“Një shok i veçantë”, Kornelia dhe historia e shpëtimit të Brunos
Kornelia Kokona është e përkushtuar ndaj kujdesit dhe mirëqenies së kafshëve, me përvojë praktike dhe trajnim profesional është angazhuar prej fëmijërisë në shpëtimin dhe rehabilitimin e tyre.
“Bruno ishte diçka krejt e papritur për ne. Një natë, duke kaluar në fshat këtu në Lundër, ku jetojmë, pamë diçka në errësirë që dukej e trishtuar, sikur ishte në depresion. Hapa dritat e gjata të makinës dhe aty pashë një gomar që dukej sikur ishte “i fikur”, shumë i mërzitur. Zbrita nga makina dhe gjëja e parë që vura re ishte se ishte pa litar dhe pa asnjë tag në vesh. Pyeta rreth e qark, por ishte shumë vonë, ora 22:30, dhe askush nuk e njihte. I bëra disa foto dhe ia dërgova burrit tim, i cili më tha menjëherë: “E marrim”.
Që e vogël kam pasur shumë qejf kafshën e gomarit dhe e barazoj me qenin. E dua shumë, sepse është një kafshë që abuzohet shpesh, ngarkohet për punë dhe nuk vlerësohet për atë që është. Gomari ka një natyrë shumë të qetë dhe përdoret edhe në qendra terapeutike, shkon në qendra për të moshuar.
Gomari është një kafshë shumë e qetë. Ndryshe nga qeni që e përkëdhel, gomarit thjesht i vendos dorën dhe ai ta transmeton energjinë e tij. Kur jam me Brunon, është sikur “fikem” dhe kaloj në një botë tjetër.
Kisha prej kohësh emrin “Bruno” dhe doja t’ia vendosja një qeni, por kur e pashë këtë gomar, emri më erdhi menjëherë në mendje. Ai është fiks si një Bruno dhe më pëlqeu shumë që ta pagëzoja me këtë emër.
Me shaka e quaj “çuni”, por Bruno është familje për mua. I kemi ndërtuar një shtëpi, ka oborrin e vet dhe nuk ngarkohet me punë. Ai është në pension tani, vetëm për qejf.
Sipas dhëmbëve që kemi parë bashkë me veterinerin që ndjek Brunon, ai është rreth 10–15 vjeç. Gomari jeton deri në 30–40 vjet”, tregon ajo.
Ju keni studiuar për mjekësi veterinare?
Unë gjithmonë kam pasur dëshirë të merresha me kafshët, por doja të ndihesha e përgjegjshme për kujdesin e tyre — jo vetëm t’i ushqeja, por edhe t’i shëtisja dhe t’i mjekoja. Doja që të ishin mirë edhe nga ana shëndetësore.
Pas postimit që bëra për Brunon, mendova se do kishte njerëz që do thoshin: “Ç’do gomarin, pse e ke marrë? Është mirë në rrugë, ha vetë dhe nuk ka nevojë për njerëz.” Por mora vetëm komente shumë pozitive dhe nuk pashë asnjë koment negativ.
U habita, sepse njerëzit këto vite kanë ndryshuar shumë në mendim dhe mentalitet.
I hapa një faqe në Instagram, “Bruno the Gentle Giant”, sepse dua që ai të përfaqësojë të gjithë gomarët në Shqipëri. Dua që shqiptarët të shohin anën tjetër të kësaj kafshe dhe mënyrën se si duhet të mbahet. Bruno do të jetë ambasador i kafshëve të fermës.
Ka shpenzime, por janë të papërfillshme krahasuar me qetësinë dhe dashurinë që të jep. Ai ha misër, fruta si portokall, mollë, banane (bananen nuk e ka shumë qejf), ha edhe karrota, por me masë, sepse gomarët kanë predispozitë për diabet.
Ju jeni trajnuese për qen?
Unë që e vogël jam kujdesur për qentë e rrugës. Unë dhe partneri im jemi trajnuar nga trajnerë amerikanë. Ne merremi me të gjitha racat dhe moshat. Problemi më i madh janë familjarët, sepse shpesh nuk kanë shumë kohë të merren me ta.
Kjo është Morena. E kemi gjetur në Durrës dhe Morena është shumë e ngjashme me qenin tonë, Dea
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania