Pezullimi i Ballukut, përfundon seanca në GJK! Juria tërhiqet për vendim
Ka përfunduar këtë të enjte seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me masën e sigurisë “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, të vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Seanca u zhvillua pas kërkesës së paraqitur nga Kryeministria, përmes së cilës kryeministri Edi Rama ka ankimuar vendimin e GJKKO-së, duke pretenduar se pezullimi i Ballukut përbën shkelje të kompetencave kushtetuese të Kryeministrit.
Sipas raportimeve, Presidenti i Republikës u përfaqësua në seancë nga këshilltari Ilir Rusmali, shefi i kabinetit Hemioni Braho dhe drejtorja e përgjithshme Eriola Shia, ndërsa Kuvendi u përfaqësua nga drejtoresha juridike Mimoza Arbi.
Gjykata e Posaçme kishte vendosur më herët pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, ndalimin e daljes jashtë vendit dhe bllokimin e pasaportës, pasi ajo u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Në seancën e kësaj të enjteje, përfaqësuesja e qeverisë, Jona Qosja, argumentoi se SPAK dhe GJKKO kanë vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke theksuar se deputetët dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitet dhe se çdo masë që cenon ushtrimin e detyrës kërkon autorizim nga Kuvendi. Sipas saj, imuniteti kushtetues synon mbrojtjen e funksionit publik dhe jo vetëm lirinë personale, duke shtuar se jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e njeh këtë parim edhe për ministrat që nuk janë deputetë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK paraqitën qëndrimin e tyre zyrtar përmes parashtrimeve me shkrim, duke sqaruar se në këtë proces paraqiten si subjekt i interesuar dhe se kërkesa e Kryeministrisë nuk plotëson kriteret ligjore për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Prokurorisë së Posaçme, pala kërkuese nuk ka legjitimitet për të vënë në lëvizje kontrollin kushtetues, pasi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë dhe nuk ka provuar ekzistencën e një interesi personal dhe aktual, të shoqëruar me pasoja të pariparueshme.
SPAK theksoi se pretendimet e Kryeministrisë bazohen në interpretime të ligjit dhe nuk provojnë cenimin e një raporti juridik konkret. Sipas prokurorisë, në këtë çështje nuk ekziston konflikt kompetencash mes institucioneve, duke nënvizuar se masat e sigurimit nuk krijojnë një situatë të tillë dhe nuk mund të përdoren për të bllokuar ndjekjen penale ndaj një ministri, e cila është kompetencë ekskluzive e SPAK dhe GJKKO-së.
Gjithashtu, SPAK argumentoi se sistemi ligjor parashikon rrugë të qarta ankimi, përfshirë Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, duke garantuar të drejtat procedurale të palëve. Sa i përket pretendimit se pezullimi i zëvendëskryeministres ka ndikuar në funksionimin e Këshillit të Ministrave, prokuroria e cilësoi atë të pabazuar, duke theksuar se masa e sigurimit është individuale dhe nuk cenon funksionimin institucional të qeverisë.
Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin e saj në një datë të mëvonshme.
Ministri i Brendshëm Lamallari për Euronews Albania: Mund të shpallen persona të tjerë “Non Grata”
Protesta në Tiranë, policia ndjek penalisht 15 persona: Prishje e qetësisë publike dhe pengim i qarkullimit
Rama shpërndan pamjet! Reagon për Banjat e Bënjës: Histeri digjitale dhe manipulim i realitetit
- 16:44 Akullnajat zvicerane po shkrihen me shpejtësi alarmante për shkak të valës të së nxehtit
- 16:34 Sulmi ajror i SHBA-së kundër Iranit, ushtria amerikane publikon videon (VIDEO)
- 16:30 Tjetër tërmet i fortë, lëkundjet ‘shkundin’ Afganistanin dhe Pakistanin
- 16:28 Kapiteni iranian sulmon ashpër FIFA-n dhe presidentin Infantino: Kupa e Botës 2026 është një katastrofë
- 16:16 Kaos në parlamentin e Gjeorgjisë, deputetët përplasen fizikisht me njëri-tjetrin (VIDEO)
- 16:15 “One stop”, nënshkruhet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për zbatimin e kontrolleve të përbashkëta