LIVE- Policia “blindon” Kuvendin, qytetarët në protestë. Debate në seancën plenare
Këtë të enjte do te zhvillohet seanca e radhës në Kuvend. Seanca pritet të nisë në orën 12:00 ndërsa qytetarë të shumtë janë mbledhur para Kuvendit për të vijuar protestën e tyre në ditën 51-të. Ata kanë nisur të mblidhen disa minuta para se të nisë seanca plenare.
Forca të shumta policie kanë rrethuar ambientet e Kuvendit ndërsa portestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve që mbërrijnë në Kuvend për tu bashkuar në seancën e radhës plenare.
“Iu erdhi fundi”, dëgjohen protestuesit teksa kanë kënduar edhe himnin e flamurit dhe valëvisin flamurin kuq e zi.
Ne seancën e sotme plenare pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, projektrezolutash dhe raporte vjetore të institucioneve. Grupi parlamentar i PD-së mori vendimin këtë të hënë që të thyejë bojkotin dhe të marrë pjesë e seancës plenare në Kuvend.
Seanca nisi me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me rendin e ditës dhe përfshirjen e projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e një prej pikave për seancën pasardhëse, duke vlerësuar punën e bërë për përafrimin e legjislacionit.
Kjo kërkesë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka akuzuar mazhorancën për standarde të dyfishta dhe bllokim të qëllimshëm të nismave ligjore të opozitës.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend pas kërkesës për ndryshimin e rendit të ditës e ka cilësuar kryeparlamentarin Niko Peleshi si “vasalin më të shpifur” të kryeministrit Edi Rama dhe si armik i procesit të integrimit të vendit. Peleshi më pas e paralajmëroi se do të merrte masa ndaj tij për gjuhën e përdorur.
Ligji për investimet strategjike ka qenë në qendër të debateve në seancën e sotme plenare në Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza ndaj mazhorancës, duke deklaruar se ky ligj nuk ka sjellë investime të huaja, por ka shërbyer vetëm për shpërndarjen e pasurisë publike si favore për klientët e pushtetit.
Në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, Tabaku tha se opozita ka një dekadë që kërkon shfuqizimin e kësaj iniciative ligjore, por kërkesat e tyre gjithmonë kanë rënë në vesh të shurdhër.
Lajm në përditësim…
Berisha: Rama u tërhoq nga Reforma territoriale. Projekti i diskutuar nga ju shkurton 20 bashki
Kreu i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend ka hedhur akuza ndaj mazhorancës se ka prishur dakordësinë për Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale teksa theksoi se kryeministri Edi Rama dëshiron vetëm antireforma. Sipas tij, Rama tërhiqet nga reforma territoriale për të vijuar projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
“BE përcaktoi reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe territoriale. Të bindur se me Ramën ka vetëm antireformë, por në mbështetje të kërkesave të qytetarëve të shumtë nga mbarë territori i vendit, në mbështetje të përpjekjeve tona për një proces zgjedhor të lirshëm, në morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore.
Me një kusht, reformën zgjedhore të merret ekspertiza e ODIHR, për territorialen të merret ekspertiza e kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale të KiE. Përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë dhënë kontribut të çmuar. Rama tërhiqet nga reforma territoriale duke vijuar me projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, tha Berisha.
Ai shtoi se kishte një marrëveshje për zgjatjen e afatit të komisionit, me kusht që të merrej ekspertiza e partnerëve europianë, të cilën e cilësoi të panegociueshme për opozitën. Ai theksoi se projekti i diskutuar nga mazhoranca parashikon reduktimin e mëtejshëm të njësive të qeverisjes vendore.
“E vërteta është krejt tjetër. Zoti Boçi, i cili do të flasë, ka bërë përpjekjet më maksimale direkt me Maznikun apo pengun, por edhe me përfaqësues të tjerë, të cilët janë të angazhuar të mbështesin këtë proces.
E vërteta është se pati një ujdi midis tyre për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe të Këshillit të Evropës është për ne i panegociueshëm dhe është rënë dakord që në fillim.
Pra, ishte Edi Rama, i cili urdhëroi pengun e tij të veprojë krejtësisht në mënyrë të njëanshme.
