Shërbimet e Policisë Kufitare në Aeroportin e Rinasit kanë ndaluar dy shtetas turq të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe një shtetas shqiptar të dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet homologe në Turqi dhe Gjermani, u arrestuan:
Burak Kara, 38 vjeç, i ndaluar në hyrje të Shqipërisë. Ai është dënuar nga Gjykata e Mesinit në Turqi me 8 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”. Nga dënimi, Kara ka për të vuajtur edhe 4 vjet, 6 muaj e 21 ditë burgim.
Metehan Tutungu, 25 vjeç, i ndaluar në dalje të Shqipërisë. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Aschaffenburg në Gjermani me 6 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Gjithashtu, në hyrje të Shqipërisë, u arrestua edhe shtetasi shqiptar Orgen (Mariglen) Bushpreni, 40 vjeç, banues në Laç. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Policia Kufitare e Rinasit vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit për dy shtetasit turq, ndërsa Bushpreni do të dërgohet për ekzekutimin e dënimit të tij në Shqipëri.