Mësuesit tregojnë se pandemia e ka ridimenisionuar bashkëveprimin e tyre me nxënësit. Barrierat si maska dhe distanca fizike i kanë vështirësuar marrëdhëniet edhe brenda një mjedisi klase.
Kalimi i përshëndetjeve mësimore nga mjediset e klasës në online, ka ndikuar rrënjësisht në marrëdhëniet mësues-nxënës.
“Ka probleme edhe tek të mos kuptuarit ndonjëherë mirë për shkak të maskës, megjithatë kjo ka bërë që ne të përdorim më tepër gjuhën e trupit përveç gjuhës verbale, të përdorim shikime disi më miqësore, jo ai shikimi dominues që e tremb nxnënësin”, shprehet Aurora Kapellari, mësuese në gjimnazin ‘Sinan Tafaj’.
“Virtualisht normal që nuk e transmeton atë përshëndetje ashtu siç duhet, por mundohemi që gjithmonë përshëndetja online të jetë e ngrohtë që t’ua bëjmë të ditur nxënësve që ne jemi këtu“, thotë Merita Kollçaku, mësuese në gjimnazin ‘Sinan Tafaj’.
Psikologët e shkollave pohojnë se kalimi i mësimit herë online e herë në klasë ia ka cuar fëmijët drejt izolimit social.
“Qëndrimi sa më pak me mësuesin, të kuptuarit sa më pak i nevojave, problematikave të fëmijëve, atë çfarë ato po përjetojnë detyrimisht që ka ndryshime, të cilat nuk janë pozitive dhe mund të ndikojnë në suksesin akademik. Që do të thotë rënie të motivimit, rënie të angazhimit të fëmijëve, mungesë të dëshirës për të ardhur në shkollë, mungesë të dëshirës për të shprehur idetë dhe iniciativat e tyre“, tha Etel Turtulli, psikologe në shkollën 9-vjeçare ‘Kosova’.
Të gjendur përballë këtyre raporteve të reja, lind nevoja e një komunikimi më të afërt dhe më miqësor me nxënësit.