Mesazhi i presidentit Begaj për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
10 Dhjetor 2022 |
09:31
Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Në një reagim në rrjetet sociale, Presidenti Bajram Begaj shprehet se janë dashur shumë përpjekje e janë sakrifikuar shumë jetë derisa është mbërritur te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.
Presidenti nënvizon se Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është ndërkaq edhe një ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.
Reagimi i plotë:
Ndërsa Bota pas fitores së antifashizmit mbi fashizmin dhe të popujve mbi tiraninë vuante ende prej dhimbjeve të plagëve të Luftës së Dytë Botërore, më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut.
OKB i dha botës jo thjesht e vetëm një dokument parimesh, por mbi të gjitha idealin e përbashkёt, të cilin duhet ta mbërrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet. Njohja e dinjitetit të lindur, të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë.
Duke e përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ne sjellim në vëmendjen e gjithkujt faktin se sa luftë është dashur, sa shumë përpjekje dhe privime janë lypur dhe se sa jetë njerëzore janë sakrifikuar për të mbërritur deri tek Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e cila është dokumenti i parë ndërkombëtar, nga i cili rrjedh detyrimi për respektimin e dinjitetit të lindur dhe barazisë për çdo njeri, nga ku buron edhe e drejta e jetës, lirisë, sigurisë personale dhe barazisë para ligjit.
Megjithatë, miliona njerëz në botë, sot nuk i gëzojnë të drejtat universale për shkak të një sëre pabarazish dhe padrejtësish të sistemeve politike, për shkak të luftërave, të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, dhunës dhe mungesës së tolerancës ndaj dallimeve.
Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, e diskriminimit dhe e dhunës, prandaj apelojmë me forcë, me qëllim që gjithësecili të ndjehet i detyruar për respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit shoqëror apo çdo statusi tjetër.
Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është ndërkaq edhe një ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.
Sepse çështja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë çështje e nje dite dhe as vetëm e një apo e disa institucioneve.
Ajo është dhe mbetet çështje e gjithë shoqërisë, sepse siç ka thënë shqiptarja më e madhe në botë, e shenjta Nënë Tereza:
“Të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij”.
LEXONI GJITHASHTU:
Lajme të Sugjeruara
Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur
Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet