:10 – Incident në një qendër votimi në Durrës
Jamarbër Malltezi, përfaqësues i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” tha se disa persona i kanë marrë telefonin me të cilin po filmonte veprimet e jashtligjshme brenda shkollës “Neim Babameto”.
12:00 – Pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 12:00
Deri tani në zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri kanë marrë pjesë 11.44% e qytetarëve.
Pjesëmarrjen e qytetarëve në kohë reale mund ta shikoni këtu.
Të drejtë vote në 6 bashkitë ku po mbahen zgjedhjet kanë 654,538 qytetarë.
11: 46 – 5 746 kanë votuar në Dibër
Nga 56 780 votues në Dibër, deri në orën 11:46 kanë votuar 5 746 qytetarë.
11:34 – Sali Berisha bën thirrje për pjesëmarrje në votime
Kreu i koalicionit “Shtëpia e Lirisë, Sali Berisha ka bërë thirrje për të marrë pjesë në votime.
“Zoti ju bekofte ju dhe voten tuaj te lire!” shkroi Berisha në Facebook.
11:33 – Yuri Kim në Durrës
Ambasadorja Yuri Kim ka mbërritur në Durrës, në bashkinë të madhe ku votohet sot.
11:00 – Pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00
Deri tani në zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri kanë marrë pjesë 10.22% e qytetarëve.
Pjesëmarrjen e qytetarëve në kohë reale mund ta shikoni këtu.
Të drejtë vote në 6 bashkitë ku po mbahen zgjedhjet kanë 654,538 qytetarë.
10:54 – Voton Elton Bano
Elton Bano, kandidati për Lushnje nga koalicioni Shtëpia e Lirisë ka votuar.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për të votuar “ndryshimin që Lushnja meriton”.
10:48 – Shoshi i bllokuar nga bora
Zona e Shoshit është bllokuar për shkak të borës dhe nuk po mund të bëhet transferimi i materialeve zgjedhore për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mungesës së energjisë elektrike.

10:40 – Pjesëmarrja është 6.66%
Deri tani në zgjedhjet e pjesshme lokale në Shqipëri kanë marrë pjesë 6.66% e qytetarëve.
Pjesëmarrjen e qytetarëve në kohë reale mund ta shikoni këtu.
10:20 – Voton Ardian Muka
Ardian Muka nga koalicioni Shtëpia e Lirisë për Bashkinë Durrës ka votuar. Ai ka thënë se është koha që “politika të heshtë dhe qytetarët të flasin me votën e tyre”. Muka ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje.
10:15 – Voton Luan Haka
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Dibër ka votuar në qendrën e tij të votimit. Ai tha se Dibra po vuan nga mungesa e infrastrukturës dhe se qytetarët po kanë probleme të aksesojnë vendvotimet për shkak të motit me borë.
10:10 – Voton Xhemal Bushati
Kandidati i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhemal Bushati ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar në Shkodër.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës të votojnë “për të ardhmen e tyre me dashuri për Shkodrën”.
10:07 – Voton Ferdinand Saraçi
Ferdinand Saraçi, kandidat i PD-së për Bashkine Rrogozhinë ka votuar në qendrën e tij të votimit, teksa ka ftuar qytetarët të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
09:53 – Celibashi konferencë për media
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për media ka thënë se KQZ po monitoron të gjitha qendrat e votimit.
Ai tha se po votohet normalisht në shumicën e qendrave të votimeve.
Celibashi raportoi se në disa qendra të votimeve ka probleme të vogla me pajisjet elektronike të votimit dhe në disa qendra ka probleme për shkak të kushteve të motit.
Ai konfirmoi incidentet në Durrës e Dibër, por tha se ato nuk pengojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
09:46 – Raportohen incidente
Janë raportuar disa incidente në Dibër, ku komisionerët e koalicionit Shtëpia e Lirisë pretendojnë se një nga vezhguesit e PS-së ka mbajtur shënim në celular votuesit. Kjo ka shkaktuar debat por procesi ka vijuar normalisht.