Projekti i diskutuar nga ju shkurton edhe të paktën 20 bashki të tjera, të shpërndara në të gjithë vendin, e them edhe njëherë nga Kruja, Fushë Arrëzi, Mirdita gjer në Konispol, Delvinë, Finiq, etj.
Dhe meqenëse dikush citoi këtu Delvinën dhe kryetarin e saj, u them unë ju se Dhurim Alimani ishte një nga qeveritarët vendorë më të mirë që kishte Shqipëria. Ndaj dhe ata që përdorin emra duhet të maten mirë kur përmendin emrin e një qeveritari vendor shembullor siç ishte i ndjeri Dhurim Alimani”, u shpreh Berisha.
“Prej 10 vitesh flitet për ligjin e investimeve strategjike”, Tabaku: Kemi kërkuar vazhdimisht pezullimin e tij
Ligji për investimet strategjike ka qenë në qendër të debateve në seancën e sotme plenare në Kuvend. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza ndaj mazhorancës, duke deklaruar se ky ligj nuk ka sjellë investime të huaja, por ka shërbyer vetëm për shpërndarjen e pasurisë publike si favore për klientët e pushtetit.
Në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, Tabaku tha se opozita ka një dekadë që kërkon shfuqizimin e kësaj iniciative ligjore, por kërkesat e tyre gjithmonë kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Ligji i investimeve strategjike për disa nga deputetë është i ri, disa nga ne kanë 10 vite që e kundërshtojnë. Kërkesat tona për shfuqizim shkuan në vesh të shurdhër, ka shpërndarë rreth 80 projekte, 70 për dhënie leje turizmi, ka tërhequr vetëm një investim të huaj. Vetëm ndarje favoresh. Në 2022, ne emër të grupit të PD solla propozim për ta pezulluar atë ligj, sepse shoqëria s’ka përse ti ndajë aeroporti e portet sikur të jenë të nënës e të babës. Është betejë e gjatë, s’mund të ketë dy standarde e duam integrimin për ligjin e të drejtës së autorit, por jo për investimet strategjike apo zonave të mbrojtura. Ose ka një proces integrimi me vullnet të plotë, ose këto gënjeshtra për qytetarët nuk mund të ketë”, tha Tabaku.
Disa protestues zhvendosen anash Kuvendit, debate mes qytetarëve: Pse ikët? (VIDEO)
Ndërsa brenda sallës së Kuvendit po zhvillohet seanca plenare, jashtë saj situata mes protestuesve është shoqëruar me debate. Protesta e qytetarëve ka pësuar një rënie të pjesëmarrjes, gjë që ka shkaktuar diskutime mes vetë protestuesve.
Në pamjet dëgjohen debate mes disa qytetarëve që kanë qëndruar përpara Parlamentit, të cilët akuzojnë pjesën tjetër se po largohen. “Pse ikët? Për çfarë ikët?” dhe “Këtu ishim të gjithë” janë disa nga thirrjet dhe pyetjet me tone të larta që qytetarët i drejtojnë njëri-tjetrit.
Pas këtij momenti, një grup i vogël qytetarësh që ka refuzuar të largohet është zhvendosur tek pjesa anësore e Parlamentit.
Rama mbledh të premten Grupin Parlamentar të PS dhe kabinetin qeveritar, zbulohet mesazhi për deputetët
Kryeministri Edi Rama do të mbledhë të premten Grupin Parlamentar dhe kabinetin qeveritar. Gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu ka zbuluar detaje lidhur me këtë mbledhje e cila do të mbahet në Pallatin e Brigadave në orën 09:30.
Gjithashtu gazetarja Shehu ka zbardhur mesazhin që iu është dërguar deputetëve të grupit socialist lidhur me mbledhjen.
“Të nderuar kolegë, Ju informoj se të premten, më datë 24.07.2026, në orën 09:30, do të zhvillohet Mbledhja e Zgjeruar e Grupit në Pallatin e Brigadave.
Agjenda e mbledhjes do t’ju dërgohet së shpejti”, shkruhet në mesazh.
