Sipërfaqja e mbuluar nga uji në zonën e Nënshkodrës, është tkurrur në 1585 hektarë, por sërish problematike mbetet zona e Obotit, ku rruga është e kalueshme vetëm për automjetet e larta. Në fshatin Dajç me qindra hektarë tokë bujqësore vazhdojnë të jenë nën pushtetin e ujit.
Prefektja Majlinda Angoni u shpreh se situata është e menaxhueshme .
“Situata në Liqenin e Shkodrës kishte rënie, dhe këto erërat shpresojmë të ndikojnë pozitivisht. Me banorët janë marrë të gjitha masat, është vënë në dispozicion që nga dita e djeshme kamioni që lëviz për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo lloj emergjence”, tha znj. Angoni.
Benet Beci administrator i KESH u shpreh optimist për situatën pavarësisht, kaskada e Drinit është përballur me një nivel rekord prurjesh.
Beci theksoi se përmbytja e Nënshkodrës, nuk ka ardhur nga shkarkimet e Hidrocentralit të Vau të Dejës, por nga prurjet në lumenj dhe liqene.
“Shkarkimet nga Vau i Dejës janë krejt minimale, janë shkarkime për punën e turbinave pasi po bëjmë prodhim maskimal, ndërsa në Fierzë nuk po prodhojmë pasi po mbajmë kuotat për rezervat për më tej. Pjesa e Obotit nuk ka lidhje me shkarkimet”, tha Beci.
Beci shtoi se po kryhen shkarkime të kontrolluara për të krijuar rezerva për ditët e ardhshme, ku pritet të ketë sërish rritje të prurjeve.
Më herët në zonën Obotit i pranishëm ishte dhe ministri i mbrojtjes Niko Peleshi, i cili pa nga afër situatën.
Lexoni gjithashtu:
Shira të dendur në vend, Euronews Albania ndjek situatën në veri dhe jug