LIVE| Përplasje të forta para Parlamentit, protestuesit qëllojnë me vezë makinat e deputetëve, policia arreston Dritan Goxhajn
Kjo audio është krijuar me AI për leximin e lajmeve.
Mund të ketë pasaktësi në shqiptim ose në theksimin e disa fjalëve.
Një situatë e tensionuar është regjistruar mesditën e së martës para Parlamentit. Automjeti i zëvendëskryeministres Albana Koçiu është goditur me vezë nga protestuesit.
Nga pamjet duket qartë se gjatë daljes së zv/kryeministres me makinë nga Parlamenti, protestuesit kanë hedhur vezë drejt makinës, ndërsa forcat e rendit po mbajnë shmangien e kontaktit fizik me automjetin.
Policia është në gatishmëri, ndërsa pritet dalja e deputetëve të tjerë që ndodhen brenda godinës. Protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe incidente të ndryshme gjatë gjithë ditës.
Ndërkohë, prej 31 ditësh Tirana është përfshirë nga protestat masive ku kërkohet dorëheqja e Ramës dhe e qeverisë së tij.
Arrestimi i disa personave, protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë
Protestuesit kanë lënë ambientet e Parlamentit nga ku situata pati përplasje fizike, hedhje të mjeteve piroteknike.
Tashmë protestuesit po marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë duke vazhduar me thirrjet e tyre.
Punonjësit e policisë kanë arrestuar disa persona për shkak të këtyre incidenteve, nderkohë qytetarët të shoqëruar nga forcat e policisë janë nisur drejt Drejtorisë Vendore të Policisë.
Përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë, protestuesit hedhin mjete piroteknike
Ka degraduar në dhunë dhe përplasje fizike protesta që po zhvillohet mesditën e sotme përpara Parlamentit. Krahas sulmeve me vezë dhe shishe uji ndaj makinave të deputetëve, situata është tensionuar edhe më tej pas përdorimit të lëndëve të rrezikshme piroteknike ndaj forcave të rendit.
Gjatë përplasjes së ashpër mes turmës dhe efektivëve të policisë, protestuesit kanë hedhur në drejtim të kordonit të sigurisë mjete piroteknike mjaft të forta. Këto shpërthime kanë krijuar panik në terren.
Në këto kushte, policia ka nisur menjëherë operacionin për identifikimin dhe kapjen e personave që hodhën këto mjete të forta piroteknike në mes të kordonit policor.
Përshkallëzohet tensioni para Parlamentit, policia arreston Dritan Goxhajn
Është tensionuar sërish në protestën që po zhvillohet para Parlamentit teksa policia na ndërhyrë për t’i shpërndarë dhe për të hapur hyrjen e parlamentit.
Policia ka shoqëruar disa persona mes te cilëve Dritan Goxhajn, që njihet si nje nga organizatorët e protestës. Bashkë me të është prangosur edhe Shkëlzen Bushi një person gjithashtu shumë aktiv në protestë.
Tensione para Parlamenti, protestuesit përplasen me policinë
Janë shënuar sërish tensione përpara Parlamentit, këtë herë mes protestuesve dhe forcave të rendit e sigurisë. Ndërsa seanca plenare vijon brenda sallës, jashtë situata ka kaluar në konfrontim fizik.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, vihet re një përplasje e ashpër fizike mes disa protestuesve dhe efektivëve të policisë pranë rrethimit të jashtëm të institucionit. Qytetarët kanë tentuar të shtyjnë kordonin policor, gjë që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të forcave të rendit për t’i zmbrapsur.
Në momentin e përplasjes, situata është shoqëruar me tensione të larta verbale. Mes shtyrjeve dhe kaosit, dëgjohen qartë zërat e protestuesve, të cilët u bëjnë thirrje efektivëve të policisë të ndalojnë ndërhyrjen.
