Mjekja Aurora Dollenberg foli nga Gjermania, në një lidhje live në Euronews Albania, lidhur me lajmin se disa shtete evropiane kanë tërhequr Coca-Cola nga tregu për shkak të niveleve të larta të kloratit.
Sipas saj, klorati lidhet me funksionin e tiroides dhe mund të ndikojë në rënien e flokëve.
“Për ne si mjekë, Coca-Cola nuk është një nga produktet që e rekomandojmë për konsum të përditshëm, sidomos tek pacientët që vuajnë nga diabeti. Pijet e sheqerosura, përfshirë Coca-Cola, duhet të konsumohen vetëm në raste të veçanta, për festa, dhe jo si pjesë e rutinës ditore,“ tha Dollenberg.
Sipas saj, lajmi se nivelet e klorateve në Coca-Cola janë shumë të larta ka shkaktuar shqetësim dhe në disa shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, duke detyruar autoritetet lokale të rrisin kontrollet dhe monitorimin mbi procesin e prodhimit.
“Ky shqetësim lidhet ngushtë me burimin e ujit që përdoret në fabrikat e Coca-Cola, pasi uji i përdorur në disa zona ka nivele të larta klorati, që ndikojnë direkt në produkt,“ shpjegoi ajo.
Dollenberg theksoi gjithashtu se, përkundër vërejtjeve të autoriteteve shëndetësore në BE, shumica e konsumatorëve nuk kanë mundur ta perceptojnë këtë problem, pasi klorati është pjesë e gazit të pijes dhe nuk ndikon në shijen e saj.
Në lidhje me ndikimin shëndetësor të konsumit të përhershëm të Coca-Cola, Dollenberg shpjegoi se përdorimi i këtij produkti mund të ketë efekte të dëmshme duke çuar në çrregullime të tiroides.
“Konsumimi i rregullt i kësaj pijeje mund të ulë thithjen e jodit nga organizmi, çka shkakton probleme me tiroiden, dhe për këtë arsye është një faktor risku për shumë sëmundje, sidomos tek gratë që përjetojnë mbipeshë dhe humbje flokësh,“ shtoi ajo.
Kjo çështje ka shkaktuar shqetësim të madh në Gjermani, ku shumë individë konsumojnë Coca-Cola në baza të përditshme.
“Edhe në Gjermani ka persona që përdorin çdo ditë Coca-Colën, e cila, duke u konsumuar në këtë mënyrë, mund të shkaktojë probleme me mbipeshën, diabetin dhe rënien e flokëve te gratë” tha mjekja.
LEXONI GJITHASHTU:
- A ka në Shqipëri Coca-Cola me nivel klorati? Eksperti: Duhet të nisin kontrollet…
- Tërheqja e pijeve Coca-Cola në BE, eksperti shpjegon rrezikun e klorateve