Debat në Kuvend, Berisha-Peleshit: Armik i procesit të integrimit. Kryeparlamentari: Do të marr masa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Kuvend pas kërkesës për ndryshimin e rendit të ditës e ka cilësuar kryeparlamentarin Niko Peleshi si “vasalin më të shpifur” të kryeministrit Edi Rama dhe si armik i procesit të integrimit të vendit.
“Do të mbetesh në historinë e vendit si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik i procesit të integrimit të vendit.
Ka një muaj që janë dorëzuar amandamentet për amendimin e ligjit, për të cilat, BE, KE, PE kërkojnë të amendohen. Protesta më e fuqishme që nga vitet 90 kërkon të anulohet ligji”, tha ai.
Peleshi më pas e paralajmëroi se do të merrte masa ndaj tij për gjuhën e përdorur.
“Mu drejto me etikë, nuk të drejtohem me ti. Do t’u ndërpres sa herë që shkel rregulloren, madje do të marr edhe masa për të gjithë ata që përdorin një përrua fjalësh që nuk na takon”, shtoi ai.
Miratohet me 75 vota pro ndryshimi i rendit të ditës pas propozimit nga Balla, Bardhi: Po cenoni rregullat e Kuvendit
Seanca e sotme plenare ka nisur me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me rendin e ditës dhe përfshirjen e projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar shtyrjen e një prej pikave për seancën pasardhëse, duke vlerësuar punën e bërë për përafrimin e legjislacionit.
“Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, duke qenë se ligji për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit është një ligj që ka të bëjë me detyrat dhe punët që po bën qeveria dhe grupi negociator për Kapitullin 17, dhe meqenëse janë edhe disa projektligje, përfitoj nga rasti t’i përgëzoj kolegët ministra, të cilët po punojnë për sa i përket përafrimit të legjislacionit me të drejtën komunitare të BE-së dhe detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të marrëveshjes për anëtarësim. Kështu që kërkoj të kalojë në seancën pasardhëse”, është shprehur Balla.
Kjo kërkesë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka akuzuar mazhorancën për standarde të dyfishta dhe bllokim të qëllimshëm të nismave ligjore të opozitës.
“Dua të ngre një shqetësim për rendin e ditës. Keni shtatë javë që keni bllokuar ligjet e propozuara nga opozita. Ka nisur puna për ligjet e depozituara nga mazhoranca. Ju pranoni të shqyrtoni këto iniciativa të PS-së, dhe jo ato të opozitës. Po cenoni rregullat e Kuvendit. Meqë hoqëm për hatër të integrimit, të futim për hatër të integrimit katër ligjet tona”, deklaroi Bardhi.
Pas debateve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka hedhur në votim ndryshimin e rendit të ditës. Mazhoranca ka shfrytëzuar kartonët e saj, duke miratuar ndryshimet me 75 vota pro dhe 31 kundër, mes kontestimeve të deputetëve të opozitës.
PD thyen bojkotin, deputetët demokratë të pranishëm në Kuvend
Grupi parlamentar i PD-së ka marrë vendimin këtë të hënë që të thyejnë bojkotin dhe të jenë pjesë e seancës plenare në Kuvend.
Në sallë janë të pranishëm Flamur Noka, Gazment Bardhi, Bujar Leskaj, Saimir Korreshi dhe deputetë të tjerë demokratë.
Ata shihen së bashku teksa janë futur në ambientet e Kuvendit. I pranishëm në Kuvend është edhe kreu i PD-së, Sali Berisha.
Seanca plenare, mbërrijnë në Kuvend krerët e lartë të institucioneve
Ndërsa jashtë ambienteve të Parlamentit po mbahet protesta qytetare, drejtuesit e institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarura kanë mbërritur në Kuvend, arty ku do të raportojnë përpara deputetëve në seancën e sotme plenare.
Një pjesë e rëndësishme e seancës do t’i kushtohet diskutimit dhe miratimit të projektrezolutave për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve kryesore të pavarura dhe të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.
Nga videoja, shihet mbërritja e disa prej krerëve të institucioneve, të cilët po futen në ambientet e Kuvendit nën masa të shtuara sigurie për shkak të situatës jashtë parlamentit.
