LIVE BLOG | Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit të 25 prillit
Qytetarët shqiptarë votuan këtë të diel për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend për katër vitet e ardhshme. Euronews Albania ka ndjekur hap pas hapi, minutë pas minute të gjitha zhvillimet e ndodhura në 12 qarqet e vendit.
19:33- Nis grumbullimi i kutive në Qendrat e Numërimit
Procesi i votimit është mbyllur në pjesën më të madhe të Qendrave të Votimit dhe ka nisur grumbullimi i kutive në Qendrat e Numërimit.
19:23- Presidenti i Shqipërisë përgëzon qytetarët që morën pjesë në zgjedhje
Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka përshëndetur procesin zgjedhor të zhvilluar ditën e sotme. Ai thotë se tani sfida më e madhe mbetet administrimi korrekt i procesit të numërimit të votave.
19:16- Rezultatet paraprake të Exit Poll nga Euronews Albania për zgjedhjet Euronews Albania ka publikuar të dhënat e para nga Exit Poll për 80% të të intervistuarve deri tani. Dimitris Mavros, përfaqësues i MRB tha se rezultati nga të dhënat e exit poll tregon një garë shumë të ngushtë midis Partisë Socialiste dhe opozitës.
19:10- Kreu i KQZ-së thotë se procesi i votimit ishte i qetë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se procesi i zgjedhor ka qenë i qetë dhe është karakterizuar nga një integritet i plotë. Ai tha se problematikat kanë qenë kryesisht të një karakteri teknik.
19:00- Përfundon afati zyrtar i procesit të votimit në Shqipëri
Ka përfunduar zyrtarisht procesin i votimeve për zgjedhjet parlamentare. Sipas ligjit, votimi mund të vijojë për ata qytetarë, të cilët janë ende në qendrat e votimit.
18:55- Ambasadori i BE-së sheh nga afër procesin e votimit në Tiranë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka vizituar qendrën e votimit në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
18:25- Drejtuesja e LSI-së kërkon nga qytetarët të votojnë
Kur kanë mbetur edhe pak minuta nga mbyllja zyrtare e procesit të votimit, drejtuesja e LSI-së, Monika Kryemadhi me anë të një deklarate për mediat ka ftuar qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimit.
18:14- Meta apel vlonjatëve t’u drejtohen kutive të votimit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka qenë i pranishëm gjithashtu edhe në qytetin e Vlorës. Ai kërkoi nga vlonjatët të shkojnë qetësisht drejt kutive të votimit dhe të zgjedhin alternativën që ata dëshirojnë. Sipas tij, në këto zgjedhje parlamentare duhet të dalë fituese Shqipëria.
18:12- Basha sërish thirrje qytetarëve për të votuar
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka apeluar sërish ndaj qytetarëve, ndërsa ka kërkuar që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Kryedemokrati tha se vota e sotme është një votë për të ardhmen e Shqipërisë.
17:49- Përfundon votimi në burgun e Fierit
Ka përfunduar procesi i votimit në burgun e Fierit, ku kanë votuar 186 të dënuar dhe të paraburgosur. Kutitë e votimit do të dërgohen në qendrën e numërimit në Patos për të vazhduar aty me numërimin e votave.
17:43- Ambasada amerikane mesazh për procesin e numërimit
Ndërkohë që kanë mbetur më pak se dy orë nga mbyllja e procesit të votimit, ambasada amerikane ka theksuar se ekipet e saj do të jenë përgjatë gjithë procesit të numërimit në qendrat e numërmit. Në njoftim theksohet se ne “jemi gati të qëndrojmë me ju kur të vijnë rezultatet”.
17:07- Meta thirrje palëve që presin me qetësi rezultatin e zgjedhjeve
Kreu i shtetit, Ilir Meta u shpreh nga Fieri se të gjithë palët politike duhet t’i binden sovranit dhe se duhet të presin me qetësi rezultatin e zgjedhjeve. Meta nënvizoi se deri më tani është e lartë pjesëmarrja në zgjedhje.
17:07- Pjesëmarrje të ulët në qendrën e votimit të personave me aftësi ndryshe në Kukës
Raportohet se në qendrën e votimit të personave me aftësi ndryshe në qarkun e Kukësit ka pasur një pjesëmarrje shumë të ulët votimi. Mësohet se 62 që është numri i votuesve, deri më tani kanë votuar vetëm 16 persona.
