Ndarja e mandateve në Tiranë, analistët diskutojnë çfarë pritet të ndodhë më 25 prill
Sondazhi i tretë kombëtar i MRB-së për Euronews Albania në bashkëpunim me Kompania MRB analizoi të dhënat duke parashikuar se nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme shumicën e mandateve në kryeqytet do të mund ta merrnin socialistët.
Drejtuesi i emisionit “Me pak fjalë” në Euronews Albania Neritan Sejamini tha se rritja e mandateve për PS shpjegohet me sistemin e ri, që sipas tij favorizon partinë e madhe.
Rritja e PS sipas tij, lidhet edhe me faktin që partitë e vogla janë të fragmentarizuara duke mos marrë asnjë mandat në Tiranë, çka bën që votat e tyre të shkojnë për partinë më të madhe, që është PS.
“Ky është ndikimi i madh i partive të vogla që favorizojnë PS, pasi ato janë të fragmentarizuara, çka bën që PS të marrë më shumë se vota popullore. Ky është sistemi. Kjo shpjegon pse Rama e ndryshoi sistemin në momentin e fundit për të përfituar. Nëse do kishim që opozitë që mund të grumbullonte votat, do të kishim të paktën barazim”, tha Sejamini.
Në ndarjen e mandateve për Qarkun e Tiranës, Ylli Manjani thotë se gjithë beteja bëhet për një mandat të diskutueshëm. Sipas tij nëse këtë mandat e merr opozita, atëherë ndarja e mandateve do të jetë e barabartë.
“E gjithë lufta bëhet për një mandat. Në llogarinë sipas prirjes për Qarkun e Tiranës, llogari që del është PS 18 mandate, PD 15 dhe LSI 2 dhe e gjithë lufta është kush merr 3.1% dhe nëse e merr opozita kemi rezultat të barabartë 18 me 18”, deklaroi ish-ministri i Drejtësisë.
Ndërsa për Jonila Godole, drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë një pjesëmarrje e lartë do të favorizonte opozitën.
“Nëse do të jetë në gjendje opozita e bashkuar për të krijuar frymë ose për të përfituar nga ngjarjet që mund të dalin skandalet, videot apo regjistrimet që të gjitha palët thonë se kanë për njëra-tjetrën. Do të jetë një luftë e ashpër. Nëse do të kishte dhunë do të ndikonte në pjesëmarrje në zgjedhje dhe nga kjo favorizohet partia në pushtet”, u shpreh znj. Godole.
Pedagogia e njohur, Iris Luarasi lidhur me shpërndarjen e mandateve në qarkun e Tiranës pohon se nëse opozita nuk do ishte e ndarë në dy lista, atëherë ajo do arrinte të maksimalizonte votën e saj.
“Ne e kemi thënë se përpara se të ndodhte veprime nëse do shkonin një koalicion apo si dy lista më vete, që gjithmonë kjo ka qenë prirja që po të bashkoheshin bashkë pa diskutim do ta maksimalizonin shumë më tepër, por nga ana tjetër flet edhe për problemet që ekzistojnë brenda dy…nuk do thoja kampe, se nuk do i quaja kampe, por dy poleve të vetë opozitës”, tha ajo.
Për njohësin e çështjeve zgjedhore, Blendi Çeka qarku i Tiranës manifeston qëndrueshmëri në numrin e mandateve. Ai thekson se po nuk ndryshoi Tirana, fitorja e opozitës më 25 prill është vështirë të ndodhë.
“Edhe në 2017, kishim këtë raport dhe Tirana vjen e ekuilibruar si qark. Në rast se nuk ndryshon Tirana, e kam shumë vështirë të pres mesazh ndryshimi nga pjesa tjetër e Shqipërisë për shkak të influencën që ka kryeqyteti në të gjithë Shqipërinë. Unë e kam të vështirë ta imagjinoj opozitën fituese të zgjedhje pa reflektuar Tirana”, tha ai.
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku thotë se avantazhi në Tiranë tregon se fryma e fitores do jetë e shtrirë në të gjithë Shqipërinë.
“Pasja e një avantazhi në Tiranë reflektohet në mënyrë propocionale në të gjithë Shqipërinë dhe ky është një tregues për një fitore më të madhe të PS se në 2017”, tha ai.
Nikollë Lesi: Ja pse po të isha gjyqtar do ia jepja PD-në Berishës
Balina Bodinaku: Militantët nuk zhgënjehen kurrë nga një lider autoritar pasi kanë një raport idealizimi
Manjani: Maksimumi që mund të bëjë Basha është ndonjë LSI brenda PD. Ka çuar në Kuvend ligje fashiste
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta