OKB dhe vendet perëndimore kundërshtojnë planin e Izraelit për Gazën

8 Gusht 2025 | 12:19

Plani i Izraelit për të marrë plotësisht kontrollin e Gazës është kundërshtuar fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OKB-në, vendet perëndimore dhe ato të Lindjes së Mesme.

Ato paralajmëruan se një veprim i tillë do të çonte vetëm në më shumë gjakderdhje dhe do të shtonte vuajtjet e civilëve palestinezë në këtë enklavë.

Kryeministri britanik Keir Starmer i bëri thirrje Izraelit të rishqyrtojë menjëherë këtë plan, duke theksuar se “ai është i gabuar dhe vetëm do të sjellë më shumë gjakderdhje”, pa ndihmuar në përfundimin e konfliktit apo lirimin e pengjeve.

Starmer shtoi se po punon për një plan paqeje që përfshin angazhimin e të dyja palëve, me mirëbesim në negociata, dhe se kjo perspektivë po zhduket para syve tanë.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, tha se planet e Izraelit për pushtimin e plotë të Gazës duhet të ndalen menjëherë, pasi janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe do të shkaktojnë zhvendosje masive, vrasje, shkatërrim dhe vuajtje të mëdha.

Australia gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të mos ndjekë këtë rrugë, duke theksuar se zhvendosja me forcë është shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe do të përkeqësojë “katastrofën humanitare” në Gaza.

Ministrja e Jashtme, Penny Wong, kërkoi armëpushim, kthimin e pengjeve dhe hyrjen e ndihmave pa pengesa.

Turqia e konsideroi vendimin e Izraelit si një fazë të re të politikës ekspansioniste dhe gjenocid, duke paralajmëruar se kjo do të rrisë paqëndrueshmërinë dhe do të thellojë krizën humanitare.

Ajo kërkoi ndalimin e planeve të luftës, pranimin e armëpushimit dhe nisjen e negociatave për një zgjidhje me dy shtete.

Të premten, kabineti i sigurisë së Izraelit miratoi planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili parashikon një operacion ushtarak për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës dhe për të zhvendosur me forcë gjysmën e popullsisë drejt jugut.

Netanyahu deklaroi se qëllimi kryesor i këtij plani është vendosja e kontrollit ushtarak mbi gjithë Rripin e Gazës.

Ndërkohë, ushtria izraelite kontrollon tashmë rreth 75 përqind të Gazës, ku mijëra palestinezë janë zhvendosur dhe qytetet e tyre janë shndërruar në rrënoja.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbi 80 mijë persona nënshkruajnë një peticion që kërkon përsëritjen e finales së Kupës së Botës

Humbja e Argjentinës ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 në stadiumin MetLife në New Jersey ka shkaktuar reagime të shumta nga tifozët,...
17:04 | 23/07/2026

Trump: Marrëveshja bërthamore me Riadin lidhet me njohjen e Izraelit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se marrëveshja historike bërthamore civile mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite varet nga vendimi i Riadit për t’iu...
16:12 | 23/07/2026

Kallas: Bllokada detare e rebelëve Huthi ndaj Arabisë Saudite, rrezikon stabilitetin rajonal

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka deklaruar këtë të mërkurë se kërcënimet e fundit nga rebelët huthi të Jemenit, të...
14:49 | 23/07/2026