16:50- Basha thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje
Nga Durrësit kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ka bërë thirrje qytetarëve për të votuar masivisht. Më herët të njëjtën thirrje Lulzim Basha e bëri nga qyteti i Elbasanit.
16:29- KQZ: Procesi i votimit vijon normalisht
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj shprehet se deri më tani nuk asnjë problem dhe procesi i votimit po vijon i qetë në rang kombëtar. Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje, Hoxhaj sqaroi se tani aplikacioni vijon të jetë funksional dhe ka filluar transmetimi i të dhënave. Ajo tha se shifra prej rreth 38.5% është vetëm nga të dhënat e 1612 qendrave të votimit nga 5199 që janë në total.
16:22- Ambasadorët Kim e Soreca thirrje për hetim të incidenteve dhe qetësi në pritje të rezultateve
Ambasadorja e ShBA-së Yuri Kim dhe ambasadori i BE-së Luigi Sorca në një deklaratë për mediat i bëjnë thirrje prokurorëve të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit. Deklaratat ambasdorët i kanë bërë nga qyteti i Durrësit.
15:45- Vëzhguesi i PD-së godet me karrige një çift në një fshat të Korçës
Raportohet për incident në fshatin Vashtëmi të Korçës. Drini Qylalli, vëzhgues i PD, ka goditur me karrige Ardian Avdollin bashkë me gruan e tij, të cilët janë simpatizantë të PS-së.
15:28- Lulzim Basha nga Elbasani thirrje qytetarëve për të votuar
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në qytetain e Elbasanit ku u bëri thirrje qytetarëve për të votuar.
15:18- Sherr mes militantëve të PS dhe PD në Mat
Sherr mes militanteve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në fshatin Gërman të Matit, në perimetrin e QV 0949. Mësohet se dy persona janë përplasur pas akuzave për blerje votash.
14:53- Fotografoi fletën e votimit, arrestohet i riu në Shkodër
Në Shkodër është arrestuar 32-vjeçari me iniciale D.U pasi ka fotografuar votën. Të riut i është bllokuar fleta votimit dhe më pas, nga shërbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme hetimore.
14:31- Celibashi: Është sulmuar faqja online e KQZ-së, në 144 QV procesi po zhvillohet manualisht
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi deklaron se në 144 qendra votimi identifikimi po bëhet manual. Ai shtoi se të dhënat në aplikacionin e KQZ-së nuk janë rifreskuar, pasi është sulmuar faqja e këtij institucioni.
13:54- Ambasadorja Gacek vëzhgon nga afër disa qendra votimi
Ambasadorja e OSBE/ODHIR, Ursula Gacek tha se ajo së bashku me përfaqësuesit e tjerë të OSBE ODHIR në Shqipëri, po vëzhgojnë procesin zgjedhor që prej datës 17 mars. Ajo tha se nesër në orën 15:00 do të zhvillojë një konferencë për procesin zgjedhor.
13:48- PD denoncon shkeljet në procesin zgjedhor në Vlorë
Atird Hoxha, kandidat për deputet i PD-së denoncoi nga Vlora se komisionerët e qendrës së votimit në Universitetin “Ismail Qemali”, kanë konstatuar një qytetar që ka fotografuar votën.
13:32- Në Lekbibaj të Tropojës proces votimi me ndërprerje
Në Lekbibaj të Tropojës procesi i votimit vazhdoi me ndërprerje dhe kjo për shkak të një incidenti mes komisionerve të PD-së dhe PS-së. Kjo situatë është krijuar prej mëngjesit të sotëm, pas akuzave nga PD-ja për shitblerje të votave.
13:29- PD thirrje qytetarëve për marrë pjesë në zgjedhje
Partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojë. Zëdhënësja e selisë blu, Floriana Garo u shpreh se deri më tani ka pasur një pjesëmarrje të madhe në zgjedhje në rang vendi.
13:14- Përplasje në qendrën e votimit në Vlorë
Përfaqësues të PD-së kanë kërkuar largimin e një personi që ndodhej brenda mjediseve të qendrës së votimit në shkollën “Ismail Qemali” në Vlorë. Sipas tyre një vajzë kishte “sjellje të dyshimtë” pasi qëndronte në qendrën e votimit duke mbajtur në dorë një listë. Pretendimi u hodh poshtë nga kreu i KZAZ-së.
12:47- Incident në sheshin Skënderbej
Një incident ka ndodhur mesditën e sotme në “Sheshin Skënderbej”, ku një i ri është futur me automjet duke thyer edhe barrierat. Mjeti ishte i dëmtuar në pjesën e tij të parme, ndërsa shoferi i saj u ndalua nga policia. Ishte një qytetar ai që neutralizoui të riun.
