English

Megaoperacion kundër trafikut të qenieve njerëzore, lëshohen rreth 26 urdhër-arreste

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një operacion mbarëkombëtar është zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigrantëve të paligjshëm.

- Advertisement -

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se operacioni është shtrirë në disa qytete të vendit kryesisht në pikat kufitare.

Po ashtu mësohet se janë lëshuar rreth 26 urdhër arreste. Dyshohet se mes tyre janë përfshirë edhe efektiv policie.

Në orët në vijim pritet të ketë edhe një konferencë për këtë operacion. Ky operacion vjen pas aksidentit me 8 viktima në Këlcyrë, 7 prej të cilëve ishin emigrantë nga vendet e treta, që kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë.

Komunikimi me gazetarët i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:

Balla: Drejtoria e Përgjithshme kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigrantëve të paligjshëm ka zhvilluar një operacion në të gjithë Shqipërinë në bashkëpunim me punën e shkëlqyer të Prokurorisë së Posaçme, me rezultatet të cilat do t’i quaja spektakolare, por që duroni edhe pak orë deri rreth mesditës, ku Drejtori i Përgjithshëm Rrumbullaku të njoftojë këto rezultate që shprehin qartë angazhimin e qeverisë shqiptare kundër këtij fenomeni që është një shqetësim dhe një plagë globale.

Pyetje: Z. Balla një pyetje tjetër sa i takon kanabizimit le të themi, ose periudhës, kur nis dhe mbjellja e kanabisit, shpesh herë e lajmëruar edhe prej ju si një fazë ku Policia e Shtetit tashmë është gati për parandalimin e këtyre ngjarjeve kriminale. Cilat janë risitë për këtë vit dhe a do ketë bashkëpunime me Guardi di Finanza-n si çdo vit tjetër në monitorimin ajror dhe çfarë do ketë më shumë masa të shtuara nga ana e policisë.

Ministri Balla: Unë e kam thënë prej mes korrikut të vitit të kaluar kur kam marr detyrën që viti 2024 duhet të jetë dhe viti ku fenomenit të kultivimit të kanabisit duhet t’i japim dhe një goditje shfarosëse dhe dua të konfirmojë se përveç monitorimit nga ajri përmes protokollit të bashkëpunimit që kemi me GdF këtë vit duke filluar nga java e ardhshme ne do të kemi mundësin fal edhe protokollit të bashkëpunimit me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ne do të përdorim edhe dronët “Bajraktar”, të cilët do të bëjnë një monitorim sistematik të të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë me një fokus luftën kundër fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike kryesisht cannabis sativa, por gjithashtu të mos harrojmë që fokusi i monitorimit të vendit me dronët “Bajraktar”, do të jetë kundër të gjitha formave të tjera të krimit përfshirë këtu dhe krimet mjedisore, përfshirë këtu bashkëpunimin mes Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, njësisë operacionale e cila do të vendosi në përdorim dronin “Bajraktar” edhe me IKMT për të luftuar dhe fenomenin e ndërtimeve pa leje apo forma të tjera të krimeve mjedisore, po ashtu dhe kuadër të masave tona që lidhen me sezonin turistik.

Në fund të muajit do të kemi një komunikim të rëndësishëm me ju dhe me publikun lidhur dhe me masat në nivel kombëtar të Policisë së Shtetit, por dhe të gjitha agjencive të tjera ligjzbatuese.

Sa i përket garantimit të sigurisë që lidhet me sezonin turistik, kështu që në luftën kundër kanabisit për t’iu rikthyer pyetjes tuaj, dua t’ju garantoj që do të përdorim gjithë instrumentet që kemi në dispozicion.

Dhe ju e keni parë që vetëm gjatë ditëve të fundit kryesisht në zonat e qarqeve Shkodër-Lezhë, pres po ashtu rezultate të tjera dhe në disa qarqe që kanë qenë problematike, pa harruar këtu dhe malësinë e Krujës, në mënyrë që këtij fenomeni t’i japim përgjigje përfundimtare.

Pyetje: Kur pritet të bëhen ndryshimet në kod rrugor për shkeljet pranë shkollave?

Ministri Balla: Tani ka disa nisma që janë bërë tashmë, nga MIE janë disa propozime shumë të vlefshme për ndryshime në kodin rrugor. Po ashtu në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme, janë propozuar në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla disa masa.

Dua ta nënvizoj edhe njëherë e besoj se kam mbështetjen e të gjithë prindërve, gjyshërve, komuniteteve lidhur me disa problematika të cilat duhet të adresohen në kodin rrugor.

Një parakalim i rrezikshëm i një mjeti rrugor ndaj një mjeti transporti publik që transporton fëmijë që shkojnë në shkollë, nuk mund të jetë një shkelje apo një incident rrugor, i cili të trajtohet në mënyrë të barabartë me raste kur nuk kemi të bëjmë me përfshirje në këtë incident rrugor, apo të kësaj ngjarjeje rrugore të një mjeti që transporton fëmijët që shkojnë në shkollë.

Në SHBA dhe në çdo vend që ne kemi parë, ka një dyfishim të penalitetit kur bëhet fjalë për shkelje që përfshijnë mjetet e transportit publik që çojnë fëmijët në shkollë.

Shkeljet rrugore brenda perimetrit të sigurisë në shkolla, ne i kemi njoftuar që në fillim se masat disiplinore duhen dyfishuar, por edhe penalitete të tjera.

Ju e keni parë që falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, Policisë Rrugore Tiranë dhe drejtuesve të një prej shkollave të mesme në Tiranë u bë i mundur identifikimi dhe më pas ndalimi në flagrancë i një nxënësi, të një shkolle të mesme i cili drejtonte mjetin, kryente manovra të rrezikshme nën efektin e lëndëve narkotike.

Apeli im është që duhet të bashkëveprojmë dhe këtu përfitoj nga rasti t’iu drejtohem gjithë qytetarëve që sa herë konstatohen manovra të rrezikshme në rrugë, gjëja e duhur është të njoftohet Policia e Shtetit dhe më pas të bëhet ndalimi i këtyre personave që rrezikojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe të kalimtarëve apo çdo përdoruesi tjetër të rrugës.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?