Nju Jork, mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj Trump

26 Prill 2024 | 08:31

David Pecker, ish-botues i tabloidit ‘National Enquirer’, dëshmoi të enjten në gjyqin penal ndaj ish Presidentit Donald Trump në Nju Jork, se kandidati i atëhershëm për president i kishte lënë përshtypjen se e njihte një modele të revistës Playboy që po përpiqej të shiste të drejtën e historisë së saj lidhur me pretendimet për një lidhje intime me Trump.

Gjatë një bisede në vitin 2016, Trump e përshkroi Karen McDougal si “një vajzë të bukur”, dëshmoi zoti Pecker të enjten. Ai tha se kjo e bëri atë të besonte se Trump “e dinte se kush ishte ajo” edhe pse ai e ka mohuar të ketë pasur marrëdhënie intime me të, shkruan VOA.

Përfundimisht, tha Pecker, me nxitjen e avokatit të Trump, Michael Cohen, tabloidi i tij e pagoi McDougal 150,000 dollarë për të blerë të drejtat e historisë së saj.

Pecker e quajti pagesën për aktoren McDougal “një blerje shumë, shumë e madhe”, por tha se ai nuk kishte ndërmend ta publikonte pretendimin e saj për një lidhje me Trump, një praktikë që tabloidi e cilësonte si ‘kapje dhe asgjësim’.

Praktika ka të bëjë me blerjen ekskluzive të informacioneve negative për individët e famshëm dhe më pas refuzimin e publikimit të lajmeve të turpshme nga jeta e tyre.

Një mik i vjetër i Trump, Pecker i tha jurisë prej 12 anëtarësh se “nuk donte që historia (pretendimi i McDougal) ta turpëronte ose dëmtonte kandidaturën e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Më herët gjatë javës, Pecker dëshmoi se ai kishte rënë dakord në një takim të vitit 2015 për ta ndihmuar fushatën e tij presidenciale duke publikuar histori të favorshme për Trump dhe duke mbajtur një sy hapur për gratë që përpiqen të shesin histori për takimet e tyre me Trump apo histori të tjera negative. Prokurorët e kanë quajtur “sesion konspiracioni” takimin në fjalë në kullën Trump.

Prokuroria argumenton se marrëveshja mes zotërinjve Pecker, Trump dhe Cohen ishte pjesë e një komploti për të bllokuar votuesit që të mësonin të dhëna të turpshme mbi Trump.

Blerja e informacioneve denigruese dhe mospublikimi i tyre nuk është një praktikë normale në gazetarinë amerikane. Pecker tha se avokati Cohen i kishte thënë se Trump do ta rimbursonte atë për 150,000 dollarët e paguara zonjës McDougal, gjë që ai nuk e bëri kurrë.

Më herët gjatë javës, Pecker tha se edhe përpara bisedës në lidhje me blerjen e të drejtave të historisë nga McDougal, ai i kishte paguar 30,000 dollarë një punonjësi në kullën Trump në Nju Jork për të asgjësuar një lajm të rremë se Trump kishte një fëmijë jashtë martese.

Ky është gjyqi i parë penal ndaj të një ish-presidenti amerikan. Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë tjetër, 130,000 dollarë për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels, lidhur me zërat për një lidhje jashtëmartesore me të.

Sipas aktakuzës, synimi ishte blerja e heshtjes në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Ajo pretendon për një natë intime me Trump një dekadë më parë. Ish-presidenti Trump e ka hedhur poshtë pretendimin e saj si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA-ja këmbëngl se Irani “nuk e kontrollon” Ngushticën e Hormuzit

Komanda Qendrore e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) përsëriti qëndrimin amerikan se Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore ndërkombëtare të cilën Irani nuk...
08:24 | 10/07/2026

8 persona akuzohen për planifikimin e sulmit me dron dhe snajper në Shtëpinë e Bardhë

Tetë burra u paditën të enjten për akuza për vrasje dhe konspiracion me terrorizëm për rolet e tyre të dyshuara në një sulm të penguar...
08:18 | 10/07/2026

Rusia rrëzon 376 dronë ukrainas, rafineria e naftës ‘Ilsky’ përfshihet nga flakët

Rafineria e naftës Ilsky në Rusi në rajonin jugor të Krasnodarit u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron, ndërsa autoritetet në qytetin e...
08:07 | 10/07/2026