Philipp Plein zgjeron markën e tij në Tiranë me projektin luksoz “The Plein Hotel”

15 Mars 2025 | 20:26

Marka prestigjoze e stilistit të njohur ndërkombëtar Philipp Plein, “The Plein hotel”, e cila ka përuruar një hotel luksoz në Milano vetëm disa muaj më parë, ka zgjedhur Tiranën si qytetin e parë për t’u zgjeruar jashtë Italisë.

Grupi Plein ka nënshkruar një marrëveshje ekskluzive me kompaninë shqiptare X One shpk, e drejtuar nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, për ndërtimin e një projekti ambicioz në kryeqytet.

Projekti do të realizohet në zemër të Tiranës, në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial, pranë ish-Gardës së Republikës. Ky projekt, i njohur si “Grand Park Skyline”, do të përfshijë tri kulla, dy prej të cilave do të jenë rezidenciale dhe një tjetër do të ketë një hotel me 5 yje të brandit “The Plein Hotel”. Ky projekt, ka si synim krijimin e një hapësire luksoze që bashkon modën, argëtimin dhe shërbimet e larta, duke e pozicionuar Tiranën si një destinacion ekskluziv.

Grupi Plein dhe X One prezantuan projektin në një event special të mbajtur këtë të shtunë në Pallatin e Brigadave.

I pranishëm në event ishte dhe vetë stilisti me famë botërore, Philippe Plein, i cili në një intervistë për Euronews Albania dha përshtypje tepër pozitive për Shqipërinë. Plein tha se projekti do të përfshijë të gjitha markat ekskluzive të Grupit Plein, në fushën e hotelerisë, gastronomisë dhe argëtimit.

“Është hera e parë në Shqipëri dhe nga avioni po shikoja plazhet fantastike. Erdha sot në mëngjes dhe u mahnita. Është një shtet që është në zhvillim e sipër. Prisni të papritura nga Philipp Plein në Shqipëri”, tha Plein.

Pas prezantimit eventi kulmoi me një sfilatë ku u shfaqën veshjet e stilistit me famë botëror.

“The Plein Hotel” do të ofrojë të paktën 150 dhoma dhe 100 rezidenca me shërbim 24/7, të krijuara për një klientelë të zgjedhur. Kompleksi gjithashtu do të përfshijë disa marka luksoze, përfshirë një restorant japonez të quajtur “Sukaru Ba”, një klub ekskluziv “Crystal Beach”, dhe një bar “Philipp’s”, të gjitha duke pasqyruar stilin dhe nivelin e shërbimeve të testuara me sukses në “The Plein Hotel” të Milanos.

Dizajni i brendshëm i kompleksit do të jetë një bashkëpunim mes stilistit Philipp Plein dhe ekipit të tij të arkitektëve, për të ofruar një eksperiencë unike dhe koherente me vlerat e markës. Ky projekt ambicioz, i cili pritet të përfundojë brenda pesë viteve, do të hapë dyert rreth vitit 2030, duke kontribuar në konsolidimin e pozicionit të X One si lider në sektorin e hotelerisë së luksit në Shqipëri.

Për Grupin Plein, ky hap është një tjetër mundësi për të zgjeruar markën ndërkombëtarisht dhe për të rritur prezencën e saj në fushën e hotelerisë, argëtimit dhe gastronomisë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kontrolle për ndotjen akustike në Shkodër dhe Velipojë, policia monitoron lokalet me muzikë

Edhe Policia e Shkodrës, ashtu si kolegët e saj në bregdetin e Durrësit dhe Vlorës krahas zbatimit të planit të masave për garantimin e sigurisë...
11:57 | 15/07/2026

SPAK hap garën për 40 hetues të rinj në BKH, Braho: Jemi në fazën përfundimtare

Kreu i SPAK, Klodjan Braho, bëri të ditur se Prokuroria e Posaçme ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për hapjen e thirrjes për 40 hetues...
11:38 | 15/07/2026

Braho raporton te “Nismat Qytetare”: Mbi 150 procedime për krime zgjedhore në 5 vite, fenomen shqetësues

Kreu i SPAK, Klodian Braho këtë të mërkurë po raporton në Komisionin për Nismat Qytetare mbi rezultatet e punës gjatë vitit 2025. Gjatë fjalës së...
11:19 | 15/07/2026