English

Ndërtimet në Durrës, sa janë rritur çmimet e apartamenteve 5 vite pas tërmetit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Pas pesë vitesh nga tërmeti që goditi Durrësin, ndërtimet në qytetin bregdetar kanë marrë hov të madh, duke sjellë një rritje të ndjeshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme.

- Advertisement -

Interesi gjithnjë e në rritje për një shtëpi buzë detit, kryesisht nga të huajt, është një tjetër faktor që ka kontribuar në rritjen e çmimit për metër katror.

“Tregu imobiliar në qytetin e Durrësit dhe zonat bregdetare përreth kanë pësuar një rritje të dukshme vitet e fundit. Interesi i shtuar i të huajve dhe emigrantëve shqiptarë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të apartamenteve, veçanërisht të atyre me pamje nga deti”, thotë gazetarja e Euronews Albania në Durrës.

Bregdeti i Durrësit po kalon një periudhë të shpejtë zhvillimi, ku numri i madh i ndërtimeve ka sjellë një rritje të çmimeve. Gjatë tre viteve të fundit, apartamentet me pamje nga deti janë shtrenjtuar deri në 300%. Golemi, Mali i Robit dhe Qerreti janë bërë kantierë të mëdha ndërtimi.

“Ka pasur një rritje të frikshme. Para 3 vitesh mund të gjeje një apartament me 700 euro për metër katror me pamje nga deti, ndërsa sot ky çmim është 2000 euro për metër katror. Për 3 vite, kemi pasur një rritje prej 300% të çmimeve të këtyre apartamenteve. Emigrantët shqiptarë, që jetojnë prej vitesh jashtë, janë kryesisht të interesuar për blerjen e apartamenteve afër plazhit. Rritja e turizmit ka bërë që shumë njerëz të mendojnë për investime afatgjata, duke përdorur apartamentet me agjenci gjatë pjesës më të madhe të vitit, dhe jo vetëm gjatë disa javëve të pushimeve”, thotë Florian Tahiri, ekspert i pasurive të paluajtshme.

Për shkak të këtij zhvillimi të shpejtë, Durrësi po shndërrohet në një atraksion të madh turistik, duke tërhequr investime të huaja. Kjo ka sjellë vështirësi për qytetarët e zakonshëm që dëshirojnë të sigurojnë një shtëpi pranë detit.

“Tani këtu në Durrës, për një çift të ri është shumë e vështirë të blesh një apartament, sepse edhe pagat janë të ulëta, çmimet janë rritur pa masë dhe qiratë janë gjithashtu më të larta. Prandaj është shumë e vështirë.”

“Ta blesh është shumë e vështirë. Duhet të punosh shumë vite, dhe këtu nuk mund ta blesh dot një shtëpi. Edhe fëmijët punojnë, por çfarë do të marrin, asgjë.”

“E kam blerë tani, me kredi. Kam marrë kredi në bankë dhe kam marrë shtëpi, 20 vite me qira”. thonë qytetarët.

Kur kanë kaluar më shumë se 5 vite nga tërmeti që goditi Durrësin, duket se ndërtimet kanë lulëzuar qytetin bregdetar, i cili vazhdon të ketë kërkesa të larta për blerjen e apartamenteve, kryesisht nga të huajt.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?