Macron: Jam i hapur për bisedime me Putinin, për të siguruar paqe

15 Dhjetor 2023 | 18:24

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten se ende është i hapur të bisedojë me homologun e vet rus, Vladimir Putin, nëse kjo do të ndihmonte në sjelljen e paqes së qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë.

Macroni dhe Putini gëzonin marrëdhënie të mira pune para se Rusia ta niste pushtimin e fqinjit të vet në shkurt 2022.

Përpjekjet diplomatike të Macronit disa javë para se të nisnin luftimet dështuan për ta parandaluar luftën, por ai e kishte mbajtur të hapur për disa muaj linjën e komunikimeve me presidentin rus.

Marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe personale u përkeqësuan shumë me vazhdimin e luftës. Në fillim të këtij viti, Macroni e kishte menduar mundësinë për t’ia hequr Putinit medaljen më të lartë franceze të nderit.

Putini ishte pyetur të enjten gjatë një konference me gazetarë për qëndrimet e tij rreth Francës dhe Macronit.

Putini tha: “Në një çast, presidenti francez i dha fund marrëdhënieve me ne. Nuk e bëmë ne, nuk e bëra unë. E bëri ai. Nëse ka interes, ne jemi të gatshëm. Nëse jo, do t’ia dalim”.

Duke folur në Bruksel të premten në fund të një samiti të liderëve të BE-së, Macroni tha se është i hapur për dialog me Putinin për të gjetur një zgjidhje paqësore, nëse lideri rus e kontakton.

“Nuk e nisa unë luftën në mënyrë të njëanshme, duke i shkelur marrëveshjet të cilat i kisha nënshkruar. Dhe, nuk ishte Franca ajo që vendosi të kryejë krime lufte në veri të Ukrainës, duke i bërë të pamundura bisedimet”, tha Macroni.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vala e të nxehtit në Francë, mbi 2,000 të vdekur vetëm gjatë muajit qershor

Qeveria franceze vlerëson se 2,025 vdekje iu shtuan statistikave të zakonshme gjatë valës së të nxehtit të qershorit në vend, tha të premten Ministri i...
09:20 | 03/07/2026

Zjarret në jug të Francës, 3000 persona evakuohen nga destinacionet turistike, jahti përfshihet nga flakët në port (VIDEO)

Një zjarr i madh në pyll pranë qytetit francez të Perpignanit sot çoi në evakuimin e kampeve në Caen-en-Roussillon dhe Sainte-Marie-la-Mer, dhe më shumë se...
07:44 | 03/07/2026

Gjermania prezanton paketën e reformave, ulje taksash dhe ndryshime në pensione e tregun e punës

Qeveria gjermane ka prezantuar një paketë të gjerë reformash ekonomike, e cila pritet të zbatohet plotësisht deri në vitin 2028. Paketa përfshin ndryshime në sistemin...
22:25 | 02/07/2026