OBSH: 32 foshnje nuk janë evakuuar nga spitali më i madh në Gazë
Ekipi i Kombeve të Bashkuara tha më 19 nëntor se 291 pacientë kanë mbetur në spitalin më të madh në Gazë, pasi trupat izraelite evakuuan pacientët e tjerë. Në mesin e atyre që kanë mbetur në spital janë 32 foshnje në gjendje jashtëzakonisht kritike, pacientë me plagë jashtëzakonisht të infektuara dhe ata që kanë lëndime në shtyllën kurrizore dhe nuk mund të lëvizin.
Ekipi i OKB-së ishte në gjendje të qëndronte në spitalin Shifa për një orë pasi pothuajse 2.500 persona të zhvendosur, pacientë që mund të lëviznin dhe stafi mjekësor u larguan nga ndërtesa e spitalit mëngjesin e së shtunës, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë, që udhëhoqi këtë mision. OBSH tha se 25 pjesëtarë të stafit shëndetësor janë ende në spital, së bashku me pacientët.
“Pacientët dhe stafi mjekësor, me të cilët kemi biseduar, ishin të tmerruar për sigurinë dhe shëndetin e tyre dhe na u lutën për evakuim”, tha agjencia, duke e përshkruar Shifan si zonë të vdekjes. Kjo agjenci tha se edhe më shumë ekipe do të tentojnë të shkojnë në Shifa në ditët në vijim, në tentim për të evakuuar pacientët në jug të Gazës, ku spitalet po ashtu janë të mbingarkuara.
Izraeli për një kohë të gjatë ka pretenduar se Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka një qendër komanduese brenda dhe nën Shifa. Izraeli e ka përshkruar spitalin si cak kyç të luftës së tij për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gazë, pas sulmeve të grupit ekstremist në jug të Izraelit gjashtë javë më parë, sulme që nxitën luftën.
Hamasi dhe stafi i spitalit mohojnë këto pretendime. Trupat izraelite që gjenden në spital, për ditë të tëra po kryejnë bastisje në ndërtesë. Trupat kanë pretenduar se kanë gjetur pistoleta dhe armë të tjera dhe u kanë treguar gazetarëve hyrjen e një tuneli. Por, këto pretendime të ushtrisë izraelite nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Largimet masive të shtunën nga spitali nga Izraeli u përshkruan si largime vullnetare. Por, OBSH-ja tha se ushtria kishte lëshuar urdhër për evakuim dhe disa prej të larguarve e përshkruan situatën si eksod me forcë.
LEXONI GJITHASHTU:
Qeveria britanike njofton kufizimin e rrjeteve sociale pas mesnatës për adoleshentët 16 dhe 17-vjeçarë
Ushtria kolumbiane liron 39 persona të rrëmbyer nga rebelët, dy viktima dhe 5 të plagosur
Mundësi për një takim të ri me Trump, Netanyahu do të udhëtoj drejt Uashingtonit! Zbulohet arsyeja
- 10:23 E dënuar për trafik droge, Erisa Fero përfiton nga amnistia penale. Lirohet nga burgu i grave në Pojskë
- 10:14 Qeveria britanike njofton kufizimin e rrjeteve sociale pas mesnatës për adoleshentët 16 dhe 17-vjeçarë
- 09:57 U dënua për vjedhjen e 120 mijë eurove, Rozeta Dobi përfiton nga amnistia penale. Lirohet nga burgu i Pojskës
- 09:51 Ushtria kolumbiane liron 39 persona të rrëmbyer nga rebelët, dy viktima dhe 5 të plagosur
- 09:46 Mundësi për një takim të ri me Trump, Netanyahu do të udhëtoj drejt Uashingtonit! Zbulohet arsyeja
- 09:36 SHBA vendos sanksione ndaj 50 individëve, subjekteve dhe anijeve të lidhura me transportin detar iranian