Momente historike në hapësirë, “Artemis II” thyen rekordin e “Apollo 13” për distancën nga Toka
Pasi përshkuan një distancë rekord prej 406,771 kilometrash nga Toka, gjatë së cilës rrethuan Hënën dhe vëzhguan fenomene si eklipsi diellor, astronautët e misionit Artemis II kanë përfunduar fluturimin pranë saj duke shënuar rikthimin e parë të njerëzimit në Hënë që nga misioni i Apollo 17 në vitin 1972 dhe duke kapur imazhe të anës së largët të saj.
Ata janë në rrugën e kthimit dhe pritet që pas katër ditësh, të ulen në Oqeanin Paqësor pranë bregut perëndimor të SHBA-së pikërisht në mbrëmjen e 10 prillit sipas kohës amerikane (herët në mëngjes të 11 prillit sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar).
Redaktori i Sky News për shkencën dhe teknologjinë, Tom Clarke, shkoi në Kontrollin e Misionit në Hjuston, aty ku atmosfera mes stafit të NASA është shumë e ngarkuar, pasi misioni Artemis II përfundoi fluturimin e tij pranë Hënës.
“Është një ditë kaq e jashtëzakonshme këtu… ka qenë mjaft e jashtëzakonshme të shohësh kaq shumë raste të para”, thotë ai.
Astronautët në bordin e Orion kanë vendosur rekordin për largësinë më të madhe që njerëzit kanë udhëtuar ndonjëherë nga Toka dhe janë bërë të parët që kanë dëshmuar një eklips diellor nga hapësira.
Megjithatë, Clarke thekson se është ende herët për ta cilësuar këtë mision si plotësisht të suksesshëm.
Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, së bashku me astronautin e CSA-së (Agjencia Hapësinore Kanadeze) Jeremy Hansen, thyen rekordin për udhëtimin më të largët që njerëzit kanë bërë ndonjëherë në hapësirë rreth orës 19:00 sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 248,866 miljesh të vendosur nga Apollo 13 në vitin 1970. Rreth një orë më vonë, ekuipazhi nisi fluturimin rreth Hënës dhe filloi vëzhgimet hënore.
Pak para mesnatës, NASA humbi komunikimin me Orionin për rreth 40 minuta, ndërsa ai kalonte pas Hënës, moment gjatë të cilit kapsula vendosi edhe rekordin për distancën më të madhe të përshkuar ndonjëherë nga njerëzit nga Toka (252,756 milje).
Rreth orës 02:00, ekuipazhi dëshmoi një eklips diellor “të papërshkrueshëm” — duke u bërë njerëzit e parë që përjetojnë një fenomen të tillë nga hapësira, sipas NASA-s.
Pas orësh të tëra vëzhgimesh, ekuipazhi mori një telefonatë nga Donald Trump, i cili i përshëndeti astronautët si “pionierë të ditëve moderne” dhe i ftoi në Shtëpia e Bardhë.
Orioni nuk ishte në gjendje të komunikonte me Tokën për 40 minuta gjatë natës, ndërsa lëvizte në anën e largët të Hënës.
Kur komunikimet u rivendosën, Christina Koch theu heshtjen.
Ja deklarata e saj e plotë:
“Hjuston, Integrity, kontroll komunikimi. Është shumë mirë të dëgjojmë përsëri nga Toka.
Për Azinë, Afrikën dhe oqeanet, ne po ju shikojmë. E dimë se edhe ju mund të shikoni lart dhe të shihni Hënën tani. Edhe ne ju shohim.
Kur e nisëm këtë mision drejt Hënës, thashë se nuk e lëmë Tokën, por e zgjedhim atë – dhe kjo është e vërtetë.
Ne do të eksplorojmë, do të ndërtojmë, do të krijojmë anije dhe do të rikthehemi. Do të ndërtojmë pika të avancuara shkencore. Do të përdorim roverë, do të bëjmë radioastronomi, do të krijojmë kompani dhe do të forcojmë industrinë.
Ne do të frymëzojmë, por në fund gjithmonë do të zgjedhim Tokën.
Ne gjithmonë do të zgjedhim njëri-tjetrin.”
Gjatë natës së së hënës, katër astronautët zhvilluan një bisedë me Donald Trump, i cili i cilësoi ata si “pionierë të ditëve moderne”.
Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi më pas se ekuipazhi “përfaqëson më të mirën prej nesh”.
Ai tha: “Ka disa miliardë njerëz në Tokë që janë jashtëzakonisht të entuziazmuar duke parë imazhet që keni dërguar.
Në emër të NASA-s dhe të gjithë atyre që e duan hapësirën në mbarë botën, faleminderit që na morët me vete në Hënë.
Faleminderit për guximin tuaj dhe për fjalët që kemi dëgjuar. Ju përfaqësoni më të mirën prej nesh. Jemi krenarë për ju dhe mezi presim t’ju mirëpresim sërish shëndoshë e mirë në Tokë shumë shpejt. Paç fat, Artemis II.”
I pyetur se çfarë kishte mësuar ekuipazhi nga misioni, Victor Glover tha se ata kanë shumë për t’i përcjellë ekuipazhit të Artemis III, i planifikuar të nisë vitin e ardhshëm.
“Pothuajse kemi një libër për t’u dhënë atyre”, tha Glover, duke shtuar: “Mënyra se si paketoni valixhet ka një ndikim të madh në mënyrën se si jetoni gjatë misionit”.
Ndërkohë, Reid Wiseman tregoi se ekuipazhi shijoi një moment të shkurtër pushimi gjatë ndërprerjes së komunikimit.
“U mblodhëm për rreth 30 sekonda. Secili prej nesh hëngri nga një biskotë me krem panje dhe më pas iu rikthyem punës shkencore”, tha ai.
Në përfundim të bisedës, Donald Trump premtoi se do t’i presë astronautët në Shtëpinë e Bardhë pas kthimit nga misioni.
Ai tha se do t’u kërkojë autografe, duke shtuar se kjo është diçka që “nuk e bën shpesh”, por “ju e meritoni këtë”.
“Do t’ju përshëndes me gjithë zemër”, tha Trump, përpara se të shtonte: “Do të shihemi në Zyrën Ovale”.



Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta