Nevaldo Hajdaraj kërkon ndryshim akuze dhe gjykim të shkurtuar për vrasjen e Klodian Rashës
Avokati i ish-oficerit të policisë Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës, ka kërkuar sot në gjykatë ndryshim të akuzës nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme” si dhe “gjykim të shkurtuar”.
Pas seancës paraprake të zhvilluar paraditen e sotme, Hajdaraj i ka kërkuar ndjesë babait të Klodianit, Qazim Rashës, i cili u shpreh se “kishte ardhur të shihte me sytë e tij drejtësinë”.
“Më vjen keq për atë që ndodhi, nuk doja të ndodhte kurrë,” – i është drejtuar Qazimit Nevaldo.
“Mendoj që tragjedi të tilla të mos përjetojë asnjë familje, mendoj që asnjë zemër nëne të mos plagoset, asnjë zemër vajze apo djali të mos vritet në mënyrë makabre si djali im,” – tha në dalje nga gjykata i ati i Klodianit.
Klodian Rasha, 25 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 dhjetorit 2020 nga oficeri i policisë së njësisë “Shqiponja” Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja ndodhi teksa prej 17 nëntorit qeveria kishte vendosur kufizimin e lëvizjeve si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Punonjësi i policisë e arsyetoi veprimin mbi faktin se Rasha nuk i ishte bindur thirrjes për të ndaluar dhe se dyshonte të ishte i armatosur. Policia njoftoi të nesërmen se kishte gjetur një pistoletë rreth 200 metra larg vendngjarjes.
Mirëpo tre muaj më pas, nga hetimet e kryera rezultoi se pistoleta “model turke sportive” nuk ishte e Rashës, pasi nuk kishte asnjë gjurmë që e lidhte me atë. Kjo bëri që prokuroria të ndryshonte akuzën nga “vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes” në “vrasje me dashje”.
Vrasja e Rashës nxiti një javë protesta, të cilat çuan në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.
Lexoni gjithashtu:
Pistoleta nuk ishte e Klodian Rashës, Nevaldo Hajdaraj akuzohet për “vrasje me dashje”
Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)
- 10:30 Kuvendi mban një minutë heshtje për efektin e policisë të vrarë në krye të detyrës në Maliq (VIDEO)
- 10:27 LIVE- Efektivi i policisë vritet në krye të detyrës në Maliq, plagoset kolegu. Reagimet e politikës
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës