English

Lufta e tualeteve: Kremlini mbron ‘vlerat tradicionale’ pas rritjes së tensioneve

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Presidenti rus, Vladimir Putin, devijoi nga tema gjatë një takimi me zyrtarët komunalë nga i gjithë shteti më 16 janar, dhe komentoi mbi tualetet në shtetet e huaja.

- Advertisement -

“Tualete të përbashkëta për djemtë dhe vajzat apo diçka e tillë – është një gjë e zakonshme, e përditshme”, tha ai, duke bërë një pretendim të pabazë se shumë rusë që u larguan më herët nga shteti kishin filluar të ktheheshin për shkak të kësaj çështjeje.

“Është shumë e vështirë për njerëzit me vlera tradicionale, vlera normale njerëzore, që të jetojnë në rrethana të tilla”, vlerësoi Putini.

Deklaratat e tij erdhën disa ditë pasi guvernatori i Shën Petersburgut, Aleksandr Beglov, bëri një postim në Telegram lidhur me një vizitë që realizojë tek ushtarët që ishin plagosur gjatë luftimeve në Ukrainë. Burra të tillë, tha ai, “e kuptojnë se pse ne po luftojmë”.

“Ju nuk keni nevojë t’ua shpjegoni vlerat që ne mbrojmë këtyre burrave që kanë parë tualete në shkolla, ku në vend se të dy tualeteve – një për djem e një për vajza – janë tre: për vajza, djem dhe për gjini të papërcaktuar”, shkroi ai.

Deklarata të tilla shkaktuan një valë talljesh në rrjetet sociale ruse, me disa rusë që spekuluan se tualetet e treta në shkollat ukrainase – nëse ato ekzistojnë me të vërtetë – ishin për mësuesit dhe të tjerët, duke theksuar se deklarata të tilla janë të çuditshme duke pasur parasysh faktin se, bazuar në të dhënat e Qeverisë, mbi një e pesta e familjeve ruse nuk kanë tualet brenda shtëpisë.

“Nëse do të isha Beglovi, do të ‘derdhja gjak’ për diçka krejt tjetër”, shkroi në Facebook gazetari dhe blogeri, Aleksandr Khots. “Në Rusi, të paktën 20 për qind e popullatës ende përdorin tualetet jashtë shtëpisë. Por, gardianët e perandorisë parapëlqejnë t’u mbajnë leksione fqinjëve se si të shkojnë në tualet, në vend se të rregullojnë tualetet e tyre dhe jo t’i lënë vetëm me një vrimë në tokë”.

Por, retorika e tualeteve vjen në nisjen e fushatës presidenciale, për të cilën nuk do të ketë garë të mirëfilltë dhe fushata pritet të jetë e kontrolluar. Kremlini i sheh këto zgjedhje si shans për të demonstruar mbështetjen e publikut për Putinin, 71 vjeç, dhe për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës që ai nisi në shkurtin e vitit 2022.

Për Qeverinë, fushata presidenciale “paraqet një sfidë sepse regjimi duhet të demonstrojë vullnetin dhe aftësinë e plotë për të menaxhuar proceset shoqërore”, tha analisti politik, Kirill Rogov.

“Lufta është jopopullore”, tha ai për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë. “Putini është në fund të karrierës së tij dhe njerëzit janë lodhur nga ai. Ai nuk premton asgjë për të ardhmen”.

Ngjarjet e javëve të fundit kanë testuar aftësinë e Kremlinit për të kontrolluar mesazhin përderisa afrohen zgjedhjet presidenciale të marsit. Protesta nga të afërmit e ushtarëve të mobilizuar kanë filluar të mbahen në mbarë vendin. Dhjetëra mijëra rusë në mbarë vendin kanë mbetur pa ngrohje apo ujë të nxehtë në stinën e dimrit, ndërkaq infrastruktura e vjetër dhe e pamirëmbajtur ka kolapsuar.

