“Më shumë se futboll”: Bosnja para ndeshjes historike me SHBA-në

1 Korrik 2026 | 13:03

Nga 26 futbollistët e përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës, 17 kanë lindur jashtë vendit. Pjesa tjetër është rritur në shtet gjatë periudhës së pasluftës dhe tranzicionit. Ky është formacioni i ekipit që ka ngritur në këmbë tifozët anembanë vendit, por edhe në mbarë botën, ku jetojnë të shpërndarë më shumë se dy milionë boshnjakë dhe qytetarë të Bosnjë e Hercegovinës.

Favoritët për ta fituar Kampionatin Botëror të Futbollit po tërheqin më pak vëmendje sesa tifozët dhe përfaqësuesja e Bosnjë e Hercegovinës, e cila që në fillim është parë si një ekip autsajder.

Historia e tyre mbushin ballinat e mediave botërore. Kështu tha edhe përzgjedhësi Sergej Barbarez, i cili në një intervistë për gazetën gjermane Bild tha se, në ndeshjen e fazës së 1/16 së finales kundër Shteteve të Bashkuara, ekipi i tij ndodhet në rolin e “Davidit kundër Goliatit”.

“Kjo na ka shërbyer gjithmonë mirë”, shtoi ai.

Dhjetëra mijëra njerëz e ngjyrosën Siatëllin me verë dhe kaltër gjatë ndeshjes së fundit kundër Katarit, kur përfaqësuesja e Bosnjë e Hercegovinës arriti një sukses historik duke kaluar fazën e grupeve dhe duke siguruar përballjen me ekipin amerikan më 2 korrik.

Në mesin e publikut në stadiumin Lumen Field në Siatëll ishte edhe Irma Baralija nga Mostari, së bashku me familjen e saj.

“Tribunat janë të mbushura me njerëzit tanë nga të gjitha anët e botës, ndërsa historitë e jetës së tyre janë material për filma të jashtëzakonshëm të Hollivudit”, tha Baralija për Radion Evropa e Lirë (REL), duke përshkruar përvojën e ndjekjes së ndeshjeve nga afër të përfaqësueses së Bosnjës në Shtetet e Bashkuara.

Edhe pse sot jeton me familjen në Sarajevë, jeta e tyre është e lidhur edhe me SHBA-në, ku bashkëshorti i saj shkoi pasi arriti të dilte nga kampi i paraburgimit Heliodrom, pranë Mostarit.

“Vajza jonë e parë lindi pikërisht në Los Anxhelos, ndërsa hapat e saj të parë i hodhi në Sietëll”, shtoi Baralija, e cila me familjen e saj jetoi për një periudhë kohore në Bregun Perëndimor të SHBA-së.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë më shumë se 350.000 persona me prejardhje nga Bosnjë e Hercegovina. Disa prej tyre, si Esmir Bajraktareviq, sot luajnë edhe për përfaqësuesen e futbollit të Bosnjë e Hercegovinës.

Njëzetenjëvjeçari Bajraktareviq ka lindur në SHBA nga prindër me prejardhje nga Srebrenica, të cilët gjatë luftës humbën shumë anëtarë të familjes.

Jeta në mërgim për shkak të luftës bëri që familja e tij fillimisht të jetonte në Zvicër, e më pas në SHBA, ku Bajraktareviq u lind më 2005. Pas disa paraqitjeve me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara, në vitin 2024 ai nisi të luajë për përfaqësuesen e Bosnjë e Hercegovinës.

“Kam lindur në Amerikë, por gjithmonë e kam parë veten si boshnjak”, ka thënë Bajraktareviq në profilin e tij në faqen e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).

Ai nuk është i vetmi. Diaspora e madhe e Bosnjë e Hercegovinës ka bërë që edhe përfaqësuesja e saj të jetë shumë e larmishme. Kështu, disa futbollistë paraqitjet e tyre të para i kanë bërë për përfaqësueset e vendeve të tjera, sikurse për Suedinë dhe Austrinë, por në fund vendosën të luanin për vendin e origjinës.

Ngjashëm janë edhe historitë e shumë njerëzve që u detyruan ta braktisnin vendin për shkak të luftës dhe më pas u përpoqën, siç shpjegoi Baralija, “t’i bashkonin dy botë”, ashtu siç bëri bashkëshorti i saj, i cili rreth dhjetë vjet më parë hapi një kompani në Bosnjë e Hercegovinë.