Pritet që në seance të flasin:
Avokati i Popullit;
Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ);
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP);
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH);
Prokuroria e Përgjithshme;
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK);
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD).
Protesta para Kuvendit, qytetarët gjuajnë me vezë makinën e deputetit (VIDEO)
Teksa deputetët po mbërrijnë në ambientet e Kuvendit, protestuesit i kanë pritur duke hedhur vezë në drejtim të mjeteve të tyre. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje ndaj tyre teksa i fishkëllejnë.
Seanca plenare pritet të vijojë për disa minuta teksa deri më tani nuk raportohen për tensione nga ana e protestuesve. Policia ka rrethuar ambientet e Kuvendit teksa vihet re një numër i lartë efektivësh. Ata gjithashtu janë pajisur edhe me një automjet ujëhedhës.
Seanca plenare në Kuvend, qytetarët mblidhen para Parlamentit
Për pak minuta pritet të nisë seanca plenare në Kuvend ndërsa qytetarët kanë nisur të mblidhen para Parlamentit për të vijuar protestat e tyre. Siç shihet edhe nga pamjet, qytetarë të shumtë janë mbledhur para Kuvendit ndërsa policia ka rrethuar zonën.
Gjithashtu një makinë ujëhedhëse është vendosur para Parlamentit ndërsa pritet të shtohen forcat e policisë në rast përshkallëzimi të tensioneve. Para Parlamentit është vendosur edhe një gardh metalik.
Protesta e paralajmëruar e qytetarëve, vendoset përpara Parlamentit një makinë ujëhedhëse
Dy orë para nisjes së seancës plenare në Kuvend kanë nisur të merren masat nga policia. Këto masa vijnë pasi qytetarët kanë njoftuar protestë para Kuvendit ku pritet këtë të hënë të zhvillohet në orën 12:00 seanca plenare.
Siç shihet edhe nga pamjet, një makinë ujëhedhëse është vendosur para Parlamentit ndërsa pritet të shtohen forcat e policisë në rast përshkallëzimi të tensioneve. Gjithashtu para Parlamentit është vendosur edhe një gardh metalik.
Sot seancë plenare në Kuvend, rendi i ditës. Do të mbahet edhe një protestë para Parlamentit
Këtë të enjte do te zhvillohet seanca e radhës në Kuvend. Seanca pritet të nisë në orën 12:00 ku do të të shqyrtohen një sërë projektligjesh, projektrezolutash dhe raporte vjetore të institucioneve.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 16 korrik 2026. Gjithashtu do të paraqitet Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
Në rendin e ditës është edhe shqyrtimi i projektligjit “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)” dhe disa projektrezoluta. Gjithashtu është njoftuar se do të mbahet një protestë para ambienteve të Kuvendit.
Rendi i ditës:
Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 6 – 24 korrik 2026 dhe në vendimin nr. 11, datë 16.7.2026, të Konferencës së Kryetarëve,
URDHËROJ:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 20.7.2026, ora 12:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 16.7.2026.
2. Njoftime.
3. Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025.
4. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHЕВ)”.
5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”.
6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025″.
7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”
8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025″.
9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025″.
10. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”
11. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025″.
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
761 euro për person, sa para lë një turist në Shqipëri? Shifrat nga “Data Centrum”
Sondazhi zbulon nga vijnë turistët e huaj në Shqipëri, cili shtet kryeson listën
Pse po zgjedhin Shqipërinë turistët? Drejtoresha e “Data Centrum” zbulon arsyet
- 22:30 761 euro për person, sa para lë një turist në Shqipëri? Shifrat nga “Data Centrum”
- 22:24 Sondazhi zbulon nga vijnë turistët e huaj në Shqipëri, cili shtet kryeson listën
- 22:19 Pse po zgjedhin Shqipërinë turistët? Drejtoresha e “Data Centrum” zbulon arsyet
- 22:15 As Saranda, as Ksamili! Zbulohet vendi më i vizituar nga turistët në Shqipëri
- 21:48 Plagosja e tre personave në Elbasan, policia jep detajet dhe emrat: Oficeri ndoqi autorin
- 21:47 Këlcyrë, banori shpëton turisten e huaj 10-vjeçare nga mbytja në lumë