Këtë të premte është mbajtur mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit Kombëtar të PD. Mbledhjen e nisi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili tha se ky do të jetë shtatori i fundit që i gjen demokratët në opozitë.
“Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin. Rotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin, sakrificën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër. I them këto, sepse kemi hyrë në muajin e 9-të përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj ne kemi përballjen finale kundër së keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti, poshtëroi dhe dëboi masivisht shqiptarët. I them këto se çdo demokrat dhe demokrate nga sot e tutje, kur të kërkojë votën e PD, demokratëve duhet t’i shihet në sy bindja për fitore. Demokratëve duhet t’i dëgjohet në zë bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në shpirt, bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në trup, bindja për fitore”, tha Berisha.
Çfarë u diskutua në mbledhjen me dyer të mbyllura?
Gjatë kësaj mbledhje janë zbuluar gjithashtu disa detaje dhe diskutime të rëndësishme për strategjitë dhe strukturën e partisë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
I pyetur nëse do e pranojë sfidën që të jetë i renditur poshtë në listë, sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u përgjigj duke shpjeguar se lista e drejtuesve të qarqeve është një kompetencë ekskluzive e Kryetarit të PD-së. Ai theksoi se Neni 46, pika 2 i statutit të partisë lejon Kryetarin të ngrejë ekipe ndihmëse për të asistuar në këtë proces.
Noka gjithashtu u përgjigj lidhur me largimin e Tomorr Alizotit nga drejtimi politik i Beratit, duke thënë se kjo ishte në përputhje me kërkesën e Alizotit për t’u transferuar në Tiranë.
I pyetur se çfarë do të ndodh nëse Partia Socialiste vjedh sërish zgjedhjet, Edi Paloka tha se në këtë rast nuk do thotë më që zgjedhjet i vodhi Rama, pasi nëse zgjedhjet vidhen, sipas tij, do jenë demokratët fajtorët.
“Nëse Rama na u vjedh prap zgjedhjet s’do dal me të them që na i vodhi. Përgjegjësia tek ne si fillim. Ne nuk hyjmë ne zgjedhje për te marre një mandat. Nëse na i vjedhin prap jemi ne qe ua kemi vjedhur demokrateve. Ta shohim ne këtë si beteje jete a vdekje. Mos e shihni këtë ndarje si sfidë me njeri-tjetrin. Te jemi bashke për të rrëzuar Ramën. Fushata të jetë luftë, jo në kuptimin figurativ”,-tha Paloka.
Myslym Murrizi ka folur me tonë të ashpra gjatë mbledhjes ka cilësuar si të pamoralshme bashkimin me të rikthyerit nga Basha.
“Do mërziteni nga ajo që do them, por se kam problem. Berisha tha “sulm” por ne e kemi trajnerin me të kuqe. Me çfarë ta bëjmë sulmin me mbrojtës? Kush ka gjujt nga ju? Berisha i ka bërë listat e drejtuesve politik, por ke qene ti Flamur që i ke fry ne vesh. E kemi pare në media me kohe listën e drejtuesve të qarqeve.
Agron Gjekmarkaj ka thënë do hidhem nga ballkoni po erdhi Berisha. Jorida Tabaku tha vdiq Berisha politikisht. Si mund të motivohen demokratët? Ne e nisem foltoren që të ketë vlerë vota. Por Bardhi dhe Gjekmarkaj nuk u zgjodhën me votë. Erdhën si te bashkuar ne diversitet e na u bënë diversante. Të vijnë të votohen.
Pyet Bardhin pse se ke çuar emrin e Berishës si anëtar i Grupit Parlamentar. Bardhi thotë nuk është e vërtete, është dërguar ne maj. Pse drejtuesit politik mos të votoheshin? A do ngjisni ju nëpër qarqe? Duhet të jemi të ndershëm me anëtarësinë. Nëse Berisha do te jete i arrestuar harrojeni se do ngjisim tek qytetaret. Gjysma e këtyre qe do marrin mandatet do te përjashtojnë ty prap, i drejtohet Flamurit. Si hyjmë në qeveri teknike? Keni bere pazar me Ramën, na e sqaroni. PD duhet te hapet, kemi vuajtur sepse s’kemi folur duhet të flasin të gjithë”,-tha Murrizi