“Pa marrë parasysh se cilat janë historitë dhe prejardhjet tona, përfaqësuesja dhe këta djem të mrekullueshëm na kanë bashkuar dhe jemi mirënjohës për këtë gëzim që na e kanë dhuruar”, u shpreh Baralija.

“Na kanë ndodhur shumë gjëra të bukura këtu, por suksesi i përfaqësueses, valëvitja e flamurit tonë në stadiumet më të mëdha amerikane dhe këndimi njëzëri me dhjetëra mijëra bashkëkombës tanë këtu, janë kulmi i gjithë kësaj”.

‘Asgjë nuk është e pamundur’

Shteti, për të cilin kjo është vetëm pjesëmarrja e dytë në Kupën e Botës, dhe tifozët e tij kanë fituar simpatinë edhe të vendasve. Ka mesazhe të shumta nga amerikanët në rrjetet sociale që thonë se po “e shtojmë Bosnjë e Hercegovinën në listën e vendeve që duam t’i vizitojmë”.

Kjo përfaqësuese dëshmon se asgjë nuk është e pamundur, shpjegoi psikologia Vahida Gjedoviq.

“Këta djem disi na ndihmuan që ta përjetojmë sërish atë ndjenjë të bashkimit dhe të lidhemi mes vete në një mënyrë”, tha Gjedoviq, duke theksuar se sot njerëzit po ndihen gjithnjë e më të vetmuar.

“Në fakt, futbolli dhe gjithçka që po ndodh na ka bashkuar. Kemi organizuar tubime, ndjekje të organizuar të ndeshjeve dhe ndihemi sikur të gjithë jemi një”.

Këto ditë, në Bosnjë e Hercegovinë, futbolli duket se është shumë më tepër sesa një lojë. Ai është ngjitësi që i bashkon njerëzit, pritja e atyre 90 minutave që sjellin gëzim, por edhe shpresë për një sukses të paprecedentë, i cili mund të ketë ndikim pozitiv jo vetëm te futbollistët dhe angazhimet e tyre të ardhshme, por edhe te njerëzit jashtë fushës.

“Emocionet janë ngjitëse”, shtoi psikologia Gjedoviq.

“Kur shikoni ndeshjet e futbollit dhe gjithë atë mbështetje, në fakt ajo eufori kalon nga një person te tjetri. Madje edhe kur ne jemi në stadium në Los Anxhelos dhe të gjithë njerëzit këndojnë ‘Aroma e zambakëve përhapet nëpër fushë’, thjesht të mbushen sytë me lot”, tha psikologia, duke shpjeguar se kjo mund të jetë një formë e shërimit kolektiv.

Futbolli është bërë mënyra se si “Bosnja makthet i shndërron në ëndrra të bukura”, shkruan në tekstin autorial Ed Vulliamy, gazetari i luftës që ishte gazetari i parë i huaj të cilit autoritetet e Prijedorit i lejuan të hynte në kampin e Trnopoljes në vitin 1992.

Se futbolli është shumë më tepër se një lojë, ndonjëherë edhe shpëtim, dëshmojnë edhe pjesëmarrësit në koleksionin e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës në Sarajevë, muzeu i vetëm në botë që merret ekskluzivisht me dokumentimin e përvojave të personave, fëmijërinë e të cilëve e ka përshkuar lufta.

“Figurina të prera nga albumet Panini shndërroheshin në fusha të improvizuara; topat e xhamit dhe topthat plastikë zëvendësonin topin e vërtetë; çantat e shkollës shërbenin si porta”, shpjegoi Ajnura Akbash, menaxhere për hulumtime në muze, duke përshkruar se si fëmijët gjatë luftës, me zgjuarsi dhe imagjinatë, përpiqeshin të qëndronin të lidhur me sportin që e donin.

“Këto objekte dhe kujtime dëshmojnë për mënyrat se si fëmijët gjatë luftës krijonin në mënyrë aktive hapësira loje dhe gëzimi të përbashkët, por edhe ruanin lidhjen me pjesën tjetër të botës”, shtoi Akbash.

Një nga fëmijët që është rritur në Sarajevë gjatë rrethimit është edhe kapiteni shumëvjeçar i përfaqësueses së Bosnjë e Hercegovinës, është Edin Gjeko.