12:38- Përplasja mes komisionerëve të PS-së dhe PD-së në Libonik të Korçës
Në Libonik të bashkisë Maliq janë shfaqur probleme në një qendër votimi, për shkak të debateve të komisionerëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kjo situatë ka krijuar edhe radhë të gjata në votime.
12:20- Erla Mëhilli: Vota preferenciale për kandidatët ka mobilizuar qytetarët për të votuar
Ekspertja e komunikimit, Erla Mëhilli raportoi deri më tani procesi i votimit është i qetë. Zonja Mëhilli u shpreh se ka një rrije të numrit të votuesve. Sipas saj vota preferenciale për kandidatët i ka mobilizuar qytetarët për të shprehur vullnetin e tyre.
12:08- Voton ish-kryeministri Fatos Nano
Ish-kryeministri Fatos Nano ka votuar në qendrën e votimit në Mullet së bashku me bashkëshorten. Pas votimit Nano tha se pjesëmarrja në votime deri më tani është pak e ulët.
11:48- Arrestohet 30-vjeçari në Tiranë, pasi fotografoi votën
Në qendrën e votimit numër 1769 në shkollën “Andon Zako Çajupi” është bllokuar përkohësisht votimi. Shkak për këtë është bërë një 30-vjeçar i cili ka fotografuar votën.
11:31- Përfaqësuesit e PS përplasen me vëzhguesit e PD e LSI në Memaliaj
Jashtë një qendra votimit në Memaliaj ka ndodhur një përplasje mes përfaqësuesve të PS dhe vëzhguesve të PD e LSI, që degradoi në përplasje fizike mes tyre. Sa i përket procesit në tërësi në qarkun Gjirokastër, gjithçka është duke ecur qetësisht teksa vihet re një pjesëmarrje e lartë në votime.
11:22- Soreca në qendrat e votimit: Procesi po funksionon
Ambasadrori Luigi Soreca nga qendër votimi në Elbasan u shpreh se ka vizituar shumë qendra votimi edhe në Tiranë gjithashtu dhe ka vënë re se ka një numër të lartë të pjesëmarrjes.
11:14- Celibashi-komisionerëve: Mos u tërhiqni nga detyra
Në një konferencë për mediat, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi paralajmëroi komisionerët që të mos tërhiqen nga detyra se përndryshe do të mbajnë përgjegjësi penale.
11:03- Përplasje me kreut të Bashkisë së Divjakës dhe kandidates së PD-së
Përplasje me kreut të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi dhe kandidates së Partisë Demokratike, Ilda Dhori. Sipas kandidates së PD-së kryebashkiaku ka hyrë në qendrën e votimit duke kërcënuar komisionarët. Ndërsa kreu i Bashkisë, në rolin e vëzhguesit ka deklaruar se kandidatja po shkel Kodin Zgjedhor.
10:53- Incident në Berat, dhunohet një vëzhgues i PD
Një incident raportohet të ketë ndodhur në Qarkun e Beratit ku një vëzhgues i Partisë Demokratike pretendohet se është dhunuar. Kjo ngjarje është denoncuar nga Tomor Alizoti, i cili tha se ngjarja ka ndodhur në qendrën e votimit 3311 në shkollën “Mehmet Ali Vrioni”.
10:44- Voton kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama votoi në shkollën “Ymer Lala” në Surrel së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama. Rama bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.
10:25- Të moshuarit në Vlorë probleme me shenjat e gishtave gjatë votimit
Të moshuarit në Vlorë kanë pasur probleme me shenjat e gishtave gjatë votimit. Mësohet se pajisja e identifikimit elektronik nuk ua njeh shenjat e gishtave.
10:20- Meta në Elbasan: Të përqendrojmë vëmendjen në këtë qytet
Presidenti Ilir Meta nga Elbasani deklaroi se arsyeja e qëndrimit në këtë qytet është e qartë, për shkak të ngjarjes së rëndë të ndodhur disa ditë më parë, e cila siç tha ende nuk është zbardhur plotësisht. Ai theksoi se ka folur në telefon me ambasadorin e BE, Luigi Soreca të cilit tha se i ka kërkuar që ta përqendronin vëmendjen në këtë qytet për të shmangur incidente.
