Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten

4 Qershor 2026 | 14:46

Qeveria ka miratuar projektligjin “Për censin e bujqësisë”, një proces që synon të regjistrojë në mënyrë të plotë njësitë ekonomike bujqësore në të gjithë territorin e vendit. Nisma prek drejtpërdrejt fermerët, familjet që punojnë tokën, njësitë blegtorale dhe ekonomitë bujqësore që prodhojnë për treg, por edhe ato që prodhojnë vetëm për konsum familjar.

Qëllimi kryesor i censit është krijimi i një panorame të besueshme mbi bujqësinë shqiptare, sektor që vijon të mbajë një peshë të rëndësishme sociale dhe ekonomike, sidomos në zonat rurale. Përmes këtij procesi, INSTAT do të mbledhë të dhëna për tokën bujqësore, kulturat e mbjella, blegtorinë, bletarinë, punësimin në fermë, moshën dhe gjininë e personave të përfshirë në aktivitetet bujqësore.

Projektligji parashikon që censi të mbulojë 98% të sipërfaqes së përdorur për qëllime bujqësore, me përjashtim të kopshtarisë, si dhe 98% të njësive blegtorale në vend. Në regjistrim do të përfshihen njësitë që kanë tokë bujqësore në përdorim apo kryejnë aktivitet bujqësor dhe/ose blegtoral. Pyjet dhe kullotat publike nuk do të jenë pjesë e censit, përveç rasteve kur përdoren drejtpërdrejt nga njësi ekonomike bujqësore për aktivitetin e tyre.

Ky regjistër do të administrohet vetëm nga INSTAT dhe, sipas projektligjit, nuk do të përdoret për krijimin apo përditësimin e regjistrave të tjerë administrativë. Të dhënat e mbledhura do të përdoren vetëm për qëllime statistikore.

Për qytetarët dhe fermerët, pjesa më e prekshme e ligjit lidhet me detyrimin për të dhënë informacion të plotë, korrekt dhe të vërtetë. Drejtuesit e njësive ekonomike bujqësore do të jenë të detyruar t’i përgjigjen pyetësorit të censit. Nëse ata nuk mund ta japin informacionin, këtë mund ta bëjë një anëtar tjetër madhor i familjes apo i njësisë ekonomike, i autorizuar nga drejtuesi.

Rezultatet e censit do të publikohen në nivel kombëtar, vendor dhe në nivele të tjera gjeografike, por vetëm në formë statistikore. Ato do të përfshijnë edhe të dhëna gjinore në bujqësi, me qëllim matjen e rolit të grave dhe burrave në ekonomitë bujqësore. INSTAT do t’ia dërgojë rezultatet Eurostatit brenda 12 muajve nga përfundimi i periudhës së referencës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta në Tiranë hyn në ditën e 41-të, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë hyri këtë të premte në ditën e saj të 41-të ndërsa si çdo pasdite, rreth orës 19:45, ata...
19:48 | 10/07/2026

Digjet një automjet në rrugën drejt Kaninës, dyshohet për defekt teknik

Një automjet është përfshirë nga flakët pasditen e së premtes në rrugën që të çon drejt fshatit Kaninë, në Vlorë. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka...
18:44 | 10/07/2026

Rikonstruktohet aksi Qafë Qelë–Koman, përmirësohet rruga drejt një prej zonave turistike në veri

Segmenti rrugor Qafë Qelë–Koman, me një gjatësi prej 31 kilometrash, është rikonstruktuar, duke përmirësuar aksesin drejt një prej zonave me potencial të lartë turistik në...
17:31 | 10/07/2026