Prokuroria e Bosnje Hercegovinës pezullon hetimin kundër ish-presidentit Dodik

4 Nëntor 2025 | 19:20

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës pezulloi hetimin kundër ish-presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, ish-kryeministrit të Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, dhe kryetarit të Kuvendit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, të cilët dyshoheshin për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës, iu konfirmua Radios Evropa e Lirë më 4 nëntor.

Arsyeja për pezullimin e hetimit, siç iu tha REL-it, është se “nuk ka prova të mjaftueshme që të dyshuarit kanë kryer vepër penale”.

Vendimi për pezullimin e hetimit do të thotë se nuk do të ngrihet asnjë aktakuzë.

Ai vjen disa ditë pasi Dodik dhe partnerët e tij politikë e biznesorë u hoqën nga lista e zezë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Lënda u krijua në fillim të vitit, pasi Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi disa ligje që ndalonin funksionimin e institucioneve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e këtij entiteti, e të cilat Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës i shpalli jokushtetuese.

Zyra e Prokurorit tha atëkohë se ka arsye për të dyshuar se tre zyrtarët më të lartë të entitetit serb të Bosnjës kanë organizuar një përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues të shtetit.

Hetimi ishte në qendër të vëmendjes së publikut për muaj të tërë.

Ngjarja kulmoi në mars të këtij viti, kur Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës, për shkak të mosreagimit të tyre ndaj thirrjeve për t’u marrë në pyetje, urdhëroi ndalimin e tyre dhe lëshoi një urdhër arresti.

Ai ishte i vlefshëm që nga 17 marsi dhe të gjitha agjencitë policore në Bosnje dhe Hercegovinë kishin urdhër për ndalimin e tyre.

Dodik shkoi vullnetarisht në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës më 4 korrik, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës. Ai u mor në pyetje si i dyshuar në hetime.

Në atë seancë, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës mori vendim për heqjen e paraburgimit, me kushtin që ai të paraqitej periodikisht tek organet kompetente të policisë.

Kodi Penal i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalesë të mbajtjes së posteve publike për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

Dodikut, ndërkohë, iu mor zyrtarisht mandati si president i Republikës Sërpska, pasi u dënua me një vit burg dhe me një ndalesë gjashtëvjeçare të mbajtjes së posteve politike publike.

Radovan Vishkoviq dha dorëheqje si kryeministër i Republikës Sërpska, ndërsa Nenad Stevandiq vazhdon të shërbejë si kryetar i Kuvendit të entitetit./REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez

Kupa e Botës FIFA 2026 po lë gjurmë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në regjistrat civilë. Në Peru është shënuar një rritje...
13:56 | 14/07/2026

Dyshime për abuzim me fondet, shkarkohet drejtoresha e filialit të Postës në Durrës

Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar në Prokurori pas një kontrolli të zhvilluar në...
13:46 | 14/07/2026

Nga Bavaria në Francë, zhduket ngarkesa me 20 tonë djathë me vlerë 80 mijë euro

Policia gjermane po heton zhdukjen misterioze të 20 tonëve djathë Emmental, të cilët nuk mbërritën kurrë në destinacion gjatë transportit nga Bavaria drejt Francës. Sipas...
13:36 | 14/07/2026