Përmbytje masive në Kosovë: Evakuohen banorët, pezullohet mësimi
Reshjet e shumta gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete të Kosovës. Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skënderaji dhe Gjakova janë komunat më të prekura, sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME).
Përveç dëmeve materiale, disa banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Në Gjakovë, për shembull, mbi 20 familje janë evakuuar në koordinim me Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Në shumicën e komunave të tjera, situata mbetet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm.
Për shkak të përmbytjeve, rifillimi i mësimit pas pushimit dimëror është shtyrë për të hënën e 12 janarit, njoftoi Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Disa rrugë janë përmbytur, duke bërë që Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) të ndërpresë rrymën në Drenas, Malishevë dhe Rahovec. Në disa zona ka pasur edhe ndërprerje të furnizimit me ujë, për shkak të ngritjes së nivelit dhe turbullimit të tij.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) tha se reshjet e shumta dhe dalja e lumenjve nga shtrati i tyre kanë shkaktuar vërshime në disa komuna. Lumenjtë kryesorë, si Ibri, Sitnica, Lepenci dhe Morava e Binçës, kanë shfaqur ngritje të lehta të nivelit të ujit.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) njoftoi se aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit, por qytetarët këshillohen të jenë të kujdesshëm për burimin e ujit të pijshëm.
Presidentja Vjosa Osmani falënderoi institucionet për reagimin ndaj vërshimeve dhe kërkoi nga qytetarët respektimin e udhëzimeve nga autoritetet. Sipas AME, situata të mërkurën paraqitet më e qetë dhe e menaxhueshme, megjithatë kërkohet vigjilencë për shkak të reshjeve të mundshme në disa pjesë të vendit. Fatmirësisht, nuk ka dëme në njerëz, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të mëdha.
Ekspertët vënë në dukje se përmbytjet e viteve të fundit janë përkeqësuar nga nxjerrja e paligjshme e zhavarrit, e cila ka dëmtuar shtretërit e lumenjve dhe ka rritur rrezikun e vërshimeve.
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta