Mirëmëngjes me Luljeta Bozon, inxhinierja që do të hapë punimet e Parlamentit më 10 shtator

6 Shtator 2021 | 09:14

Agimi i çdo dite e gjen duke shëtitur me orë të gjata nëpër rrugët e Tiranës. E kufizuar pak këto kohë nga ora policore e mëngjesit dhe me një hap të shpejtë, jo karakteristik për moshën, Luljeta Bozo nuk ka hequr asnjëherë dorë nga kjo rutinë. Sot do ta njohim 79-vjeçaren mes figurës së zysh Lulit dhe asaj të politikanes Bozo që na ka mirëpritur në shtëpinë e saj.

Ajo është deputetja më e vjetër e kuvendit. Ka kaluar një jetë të tërë mes studentëve dhe kantiereve, por kurrë nuk e kishte parë veten në këtë rol. Këto ditë i ka lënë librat dhe ka studiuar rregulloren e kuvendit.

“Në ethet e fjalimit nuk jam, jam në ethet e procedurave, sepse fjalimin e kam të pjekur në mend që kur doli në media 15 ditë më parë, që Luljeta do të hapë parlamentin. Unë i kam në mendje disa probleme që do t’i bëj të njohura më datë 10, meqë e dekretoi presidenti”, thotë znj. Bozo.

Pavarësisht se i ka hyrë politikës, nuk i ka hyrë në hak kohës që kalon mes librave, studentëve dhe stërnipave.

Kur pranoi t’i hynte rrugës së politikës, e kishte një arsye.

“1 vit të tërë pas tërmetit, kam takuar shumë njerëz që më falenderonin për kontributin që kisha dhënë për t’i qetësuar e përfundonin me fjalën ‘ca njerëz si ty të kemi në drejtim’ dhe aty e vendosa”, tregon ajo.

Numri i votave që morën emrat surprizë në listën e PS-së u diskutua gjatë në publik. Zonja Bozo tregohet e sinqertë kur pohon se as vet s’e priste të merrte ato vota që siguroi.

“Unë asnjëherë nuk prisja të them të drejtën, e mora me shumë qetësi këtë punë, sepse unë kam një profesion shumë të dashur, kam një jetë që nga viti 65’ që jap mësim, kam një dashur të madhe për studentët dhe kërkimin shkencor”, thotë 79-vjeçarja.

Tregohet e kujdesshme për të mos komentuar lënien e mandatit nga Najada Çomo, e dyta në listë pas saj, duke e cilësuar vendim personal për të cilin nuk preferon të flasë.

Emrat e qeverisë së re ishin brenda pritshmërive që kishte.

“Mbi të gjitha është një qeveri që rrallë e gjen në botë, që ka kaq shumë gra ministre. Rama është burrë i mençur në këtë kuptim, që ka kuptuar forcën e gruas dhe ka dalë i suksesshëm që i ka besuar grave”, shprehet znj. Bozo.

Gjatë gjithë karrierës së saj, nuk u ka ikur asnjëherë përgjegjësive, por a do ta pranonte ajo postin e ministres?

“Edhe sikur të më thoshin s’do pranoja asnjë post ministri. Posti i ministrit është me shumë përgjegjësi konkrete me njerëzit, deputetët e kanë në një plan më të gjerë përgjegjësinë, do forcë, do energji fizike. Unë nuk mund të qëndroj në dikastere që kërkojnë kaq shumë energji”, thotë deputetja e zgjedhur e PS.

Bozo thotë se 3 çështjet që do të çojë para në këtë legjislaturë janë përmirësimi i ligjit për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, çështjen e pensionistëve dhe kontrolli i cilësisë së ndërtimeve.

Dhe për këtë është e gatshme të bashkëpunojë edhe me opozitën, cila sipas saj ka elementë të mirë, por duhet të ketë edhe më shumë dhe të bashkëpunojë me qeverinë për zgjidhjen e problemeve.

Po si e shikon Bozo kërkesën e artikuluar tashmë të ndërkombëtarëve për largim nga parlamenti të Sali Berishës?

“SHBA-të që kanë marrë atë vendim kanë pasur arsye shumë të forta, nuk e diskutoj fare, aq më tepër për një person që ka drejtuar për aq vite. Nëse hyn apo jo në parlament kjo varet nga dëshira e personit vet. Atë e ka votuar populli, ndaj nuk ka asnjë që ta pengojë të hyjë në parlament”, thotë znj. Bozo.

Edhe pse qëndrimet e saj për kohën e komunizmit sollën një reagim të madh në publik, Bozo shprehet se nuk ka ndryshuar qëndrim duke përdorur këto argumente.

“Nuk ka sistem që i ka të gjitha gjërat e mira. Ai sistem, e kam thënë dhe nuk heq dorë, ka disa arritje të cilat shumë rrallë ose shumë vështirë mund t’i bëjë një vend si Shqipëria me një ekonomi të shkatërruar nga lufta. Gjithë Shqipëria bregdetare ishte kënete, e gjeti Shqipërinë me një ekonomi as agrare, me 98 për qind analfabetë. Në 1960, çdo 3 shqiptarë 1 ishte në shkollë, i dha një vrull shumë të madh zhvillimit të arsimit që krijon trurin. Bëri elektrifikimin, bëri vepra hidroenergjetike, bëri sistemin e vaditjes shumë modern. Kishte anë negative, që janë mbyllja hermetike, e dyta ishte lufta pa mend e klasave, gabimi i tretë ishte lufta në ekonomi; kur i morën fshatarit çdo gjë, kjo ishte katastrofa”, shpjegon znj. Bozo.

Është tip sportiv dhe me të njëjtin sportivitet pret edhe memet që bëhen për të në rrjetet sociale. Ndërsa për autorët e tyre ka këtë mesazh.

“I kam thënë të gjithëve; u thoni atyre që shkruajnë nëse kanë gjë me Luljetën, telefonin e kanë, e-mail e kanë, takohemi dhe të m’i thonë në sy ato që kanë”, shprehet 79-vjeçarja.

8 dekadat që mban mbi supe ia theksojnë më shumë zakonet e traditës shqiptare kur pret miq në shtëpi. Ndaj edhe nuk u habitëm ndërsa na përcolli deri tek porta jashtë, njësoj si të ishim të afërmit e saj.

 

 

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026