Lulzim Basha: Zgjedhjet një masakër elektorale, nuk do të dorëzohemi

27 Prill 2021 | 20:02

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në deklaratën e mbajtur tha se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin “një masakër elektorale” përballë “një regjimi që bëri gjithçka për ta thyer garën”.

“Hymë në betejë jo me kundërshtarë politikë, por me regjim që bëri gjithçka për të thyer garën, dhjetëra mijëra votash të pavlefshme, dy herë më shumë se diferenca mes palëve, miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe të votës, vodhën të dhënat e qytetarëve, përdorën kriminelët duke realizuar masakër elektorale,” u shpreh Basha.

Lulzim Basha tha se PD-ja është bërë më e fortë dhe se nuk do të dorëzohet pasi misioni i PD-së, sipas Bashës, është mbi anëtarët e saj.

“Ne u bëmë më të fortë, ne jemi më të vendosur se kurrë, kushdo që mendon se do të dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë për demokracinë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fitore sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria s’ka më asnjë mundësi dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Basha.

Lulzim Basha tha se “PS angazhoi kriminelë për blerjen me miliona euro të votave”, duke përmendur edhe rastin e Tom Doshit.

“Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunoje hapur me përfaqësues të krimit si Tom Doshi që kanë gjithë botën demokratike kundër”, tha kreu i PD-së.

Në fjalimin e tij, z. Basha nuk saktësoi nëse e njihte humbjen apo jo, mirëpo pranoi se PD ka marrë besimin e mbi 600 mijë qytetarëve.

“Ne do të luftojmë për ju, për qindra mijëra qytetarë që luftuan për ne dhe për ata që nuk u numërua vota. Kjo është përgjegjësia ime që kam përpara jush dhe përpara Shqipërisë”, tha ai.

Për votat e pavlefshme, me “rreth dyfishin e diferencës” Basha nënkuptoi se votat e shpallura të tilla janë më shumë se distanca që kanë – bashkë – PD dhe LSI me PS-në dhe se rezultati mund të ishte ndryshe nëse ato do të vlerësoheshin si të sakta.

Me 98.5% të qendrave të votimit të numëruara, PS kryesonte me 750 mijë vota, ndërsa PD dhe LSI bashkë bëjnë 714 mijë vota – rreth 608 mijë PD dhe rreth 105 mijë LSI. Diferenca me PS-në në këtë mënyrë është rreth 36 mijë vota.

Sipas të dhënave të KQZ-së 81,273 vota janë shpallur të pavlefshme. Megjithatë vlen të thuhet se PD dhe LSI dolën në lista të ndara në këto zgjedhje dhe ndarja e mandateve bëhet me votat e mbledhura nga secila parti dhe jo bashkë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Votat e pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit | E Vërteta me Fjalë

Në emisionin “E Vërteta me Fjalë” në Euronews Albania, Baton Haxhiu, autori i emisionit analizon fenomenin e votave të pavlefshme dhe sipas tij ky është...
11:57 | 08/05/2021

Kush janë kandidatët e ‘djegur’ nga sistemi që kanë marrë më shumë vota se sa deputetët e rinj

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, u përdor për herë të parë vota preferenciale. Por, listat nuk ishin plotësisht të hapura pasi siç e tregon...
19:36 | 03/05/2021

Astrit Patozi jep dorëheqjen si kryetar i Bindjes Demokratike

Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi ka dhënë dorëheqjen si drejtues kësaj force politike pas rezultatit zhgënjyes që mori në zgjedhjet parlamentare të 25...
13:00 | 02/05/2021