Shqipëria feston këtë të enjte 112 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Me këtë rast, kryeministri Edi Rama, ka uruar shqiptarët me një video nën koreografinë e disa valltarëve të shoqëruar nga kënga “Për ty atdhe”, të kënduar nga tenori nga Kosova, Ramë Lahaj.
Ndërsa kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka uruar nga qelia të gjithë shqiptarët për festën e Pavarësisë.
Meta shkruan se 28 Nëntori “na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912”.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Urime të gjithë shqiptarëve kudo janë 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!
Kremtimi i 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë na fton të gjithëve të bashkohemi në mbrojtje të idealit të Lirisë, vlerave, identitetit dhe çështjes kombëtare, të Sovranitetit dhe integritetit territorial kundër çdo pushtuesi dhe kolonizatori të vjetër apo të ri, në mënyrë që Flamuri Kuqezi me shqiponjën dykrenare, simboli ynë i shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i pacënuar, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat dhe bijtë më të mirë të kombit.
Të dëshmojmë vendosmërinë e palëkundur, mençurinë dhe patriotizmin më të lartë për mbrojtjen e këtyre idealeve e vlerave, si dhe në përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që ata ndodhen”-, shkruan Meta.
Mesazh urimi ka shpërndarë dhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha i cili e ka cilësuar 28 nëntorin si datën më të rëndësishme të identitetit kombëtar.
Ai shprehet se momentet historike janë të lidhura me këtë ditë, si ngritjen e flamurit nga Skënderbeu, Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e Adem Jasharit.
Urimi i plotë i Bashës:
Urime 28 Nëntorin, datën më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar!
Prej ngritjes së dykrenares së Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë, te Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Bej Vlora në Vlorë e deri te ditëlindja e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jasharit në Prekaz, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me këtë datë.
28 Nëntori është një ditë krenarie, mirënjohje të thellë kombëtare dhe gëzimi, ashtu sikurse është edhe një moment reflektimi për përgjegjësitë që kemi përpara.
Nderim përjetë dhe lavdi të gjithë atyre që u flijuan për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar!
LEXONI GJITHASHTU:
- Parada e Shqiptarëve në Tiranë! Bashkia: Plani i masave për devijimin e trafikut
- 112-vjetori i Pavarësisë, ngrihet në New York Flamuri ynë kombëtar