Live nga Katari dhe Dubai: Shqiptari dhe pedagogia rrëfejnë situatën mes shpërthimeve dhe pasigurisë

2 Mars 2026 | 20:50

Një shqiptar në Katar dhe një pedagoge shqiptare nga Dubai folën live nga vendet ku ata jetojnë për “Now” me Ilir Kazaferin në Euronews, duke përshkruar situatën e tensionuar pas përshkallëzimit të sulmeve iraniane në rajonin e Gjirit. Ata raportuan mbi shpërthimet e dëgjuara pranë zonave strategjike, masat e marra nga autoritetet dhe gjendjen e bashkëkombasve shqiptarë në këto dy vende.

Nga Doha, Kurmet Kadrija, një shqiptar që jeton prej vitesh në Katar, përshkroi një situatë të tensionuar, por të menaxhuar nga autoritetet vendase:.

“Situata ka eskaluar që prej datës 28 shkurt. Janë dëgjuar mbi gjashtë shpërthime vetëm gjatë ditës së sotme. Objektivat kanë qenë baza amerikane, infrastruktura energjetike dhe zona strategjike, përfshirë edhe një rezervuar uji shumë të rëndësishëm. Institucionet janë të mbyllura dhe puna po zhvillohet online. Autoritetet na kanë udhëzuar të qëndrojmë në ambiente të mbyllura për shkak të rënies së mbetjeve të raketave. Fatmirësisht, sipas të dhënave zyrtare, ka 16 të lënduar, por nuk ka viktima”, tha ai.

Kadrija theksoi se, ndonëse frika ekziston, nuk ka panik masiv dhe komuniteti shqiptar është i informuar vazhdimisht përmes njoftimeve zyrtare dhe komunikimeve të ambasadës.

“Frika është e pranishme, por jeta nuk është paralizuar plotësisht. Mund të dalësh jashtë, por këshillohet të shmangen lëvizjet e panevojshme. Nuk kemi informacion për shqiptarë të lënduar. Aeroporti i Dohas është i mbyllur dhe largimi mund të bëhet vetëm nga toka drejt Arabisë Saudite, por edhe atje situata ndryshon nga dita në ditë. Nëse situata përkeqësohet, mundësia për t’u larguar ekziston, por për momentin po presim të shohim si do të zhvillohen ngjarjet”, thotë ai.

Ndërkohë, nga Dubai, pedagogia shqiptare Arjana Hysaj rrëfeu ndikimin e situatës tek komuniteti akademik dhe jeta e përditshme në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo tha se, ndonëse sulmet kanë shënjestruar kryesisht baza ushtarake dhe infrastrukturë portuale e ajrore, shpërthimet dhe rënia e mbetjeve kanë krijuar pasiguri te qytetarët.

“Dubai njihet si një vend i paqshëm dhe kjo është ajo që e bën më të vështirë për t’u përballur me situatën. Studentët e mi sot ishin të frikësuar; mësimi po zhvillohet online me udhëzim të Ministrisë së Arsimit. Shpërthimet janë dëgjuar sidomos pranë porteve dhe aeroporteve, përfshirë portin e Jebel Ali. Nuk po sulmohen civilët drejtpërdrejt, por mbetjet e raketave kanë shkaktuar dëme dhe viktima”, tha ajo.

Sipas saj, deri më tani janë raportuar tre viktima në total, ndërsa për shqiptarët nuk ka informacione për të lënduar.

“Paniku ekziston, por jeta nuk është paralizuar. Spitalet, supermarketet dhe shumë shërbime janë të hapura. Autoritetet dërgojnë vazhdimisht mesazhe emergjence me udhëzime për të qëndruar larg dritareve, plazheve dhe zonave publike. Aeroportet janë të mbyllura dhe aktualisht nuk ka mundësi për t’u larguar nga Dubai. Ne jemi më vigjilentë se kurrë dhe presim të shohim si do të vijojë situata, duke shpresuar që paqja që ka karakterizuar këtë vend të rikthehet sa më shpejt”, tha ajo.

Sulmet, të cilat sipas raportimeve zyrtare kanë në shënjestër baza dhe infrastrukturë ushtarake amerikane, kanë sjellë mbyllje aeroportesh, kufizime në lëvizje dhe kalimin e shumë institucioneve në regjim pune online. Megjithatë, si në Katar ashtu edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, autoritetet theksojnë se objektivi nuk janë civilët, ndërsa deri më tani nuk raportohen shtetas shqiptarë të lënduar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Algjeria përballet me mbi 100 zjarre, zgjerojnë personelin në 45 provinca

Algjeria ka dhënë urdhër për mobilizim urgjent të personelit të mbrojtjes civile në 45 provinca, ndërsa vendi po përballet me më shumë se 100 zjarre...
10:21 | 17/07/2026

Japonia ndryshon rregullat e trashëgimisë perandorake, gratë ende jashtë linjës së pasardhësve

Parlamenti i Japonisë miratoi të premten një projektligj për të rishikuar Ligjin e Shtëpisë Perandorake të vendit, i cili përcakton linjën e trashëgimisë së fronit...
10:12 | 17/07/2026

Një raketë godet një cisternë pranë brigjeve të Omanit, trafiku “i paralizuar” në Hormuz pas sulmeve SHBA-Iran

Një sulm i ri ndaj një anijeje cisternë është regjistruar në Gjirin e Omanit , ndërsa konflikti midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit shkakton turbulenca...
09:58 | 17/07/2026