Studiuesi: Familja e Goxhajt iu përkushtua Kosovës, politika jonë nuk vlerëson kontributet

23 Qershor 2026 | 22:34

I ftuar në një lidhje live në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, studiuesi Auron Tare shpjegoi se pse i ka dalë në mbrojtje ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, pas reagimeve menjëherë pasi ai lexoi pesë kërkesat e protestuesve. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, por edhe eksponentë të Partisë Socialiste, e kanë kritikuar ashpër atë, duke e akuzuar për qëndrime pro-iraniane dhe duke risjellë në vëmendje episode të ndryshme nga e kaluara e tij.

Duke komentuar këtë debat, Tare tha se nuk ka miqësi personale me Goxhajn dhe se e ka takuar vetëm një herë në jetën e tij megjithatë, ai theksoi se njeh historinë e familjes së tij dhe vlerëson kontributin që, sipas tij, ajo ka dhënë për çështjen e Kosovës.

Sipas studiuesit, jo vetëm Dritan Goxhaj, por edhe babai, nëna dhe motra e tij kanë qenë të përfshirë dhe të angazhuar për kauzën e Kosovës. Tare kritikoi klasën politike shqiptare, duke e akuzuar se shpesh nuk di të vlerësojë njerëzit që kanë sakrifikuar apo kanë kontribuar për interesa kombëtare.

Sipas Tares, sulmet ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së për faktin se mori fjalën në protestë janë të padrejta dhe përbëjnë një “autogol” politik për ata që i ndërmarrin.

“Shiko, do t’ju them që zoti Rama është një mjeshtër i debatit publik dhe për vite me radhë kur nuk ishte në këtë pozicion kishte një penë të jashtëzakonshme në këto debate që bënte. Tani këto i ka kthyer në rolin e një drejtuesi të lartë për të shmangur vëmendjen në çështjen kryesore, për të shmangur pesë pikat. Merret me Dritan Goxhajn. Unë Dritanin vetëm një herë kam takuar, s’kam shoqëri me të, por atë që di për Dritanin dhe babai i tij që ka qenë pedagog në Shkollën e Bashkuar, ku unë kam mbaruar studimet, të dy bashkë si rrallëherë edhe nëna e tij dhe motra e tij kanë qenë në Kosovë dhe kanë qenë të dedikuar për çështjen e Kosovës. Pas këtij angazhimi të madh, të dy nuk janë parë mirë si nga qeveritë socialiste ashtu edhe nga ato demokratike dhe mua më ka irrituar fakti që politika shqiptare për njerëzit që sakrifikojnë dhe i japin vendit, në përgjithësi sillet keq. Marr shkas çfarë bën Greqia për Belerin, që është shqiptar dhe mbështet Greqinë, ndërsa shohim Dritanin, të cilin unë e marr si shembull se sa jo korrekte është politika jonë ndaj figurave të njerëzve që kanë kontribuar sado pak për çështjen. Për këtë arsye reagova dhe më vjen shumë keq që kryeministri dhe njerëz të tjerë, ministra, publikojnë gjëra të pavërteta për Goxhajn dhe mendoj që është autogol i madh për ta, pasi ai njihet shumë mirë nga njerëz që janë përfshirë në ngjarjet e Kosovës. Nuk mendoj që është e drejtë të sulmohet një njeri se pse doli për të folur, aq më tepër kur ka kontribuar për çështjen e Kosovës”, tha Tare.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesit vendosin shirita “skenë krimi” dhe një sirenë policie para Kryeministrisë

Në ditën e 24-t të protestës, disa pjesëmarrës kanë vendosur shirita të skenës së krimit dhe një sirenë policie përpara godinës së Kryeministrisë. Protestuesit dëgjohen...
22:02 | 23/06/2026

Dita e 24-të e protestës, qytetarët nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Pasi qëndruan për rreth dy orë para Kryeministrisë në ditën e 24-të të protestës, ku disa prej tyre mbajtën fjalime, protestuesit nisën më pas marshimin...
21:53 | 23/06/2026

Ronaldo shkëlqen me dopietë dhe hyn në historinë e Botërorëve, Portugalia mund 5-0 Uzbekistanin

Portugalia ka lënë pas zhgënjimin kundër Kongos, duke siguruar 3 pikët e para në këtë Botëror falë fitores së thellë 5-0 kundër Uzbekistanit. Në Houston,...
21:26 | 23/06/2026