Ndalimi i edukimit të vajzave afgane rezulton me martesa të hershme

14 Qershor 2024 | 08:06

Amina ka qenë në klasën e shtatë kur talibanët e kanë marrë pushtetin në Afganistan, më 2021.

Pak pas marrjes së pushtetit, militantët ua kanë ndaluar adoleshenteve shkuarjen në shkollë, duke shuar ëndrrat e 14-vjeçareve për përfundim të shkollimit.

Disa muaj më vonë, familja e Aminas, që jeton në provincën qendrore Maidan Vardak, e ka detyruar atë të martohet me një burrë 37-vjeçar.

Amina, emri i së cilës është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin, ka thënë se është “traumatizuar dhe sëmurë” kur ka marrë vesh për planet e familjes.

“Familja ime është përballur me vështirësi financiare, pas marrjes së pushtetit prej talibanëve”, ka thënë Amina, tashmë 16-vjeçare, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Burri i Aminas ia ka paguar familjes së nuses një shumë parash – traditë në Afghanistan – në vlerë të 12.000 dollarëve.

Shuma të tilla parash janë bërë shpesh shkas që prindërit t’i martojnë vajzat e tyre në mosha të hershme.

Amina është në mesin e mijëra vajzave të mitura që janë detyruar të martohen, prej rënies së Qeverisë afgane të përkrahur prej Perëndimit, në gusht të vitit 2021.

Aktivistët kanë thënë se ndalesa e talibanëve në fushën e edukimit ka kontribuuar në rritje të numrit të martesave me vajza të mitura. Sipas tyre, kriza e rëndë humanitare dhe mungesa e perspektivës profesionale, apo edukative, e ka rritur edhe më shumë këtë shifër.

Mursal ka qenë 15-vjeçare kur familja e saj e ka detyruar të fejohet me një burrë më të madh në moshë.

“Nuk kam pasur zgjidhje sepse familja ime më ka thënë që në mungesë të edukimit, mundësi të vetme e kam martesën”, ka thënë Mursal, tani 17-vjeçare.

Mursal, emri i së cilës, po ashtu, është ndryshuar për t’ia mbrojtur identitetin, ka thënë se e ka pasur ëndërr të bëhet doktoreshë.

Për disa familje, fakti që i martojnë vajzat ua ofron një lloj sigurie: më pak persona për të ushqyer, në kohën kur shteti po përballet me krizë humanitare dhe vështirësi të mëdha ekonomike.

Disa prindër i kanë martuar vajzat adoleshente për të shmangur martesat e detyrueshme me luftëtarët talibanë.

Mirëpo aktivistët kanë thënë se vendimi i talibanëve, i shtatorit të vitit 2021, për t’ua ndaluar shkollimin miliona vajzave pas klasës së gjatë, ka ndihmuar në rritje të shkallës së martesave.

Më 13 qershor bëhen 1.000 ditë prej kur talibanët e kanë vendosur ndalesën, çka ka nxitur dënim ndërkombëtar dhe protesta brenda Afganistanit.

Përgjatë gati tre vjetëve në pushtet, grupi militant ka kufizuar të drejtat e grave dhe vajzave: ua ka ndryshuar veshjen në publik, lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për të punuar dhe studiuar.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë [UN Women], numri i martesave të të miturve është rritur për gati 25 për qind prej marrjes së pushtetit nga talibanët.

“Kjo është e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme për të ardhmen e Afganistanit”, ka thënë Shaharzad Akbar, aktiviste për të drejtat e grave, e cila më parë ka udhëhequr Komisionin e pavarur afgan për të drejta të njeriut.

Akbar, që tani udhëheq organizatën e pavarur Rawadari, ka thënë se hulumtimi ka vënë në pah ndikimin jashtëzakonisht të keq të talibanëve në edukimin e vajzave adoleshente afgane.

“Në të ardhmen, ne nuk do të kemi studente në universitet”, ka thënë ajo, shkruan REL.

“Nuk do të ketë gra në sektorin e shëndetësisë apo gra tjera që tjera me kualifikimet e duhura”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

11 të vdekur nga përmbytjet masive në Pakistan

Njëmbëdhjetë persona humbën jetën gjatë natës në distriktin Kohat në Pakistanin veriperëndimor, pasi çatia e një shtëpie u shemb për shkak të shirave të rrëmbyeshëm,...
13:03 | 14/07/2026

SHBA heton dronët iranianë në Kubë, Trump: Do ndërmarrim veprime!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se administrata amerikane po heton pretendimet se Irani mund të ketë vendosur dronë në Kubë. Duke...
11:01 | 14/07/2026

Numri i viktimave nga zjarri në Bangkok rritet në 30

Numri i të vdekurve nga zjarri në një pub të mbushur me njerëz në kryeqytetin tajlandez Bangkok u rrit në 30 të martën, sipas zyrtarëve...
10:24 | 14/07/2026