“Nuk tërhiqemi asnjë hap përballë krimit”, Hita viziton efektivin e plagosur në Maliq në Spitalin e Traumës

16 Qershor 2026 | 15:56

 Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vizitoi këtë të martë në Spitalin Universitar të Traumës efektivin Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë një operacioni të rrezikshëm policor më 4 qershor në zonën e Malit Boden, në Maliq.

Gjatë operacionit për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë, humbi jetën në krye të detyrës punonjësi i Policisë Enea Mekolli, i shpallur tashmë Dëshmor i Atdheut.

I shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, kreu i Policisë u interesua për gjendjen shëndetësore të efektivit të plagosur dhe i uroi atij rikuperim sa më të shpejtë.

“Nuk do të tërhiqemi asnjë hap përballë krimit. Do të vazhdojmë të jemi në vijën e parë, me vendosmëri, profesionalizëm dhe dinjitet, për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Hita gjatë vizitës.

Ai vlerësoi guximin dhe përkushtimin e Edison Adrit gjatë përballjes me rrezikun, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të mbështesë punonjësit e saj në çdo sfidë.

“Humbja e kolegut tonë Enea Mekolli është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen e Policisë së Shtetit. Fatmirësisht, Edisoni i mbijetoi sulmit me armë dhe sot është mes nesh, duke na dhënë forcë dhe shpresë”, u shpreh drejtori i Policisë.

Nga ana e tij, efektivi Edison Adri falënderoi drejtuesit e Policisë, Ministrinë e Brendshme dhe stafin mjekësor për mbështetjen dhe kujdesin e treguar gjatë periudhës së trajtimit.

“Jemi të gjithë bashkë në luftën kundër krimit dhe në shërbim të qytetarëve. Interesimi dhe përkujdesja e treguar janë një shpresë e madhe për mua dhe për të gjithë Policinë”, tha ai.

Ndërkohë, Drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, bëri të ditur se gjendja shëndetësore e efektivit është përmirësuar.

“Edisoni është më mirë. Stafi ka bërë një punë të shkëlqyer dhe jemi të përkushtuar t’i ofrojmë kujdesin më të mirë deri në rikuperimin e plotë”, deklaroi Bode.

Vizita u zhvillua në një moment kur autoritetet vijojnë të theksojnë angazhimin e tyre në luftën kundër krimit, pavarësisht rreziqeve dhe kostove njerëzore që kjo përballje mund të sjellë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Karamuço: Rama mori pistoletë dhuratë nga Erdogan, mbetet për t’u parë si do ta sjellë në Shqipëri

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço bëri të ditur se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u ka dhuruar...
22:26 | 08/07/2026

Ina Zhupa: 4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, akti normativ antikushtetues

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në një dalje për mediet këtë të mërkurë, u shpreh se vendimi i qeverisë për të përdorur 4.2 milionë...
22:15 | 08/07/2026

Dita e 39-të, protestuesit nisin marshimin në rrugët e Tiranës

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 39-të. Tashmë ka nisur marshimi drejt rrugëve të Tiranës. Si çdo...
21:30 | 08/07/2026