Në vitin 2023, siti arkeologjik i kalasë “Rozafa” në Shkodër vendosi një numër rekord turistësh, me 125 mijë të tillë, duke u kthyer në sitin arkeologjik më të frekuentuar në të gjithë vendin.
Por pavarësisht kësaj dhe shifrës së lartë të të ardhurave të grumbulluara që i shkuan Ministrisë së Kulturës, sërisht shërbimet lënë shumë për të dëshiruar në këtë sit arkeologjik.
Aktualisht në momentet që flasim, ndonëse fluksi i turistëve është me i ulët, në kalanë “Rozafa” nuk mund të gjesh asnjë tualet për të kryer nevojat personale.
Mijëra turistë që vizituan kalanë vitin e kaluar, u hasën me këtë problematike dhe e vetmja pikë që ofronte shërbime bazike atje, ishte një bar i cili e ofronte shërbimin me pagesë ndërsa në këtë periudhë të vitit porta e barit është e kyçur.
Në dy muajt e para të vitit, kalanë Rozafa e vizituan 7146 turistë, mbi 3 mijë me shumë se një vit më parë të cilëve pavarësisht se kalaja i magjepsi, nuk morën asnjë shërbim.
Milioja Pajoviç nga Beogradi ka ardhur me shokët e tij për të vizituar kalanë . Mungesa e shërbimeve në këtë sit arkeologjik nuk u duket aspak normale.
“Është hera e parë që vij në Shkodër dhe në kalanë “Rozafa”. Më pëlqen shumë sepse është një objekt shumë i madh dhe ka një histori të jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë ama njerëzit që kujdesen për këtë vend mund të bënin shumë tepër për të përmirësuar shërbimet. Këtu ka shumë hapësira për të vendosur restorante të vogla me pamje nga lumi. Gjithashtu ka shumë nevojë për tualete. Por padyshim që do vij përsëri në Shkodër dhe do tua rekomandoj edhe të tjerëve”, tha turisti Milioja Pajoviç.
Vitin e kaluar 125 mijë turistë paguan biletë në kalanë “Rozafa” ndërsa u grumbulluan 220 milionë lekë, por asnjë investim nuk u nis për përmirësimin e shërbimeve. Nëse situata vijon të jetë e tillë edhe në muajt e kulmit të vizitueshmërisë, kalaja do kthehet në një burim sëmundjesh për turistët.
LEXONI GJITHASHTU:
- Bie nga Kalaja e Rozafës, humb jetën turisti slloven
- Shkodra e preferuara e turistëve, Kalaja ‘Rozafa’ më e vizituara