Edhe në Durrës është raportuar se një komisioner nga Foltorja ka goditur nje komisioner të PD-së.
09:29 – Emirjana Sako nuk voton në Durrës
Kandidatja Emirjana Sako nga Partia Socialiste nuk ka mundur të votojë për shkak të problemeve me një pajisje identifikimi elektronik.
09:21 – Voton Eriselda Sefa
Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë Lushnje, Eriselda Sefa ka ka ushtruar të drejtën e saj të votës.
“Merrni disa minuta nga dita juaj e pushimit, votoni me përgjegjësi qytetare”, u tha ajo qytetarëve të Lushnjes.
09:17 – Voton Majlinda Angoni
Majlinda Angoni, kandidate e Partisë Socialiste për Bashkinë Shkodër ka ushtruar të drejtën e saj të votës. Ajo ftoi qytetarët të votojnë dhe bëri thirrje për proces të qetë dhe demokratik.
09:00 – 3.41% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 9:00
KZQ njofton se 3.41% e qytetarë kanë votuar.
08:55 – 1,16% e qytetarëve votojnë
Zyrtarë të KQZ-së njoftojnë se deri në orën 08:00 të mëngjesit kanë votuar 6,115 qytetarë nga 515,398. Përqindja e votuesve është 1,16%.
Hartën interaktive të KQZ-së mund ta shikoni këtu.
08:16 – Dy kandidatë nuk votojnë
Kandidati i Partisë Socialiste në Dibër, Rahim Spahiu nuk do të votojë pasi është i regjistruar me vendbanim në Tiranë. Për të njëjtën arsye nuk do të votojë as Indrit Sefa, kandidat i Partisë Demokratike në Lushnje.
08:13 – Bora shkakton probleme në Dibër
Si pasojë e reshjeve të borës ka probleme me energjinë elektrike në Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Zall Dardhë, Zall Reç, Sllovë dhe Luzni.
07:59 – Luan Hoti voton në Durrës
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Durrës ka ushtruar të drejtën e tij të votës.
“Kam vetëm një mesazh për qytetarët e Durrësit. I ftoj të dalin të votojnë si njerëz të lirë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre, për të ardhmen e këtij qyteti”, tha ai.
07:47 – Votohet për herë të parë me sistem elektronik
Qytetarët e Vorës po votojnë për herë të parë me sistemin elektronik të votimit. Euronews Albania po ndjek nga afër këtë mënyrë votimi dhe se a kanë vështirësi qytetarët të votojnë.
“Mrekulli, super”, tha një qytetar kur u pyet si iu duk ky proces.
07:36 – Rama thirrje për të votuar
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke kujtuar se në Ukrainë njerëzit po vdesin në mbrojtje të demokracisë.
07:20 – Vonohet procesi i votimit
Edhe pse janë hapur qendrat e votimeve, gazetarët e Euronews Albania raportojnë se për shkaqe teknike, procesi i votimit është vonuar deri në 20 minuta pas hapjes së orarit zyrtar në të gjitha bashkitë.
07:00 – Hapen qendrat e votimeve
Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimeve në 6 bashkitë ku po mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale.
GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, 35 vite burg për Julian Meçajn
Rikthehet MABCO në Aeroportin e Vlorës pas vendimit të Gjykatës së Lartë, pritet rinisja e punimeve
Të shtënat në Shkodër, arrestohen 2 persona dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen armë dhe municione (VIDEO)
- 10:14 Shkon në 55 numri i viktimave në Francë nga temperaturat e larta, dhjetëra qytete në alarm
- 10:12 GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, 35 vite burg për Julian Meçajn
- 10:02 TikTok dhe YouTube çaktivizojnë 4.7 milionë llogari fëmijësh në Indonezi pas kufizimeve të qeverisë
- 09:58 “Ich bin ein Berliner”, 63 vjet nga fjalimi i famshëm i Kennedyt
- 09:57 Sherr masiv mes disa personash në Kosovë, 3 të lënduar. Shpallen në kërkim autorët
- 09:49 Rritet në 304 numri i viktimave nga virusi Ebola në Kongo, 1155 raste të infektuara