“Hajdut, analfabet”, protestuesit ndjekin deputetin e PS kur del nga Parlamenti
Deputeti i Partisë Socialiste, Tërmet Peçi, është përballur me thirrje dhe reagime nga protestuesit pas daljes nga ambientet e Kuvendit.
Disa protestues e ndjekin deputetin, duke i drejtuar akuza dhe thirrje të ndryshme si “Hajdut!”, “Analfabet!” dhe “Nuk na përfaqëson!”.
Deputeti socialist është ndjekur nga protestuesit nga dalja e Kuvendit deri në zonën e Unazës, pranë selisë së Partisë Demokratike, pa bërë asnjë reagim ndaj tyre.
Qëllohet sërish me vezë makina e një prej deputetëve
Vijojnë të mbeten të larta tensionet përpara Parlamentit, ku po mbahet seanca plenare e radhës.
Vetëm pak minuta pasi protestuesit qëlluan me vezë automjetin e zëvendëskryeministres Albana Koçiu, shënjestër e sulmit është bërë edhe makina e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Sipas pamjeve, situata paraqitet mjaft e tensionuar tek protestuesit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të automjetit të ministrit Gonxhja jo vetëm me vezë, por edhe me shishe uji, ndërsa makina e ministrit është larguar me shpejtësi nga perimetri i Parlamentit.
Përplasje te Parlamenti, policia ndërhyn për të hapur rrugën, i vjen në ndihmë FNSH
Një situatë e tensionuar është regjistruar mesditën e së martës para Parlamentit ku automjeti i një ministri është goditur me vezë nga protestuesit sapo ka hyrë në Parlament.
Protestuesit janë përplasur me policinë që ka ndërhyrë për të hapur rrugën para parlamentit për të mundësuar kalimin e makinave që ishin të pranishëm në seancën plenare.
Në ndihmë të efektivëve të policisë kanë shkuar forca të FNSH të pajisur me skafandra dhe shkopinj gome.
Balla debat me Bardhin: Shpreson se kjo protestë do të heqë qafe Saliun
Seanca e së martës në Kuvend është shoqëruar me debate të ashpra mes kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, lidhur me protestën që po zhvillohet prej një muaji në Tiranë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i kërkoi mazhorancës të anulonte koncertin e Kanye West, duke e cilësuar atë si simbol të antisemitizmit. Ai shtoi gjithashtu se nuk është e pranueshme që, sipas tij, mazhoranca “të japë leksione antisemitizmi për pjesëmarrësit në protestë”.
Në fjalën e tij, Bardhi iu drejtua kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke deklaruar: “Ti që nuk di CV-në e Suel Çelës, me të cilin rrije 24 orë, di CV-në e çdo protestuesi”.
Balla tha se opozita është e “ekzaltuar” nga kjo protestë, pasi sipas tij, përmes saj shpreson të përfitojë politikisht dhe “të shpëtojë nga Sali Berisha”.
“Ju jeni më të ekzaltuarit, sepse nga kjo protestë shpresoni të shpëtoni nga Saliu”, u shpreh Balla
Goditet grupi kriminal që shpërndante drogë pranë shkollave, 14 të arrestuar (VIDEO)
Arrestimi i disa personave, protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë
Përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë, protestuesit hedhin mjete piroteknike
- 13:58 Goditet grupi kriminal që shpërndante drogë pranë shkollave, 14 të arrestuar (VIDEO)
- 13:52 Arrestimi i disa personave, protestuesit marshojnë drejt Drejtorisë së Policisë
- 13:48 Përplasje të dhunshme mes qytetarëve dhe policisë, protestuesit hedhin mjete piroteknike
- 13:35 Përshkallëzohet tensioni para Parlamentit, policia arreston disa persona, mes të cilëve Dritan Goxhajn (VIDEO)
- 13:34 Kryetarja e AfD: Gjermania duhet t’i japë fund bojkotit të naftës dhe gazit rus
- 13:28 Vrasja e 30-vjeçarit në Memaliaj, vetëdorëzohet në polici i kërkuari Marjaldo Nela