Ministria e Jashtme thirrje shtetasve të Kosovës: Shmangni pikat kufitare me Serbinë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.
Në një njoftim në Facebook, MPJD tha se një i “ashtuquajtur ‘Këshill Organizativ për Bllokada’ në Serbi” ka bërë të ditur se më 6 shtator ka ndër mend t’i bllokojë rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Kosovën.
Ajo u kërkoi “të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”.
Ky njoftim vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – duke nxitur edhe kritika nga bashkësia ndërkombëtare.
Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.
Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.
Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.
Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se të mërkurën intervistoi pesë persona të lidhur me këto institucioneve paralele.
Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.
Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve, shkruan REL.
Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh.
LEXONI GJITHASHTU:
Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën
Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë
Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale
- 22:38 Meloni: Udhëheqësit evropianë duhet të forcojnë komponentin evropian të NATO-s
- 22:35 Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale
- 22:33 Karamuço: Është premtuar një dosje për prapavijat e protestës, do bëhet publike
- 22:24 Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit
- 22:09 “Vajza e maskuar që hoqi flamurin izraelit”, Karamuço: E stërvitur, hyri nga Shtëpia me Gjethe…
- 21:50 Fermerët e kastravecit në Elbasan, diferenca mes fermës dhe tregut rrit pakënaqësinë e prodhuesve