LVV pritet të rimandatojë Kurtin për kryeministër të Kosovës të dielën
Fituesja e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër të Kosovës në fundjavë, saktësisht një javë pasi kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e organit ligjvënës.
Partitë ish-opozitare nuk pajtohen se Kuvendi është konstituuar, pasi ende nuk është zgjedhur nënkryetari i pestë dhe i fundit i Kuvendit nga komuniteti joshumicë serb.
Por, LVV-ja ngul këmbë se duhet të ecet përpara me formimin e institucioneve prandaj edhe do ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë për të zgjedhur mandatarin për kryeministër.
Këtë e konfirmoi për Radio Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, i cili tha se mbledhja do të mbahet të dielën e 7 shtatorit.
Në këtë votim brenda partisë pritet që kreu i saj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të rikonfirmohet si mandatar për kryeministër, emrin e të cilit LVV-ja do ta dërgojë më pas te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të provuar formimin e Qeverisë së re.
Megjithatë, situata në Kuvendin e Kosovës mbetet ende e bllokuar dhe nuk është e qartë nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër në këtë gjendje.
Kryesia e re e Kuvendit dështoi ta mbajë mbledhjen e parë, më 1 shtator, në mungesë të kuorumit.
Basha tha për media të hënën se do t’i ftojë në një takim konsultativ nënkryetarët, por për këtë ende nuk është vendosur asgjë.
Nga Kuvendi nuk kthyen përgjigje nëse pritet të caktohet ndonjë takim i tillë dhe si do të jetë formati i tij.
Sa i përket konstituimit të Kuvendit, që nisi më 15 prill, dhe u shpall i mbyllur pas më shumë se pesë muajsh, Presidenca e Kosovës tha në fillim të javës se ekipi ligjor po e analizon këtë proces.
Por, Presidenca nuk iu përgjigj të enjten Radios Evropa e Lirë nëse janë nxjerrë përfundimet mbi procesin dhe nëse e vlerëson të konstituuar Kuvendin.
Për këtë çështje, presidentja Osmani i priti në takime ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, dhe atë të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.
Osmani tha se, në lidhje me konstituimin e institucioneve të vendit, do të veprojë “në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”.
LEXONI GJITHASHTU:
Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!
Haxhiu shtyn njoftimin për seancën e parë të Kuvendit, afati kushtetues deri më 7 gusht
Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes
- 16:49 Pushimi mes dy pjesëve të finales së Kupës së Botës do të zgjasë më shumë se 15 minuta, shkak performancat
- 16:42 SHBA dhe zyrtarët sirianë hedhin poshtë pretendimet e Iranit për sulm ndaj bazës amerikane në Siri
- 16:37 Mijëra bileta ende në dispozicion për ndeshjen Angli-Francë, disa bileta të pa shitura edhe për finalen e Kupës së Botës
- 16:26 Ndeshja me Spanjën, ekipi portugez udhëtoi në Dallas me një aeroplan që përdoret çdo ditë për deportimet e ICE
- 16:13 E njohur për rolin e saj në “Home Alone”, ndërron jetë në moshën 81-vjeçare aktorja Brenda Fricker
- 16:07 Çfarë është ciklosporiaza, sëmundja që ka shpërthyer në SHBA