10:15- Voton ish-kryeministri Sali Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ilir Berisha kanë votuar në qendrën e votimit pranë shkollës “Kosova”. Gjatë fjalës së tij, Berisha ftoi qytetarët që të votojnë ndërsa e konsideroi procesin e deritanishëm të rregullt ndërsa foli për fitore të sigurt të opozitës.
09:59- Votojnë 70 të dënuar në burgun e Rrogozhinës
Rreth 70 të dënuar të burgut të Rrogozhinës që do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe si mjedis për të kryer këtë proces ishte përshtatur dhoma e takimit me familjarët. Pjesa tjetër e të burgosurve nuk do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës për shkak se preken nga ligji i dekriminalizimit.
09:55- Sherr mes përfaqësueseve të PD, PS dhe LSI në Divjakë
Në një nga qendrat e votimit në Divjakë ka pasur një konfrontim fizik mes përfaqësuesve të PS, PD e LSI. Përplasja ka ndodhur për shkak se dy kandidatet për deputete të PD dhe LSI qëndronin shumë pranë qendrës së votimit, çka është në kundërshtim më kodin zgjedhor.
09:51- Probleme me votimin në qendrën numër 4 në Yzberisht
Në zonën e Yzberisht janë rreth 16 mijë votues që po votojnë në kontejnierë. Në qendrën numër 4 është ndërprerë procesi i votimit, pasi ka problem me pajisjen e identifikimit elektronik. Pritet që të vijnë teknikët për të parë këtë problem.
09:39- Presidenti Meta niset drejt Elbasanit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta pak minuta pas ushtrimit të drejtës së votës në Tiranë mësohet se është nisur drejt Elbasanit për të parë nga afër procesin e votimit atje.
09:29- KQZ: Në rreth 100 qendra votimi procesi i votimit po vijon manualisht
KQZ ka dhënë deklaratën e parë për procesin zgjedhor të 25 prillit. Zëdhënësja, Drilona Hoxhaj, tha se në rreth 230 qendra votimi ka pasur probleme dhe se disa komisionerë nuk kanë marrë pjesë në trajnime. Ajo theksoi se KQZ po përpiqet të zgjidhë problematikat sa më shpejt, duke iu referuar këtu edhe problemeve teknike me identifikimin biometrik. Zonja Hoxhaj tha se janë rreth 100 qendra votimi, të cilat nuk ka qenë të pajisur me operatorë për shkak se ndodhen në zonat e thella dhe procesi i votimit ka vijuar manualisht.
09:29- Kim në Shkodër: Votoni të lirë dhe larg çdo ndërhyrjeje
Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim nga Shkodra u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë të lirë jashtë çdo ndërhyrjeje. Ambasadorja Kim pa nga afër funksionimin e pajisjes së identifikimit biometrik të votuesve.
09:10- Policia e Shtetit dorëzon të gjitha qendrat e votimit
Policia e Shtetit ka përfunduar ruajten të të gjitha qendrave të votimit në të gjithë territorin e vendit. Policia bën me dije se ka bërë dorëzimin e tyre një orë para hapjes së votimit pa konstatuar asnjë problematikë.
09:09- Voton kreu i PD-së, Lulzim Basha
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha votoi në qendrën e votimit në çerdhen numër 13. Basha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në votime.
09:03- Voton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e votës rreth orës 09:00 në njësinë numër 5 në kryeqytet. Pas votimit Kurti theksoi se Shqipërisë duhet ta respektojnë atdheun, duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve dhe vlerave që secili i ka.
08:58- Soreca mbikëqyr votimin elektronik në njësinë 10 në Tiranë
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Luigi Soreca nga qendra e votimi në njësinë numër 10 në Tiranë ku po përdoret për herë të parë votimi elektronik, u shpreh se vëzhguesit e BE-së do të jenë të pranishëm në të gjithë vendin.
08:40- Denar Biba thotë se procesi i numërimit do të jetë i vështirë
Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba tha për Euronews Albania se përdorimi i teknologjisë në këto zgjedhje zhduk çdo lloj mundësie për manovrim me votat. Ndërkaq ai u shpreh se procesi i numërimit këto zgjedhje do të jetë më i vështirë për shkak të ndryshimit të sistemit.
08:23- BE me 50 vëzhgues në terren për zgjedhjet
Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian, Luigi Soreca do të zbresë vetë në terren për të parë nga afër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Ndërkohë, delegacioni i BE-së dhe ambasadat e shteteve anëtare BE dhe Zvicra kanë në terren 50 skuadra për të ndjekur procesin e votimit dhe atë të numërimit.