“Jam rritur gjatë luftës. Papritur po jetoja në një përrallë. Asgjë nuk është e pamundur. As të çosh Bosnjë e Hercegovinën në Kampionatin Botëror”, tha Gjeko në një letër drejtuar fëmijëve të Sarajevës, që u publikua para ndeshjes së parë të Bosnjë e Hercegovinës në Botëror.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.601 fëmijë janë vrarë gjatë katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës.

Sot 40-vjeçar, Gjeko po merr pjesë për herë të dytë në Kampionatin Botëror të Futbollit. Përveç tij, i cili gjithashtu ka refuzuar ftesa nga vende të tjera, në përfaqësuese sot luajnë edhe djem që e kanë zgjedhur Bosnjë e Hercegovinën si përfaqësuesen e tyre dhe që, sipas psikologes Gjedoviqit, mund të shërbejnë si idhuj për të rinjtë.

“Bosnjë e Hercegovina në përgjithësi për një kohë të gjatë nuk ka pasur asnjë idhull, ndonjë person, hero me të cilin mund të identifikohemi. Dhe kjo i duhet secilit. Nëse kthehemi në parahistori, në të gjitha luftërat dhe situatat kemi pasur heronjtë tanë. Tani heroina jonë është përfaqësuesja e Bosnjë e Hercegovinës dhe njerëzit identifikohen me të”, përfundoi Gjedoviq.

Ngjashëm më herët në një podkast të Radios Evropa e Lirë, ka thënë edhe sociologu Amer Osmiq, i cili mendon se përfaqësuesja e futbollit i ka sjellë shoqërisë një ndjenjë të mundësisë dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për rezultat sportiv.

“Nëse e shikojmë nga ana simbolike, ajo që ata kanë sjellë në fakt është një kapital që tregon se suksesi në njëfarë mënyre nuk është i rezervuar vetëm për disa shoqëri të tjera, për disa shtete të tjera”, shpjegoi Osmiq.

Se të rinjtë në Bosnjë e Hercegovinë gjenden në një situatë ku u nevojitet ndihmë, tregon edhe fakti se vendi ka shkallën më të lartë të papunësisë së të rinjve, si dhe që çdo i dyti i ri mendon të largohet nga Bosnjë e Hercegovina, sipas një hulumtimi që më herët e ka kryer Fondi për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara.

Bosnjë e Hercegovina do të luajë ndeshjen historike kundër Shteteve të Bashkuara më 2 korrik në San Francisko. Nga tribuna, ashtu si në dy ndeshjet e mëparshme, do t’i mbështesë edhe Baralija me familjen e saj.

“Nuk ka rëndësi cili do të jetë rezultati, e rëndësishme është që të luajmë me zemër dhe me heroizëm, dhe ne gjithsesi jemi fitues”, tha Baralija.

Se kjo ndeshje është një “moment që e tejkalon sportin” e ka thënë edhe ministri federal i Punës dhe Politikës Sociale, Adnan Delliq, ministria e të cilit ka propozuar që punëdhënësit në Bosnje të enjten të përshtatin orarin e punës.

Pritet që vetëm në kanalet televizive amerikane ndeshjen ta ndjekin rekord prej 30 milionë shikues./REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

U raportua i zhdukur pasi u zhyt në Liqenin e Batllavës, gjendet i vdekur 25-vjeçari

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Liqenin e Batllavës, ku është gjetur pa shenja jete një 25-vjeçar, i cili ishte raportuar i zhdukur pasi...
13:44 | 01/07/2026

Louis J. Crishock emërohet Përfaqësues i Lartë në Detyrë për Bosnjë dhe Hercegovinën

Ambasadorët e Bordit Drejtues të Këshillit të Zbatimit të Paqes (PIC SB) emëruan zyrtarisht Zëvendësin Kryesor të Përfaqësuesit të Lartë Louis J. Crishock si Përfaqësues...
11:13 | 01/07/2026

Sulme të koordinuara me bomba artizanale ndaj banesave të 3 zyrtarëve të Demokracisë së Re në Selanik, 5 të plagosur

Pesë persona u plagosën, përfshirë një grua e cila ishte e intubuar, dhe dëme të shumta u shkaktuan nga tre sulmet e koordinuara me zjarrvënie me bomba artizanale që...
10:11 | 01/07/2026