Përderisa pushtimi në shkallë të plotë i afrohet trevjetorit, lufta është përfshirë në ngërç që shpesh përcillet me ngjarje të turpshme për Rusinë, siç ishte pohimi i Kievit më 15 janar se kishin rrëzuar një avion-radar A-50, në vlerë prej 300 milionë dollarësh si dhe në dhjetor të vitit 2023, kur Ukraina tha se kishte fundosur aeroplanmbajtësen e Flotës Ruse në portin e Feodosias, në Krimenë e aneksuar.

Për Kremlinin, sipas analistëve, zhvillime të tilla rrisin atraktivitetin e kthimit të narrativëve për “tualetet për gjini të papërcaktuar” në “vlerat tradicionale” – të dyfishimit të portretizimit të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës, si pjesë e një beteje për mbrojtjen e Rusisë dhe pjesës tjetër të botës nga, siç e ka cilësuar Kremlini, një Perëndim dekadent, të pamoralshëm dhe tepër liberal.

Shembulli kryesor për këtë është ky: Në një intervistë për The Spectator të dhënë më herët gjatë këtij muaji, ideologu i ekstremit të djathtë dhe figura pro-Kremlinit, Aleksandr Dugin, e përshkroi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës si “një lloj akti fetar” dhe “fillimin e luftës kundër djallit”.

Në korrik të vitit 2023, Rusia ndaloi ndërrimin e gjinisë, anuloi martesat në të cilat një person ka “ndryshuar gjininë” dhe ndaloi transgjinorët që të birësonin fëmijë. Në nëntor të vitit 2023, Gjykata e Lartë e Rusisë mbështeti kërkesën e Qeverisë që të vendoset “lëvizja shoqërore ndërkombëtare e LGBT-së” – që është joekzistente – në listën e organizatave “ekstremiste”.

“Me vendimin e saj, Gjykata e Lartë i lejoi organet e zbatimit të ligjit të zbatojnë me fuqinë e plotë legjislacionit antiekstremizëm kundër personave të komunitetit LGBT, mbështetësve të tyre dhe atyre që janë të përfshirë në iniciativat e këtij komuniteti”, tha avokati Maks Olenichev, i cili punon me klientë të komunitetit LGBT. “Dhe, ligjet antiekstremizëm janë jashtëzakonisht amorfe”.

“Përderisa vendimi hyn në fuqi, stereotipat për LGBT do të forcohen në shoqërinë ruse”, shtoi ai.

Fyodor Tsipilev, aktivist për komunitetin LGBT, që u largua nga Rusia dy vjet më parë, pajtohet me këtë qëndrim. Ai tha se veprimet e Qeverisë kanë çuar në “aktivizimin e forcës margjinale” në shoqëri – deri më tani, kryesisht online.

“Por, në të ardhmen ky aktivizim do të zhvendoset përtej internetit”, tha ai.

“Rreziqet për njerëzit LGBT, dhe jo vetëm për ta, vetëm do të rritet. Homofobëve publikisht u është dhëna drita e gjelbër”.

Vitaly Bovar është ish-ligjvënës komunal në Shën Petersburg, i cili ka kundërshtuar luftën kundër Ukrainës dhe ka folur publikisht kundër ligjeve ndaj komunitetit LGBT.

“Këto ligje homofobike dhe transfobike në praktikë janë gjenocid, një përpjekje për të shkatërruar diversitetin njerëzor në Rusi. Shoqëria jonë ka rënë në ëndrrën e vjetër të një çekisti të plakur”, tha ai për REL-in, duke përdorur termin që përshkruan agjentët e organeve ruse të sigurisë.

“Dhe, nuk po flas vetëm për Putinin”, tha ai, duke iu referuar faktit se presidenti rus për shumë vite kishte qenë agjent i KGB-së sovjetike dhe në vitet ’90 drejtoi pasardhësin e këtij shërbimi sekret, Shërbimin Federal të Sigurisë.

“Ai vetë nuk i iniciojë këto ligje”./REL

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

spot_img

TË FUNDIT

spot_img

Sondazh

Kush mendoni se ishte fituesi i debatit të parë presidencial në SHBA?