08:22- Vëzhgimi në zgjedhje, 274 monitorues janë nga OSBE/ODIHR
Misioni i OSBE/ODIHR-it, për vëzhgimin dhe raportimin e procesit zgjedhor ka akredituar 24 vëzhgues afatgjatë, dhe 250 të tjerë që do të monitorojnë procesin gjatë ditës së sotme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më herët ka miratuar listën e 64 monitoruesve për 12 qarqet e vendit.
08:00- Voton kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka votuar mëngjesin e sotëm në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik. Pas votimit, Ruçi dha edhe një mesazh, ku theksoi se nga nesër fituesi duhet të administrojë fitoren dhe humbësi duhet të pranojë verdiktin e qytetarëve.
07:30- Probleme me pajisjen elektronike, vonohet nisja e procesit të votimit në disa qarqe
Në shkollën “Jani Minga” në Vlorë ka pasur vonesë për fillimin e procesit të votimit. Shkak për këtë situatë është bërë vendosja në punë e pajisjes së identifikimit biometrik dhe të vonesës nga ana e operatorëve. Ndërkohë qendra e votimit 3030/1 në qendër të qytetit të Fierit nuk nisur votimin, pasi nuk funksionojnë aparaturat. Po kështu probleme ka edhe në dy qendra votimi në Librazhd, 27071 dhe 27061. Procesi i votimit nuk ka nisur për shkak të një problemi me energjinë elektrike Sakaq, në bashkia Has, një qendër votimi probleme me pajisjen e identifikimit biometrik. Po kështu, deri më tani 5 qendra në qarkun Kukës nuk kanë nisur ende votimin. Në Elbasan ka probleme në disa qendra votimi, pasi po ndërrohen komisionet.
07:10- Rama mesazh shqiptarëve për procesin zgjedhor
Kryeministri Edi Rama iu ka drejtuar një mesazh qytetarëve shqiptarë, duke iu bërë thirrje të gjithëve të vënë Shqipërinë të parën. 25 prilli, Rama e cilëson një ditë të shënuar të bashkëjetesës demokratike, “ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë”. Nuk ka munguar edhe një reagim nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili iu bëri thirrje partive politike dhe kandidatëve që gjatë ditës së sotme të respektojnë heshtjen zgjedhore.
O7:00- Nis procesi i votimit në Shqipëri
Që prej orës 07:00 të mëngjesit ka nisur procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Shqipëri. E para që iu drejtua kutisë së votimit në kopshtin nr 31, në njësinë 5 në Tiranë ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Kjo e fundit theksoi se LSI-ja do të ketë një fitore të pajetërsueshme. Pak minuta më vonë votoi edhe presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.
06:45- Pritet të nisë procesi i votimit, ku do të votojnë liderët
Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të votojë në Qendrën e Votimit, në Kopshtin nr.31, Rruga “Pjetër Bogdani” në orën 07:00. Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, do të votojë në QV pranë Liceut Artisti, ora 7.30. Ndërsa kreu i PD-së Lulzim Basha në qendrën e votimit 1929 pranë çerdhes nr.13, Rr. Demir Gashi, Njësia 8, ndërkohë ish-kreu i PD, Sali Berisha voton tek “Shkolla Kosova” në orën 10:00. Kryetari i PS Edi Rama voton në Surrel, në orën 10:30. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi voton në kopështin 31, në njësinë 5, pak metra larg selisë së LSI-së në Tiranë
06:00- Sot zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
Ditën e sotme, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, 3,588,869 shtetas shqiptarë pritet t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re.
Bazuar në të dhënat e përpiluara nga Ministria e Brendshme, në këto zgjedhje janë 107,024 të rinj dhe të reja që do të votojnë për herë të pare.
Ndërkohë 1,098 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Sakaq, nuk mund të votojnë edhe 23 mijë persona, të cilët janë të infektuar me COVID-19.
Në këtë proces zgjedhor nuk mund të votojnë as emigrantët, të cilëve nuk u arrit që t’u mundësohej votimi nga vendet ku jetojnë.
Për këto zgjedhje, KQZ ka miratuar ngritjen e 5199 qendrave të votimit në 61 bashkitë e vendit. Këto qendra votimi do të grumbullohen për t’u numëruar në 92 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.
Votat e pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit | E Vërteta me Fjalë
Kush janë kandidatët e ‘djegur’ nga sistemi që kanë marrë më shumë vota se sa deputetët e rinj
Astrit Patozi jep dorëheqjen si kryetar i Bindjes Demokratike
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta