PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë, devijim nga e vërteta dhe drejtësia

9 Shkurt 2026 | 16:48

Partia Demokratike e Kosovës reagon ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, e cila edhe sot dëshmoi atë që prej kohësh e kemi thënë publikisht, se kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi.

“Në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit, u bë e qartë se nuk kemi më të bëjmë me një proces të zakonshëm gjyqësor, por me një përpjekje të hapur për të deformuar të vërtetën historike dhe për të ndërtuar një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës tentohet të paraqitet si projekt kriminal.

Regjimi i Millosheviqit dhe aparati shtetëror i Serbisë kanë kryer në Kosovë dhe në rajon krime të rënda kundër njerëzimit, spastrime etnike dhe gjenocid, të dokumentuar gjerësisht nga mekanizma ndërkombëtarë të drejtësisë dhe nga faktet historike.

Pra, është fakt i ditur që Serbia ishte agresore dhe populli i Kosovës ishte viktimë.

Në këtë kontekst, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal. Ajo ishte përgjigjje e domosdoshme ndaj dhunës së aparatit shtetëror serb dhe mohimit të çdo rruge tjetër për liri.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje e Prokurorisë synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri. Ajo u konkretizua edhe sot përmes kërkesës për dënime absurde që reflektojnë vetëm ndëshkim politik dhe selektiv.

Gjithashtu, përpjekja për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me një pretendim kriminal është e papranueshme dhe bie ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës është akt politik i njohur ndërkombëtarisht, i mbështetur nga aleatët tanë strategjikë dhe i ndërtuar mbi të drejtën universale të popujve për liri.

Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon bindjen e saj të plotë në pafajësinë e çlirimtarëve dhe në legjitimitetin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Çdo përpjekje për kriminalizimin e kësaj lufte është përpjekje për rishkrim të historisë dhe për cenim të themeleve të shtetit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të së vërtetës historike, të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të Republikës së Kosovës.

Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, thekson PDK.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haxhiu shtyn njoftimin për seancën e parë të Kuvendit, afati kushtetues deri më 7 gusht

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të publikohet data dhe ora e mbajtjes...
12:02 | 17/07/2026

Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka ulur të enjten dënimin me burgim të përjetshëm në një dënim me 30 vjet burgim Edmond Lajqit për vrasjen...
20:54 | 16/07/2026

Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e...
16:56 | 16/07/2026