PZAP miraton ankesën e Listës Serbe për vendimin e KQZ-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos përfshirë listën e kandidatëve të këtij subjekti në shpalljen e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
PZAP tha se vendimi i 31 janarit i KQZ-së është “i pajustifikuar” dhe në kundërshtim “me dispozitat ligjore”.
Sipas vendimit, PZAP tha se shpallja e rezultatit përfundimtar bëhet pas përfundimit të numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike dhe duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore “pa përjashtim”.
“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Andaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, u tha në vendimin e PZAP-së të publikuar më 3 shkurt.
Për këtë vendim mund të dërgohet ankesë në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Po ashtu, përveç vendimit për Listën Serbe, PZAP-i shqyrtoi edhe gjashtë ankesa të tjera, të cilat i refuzoi duke i cilësuar si të pabazuara.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dorëzoi ankesë në PZAP më 2 shkurt, duke e vlerësuar vendimin si të “paligjshëm, antiserb dhe diskriminues”.
Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.
Gjatë mbledhjes, vetë kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniçi, e cilësoi si “të pakuptimtë” mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga anëtarët e Komisionit, duke argumentuar se kishte kaluar afati për ankesa pasi votat veçse janë rinumëruar dhe, sipas ligjeve, nuk parashihen ankesa për një proces të tillë.
Vendimi i KQZ-së u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.
“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!
Haxhiu shtyn njoftimin për seancën e parë të Kuvendit, afati kushtetues deri më 7 gusht
Nga burgimi i përjetshëm në 30 vite: Supremja i ul dënimin Edmond Lajqit për vrasjen e bashkëshortes
- 13:39 Ministrja serbe për Kosovën: Duhej të përdorja termin “deportim“, Sveçla është terrorist!
- 13:35 Kryeministri hungarez kërkon nga BE-ja rimbursimin e gjobave për emigracionin
- 13:27 Andy Burnham emërohet zyrtarisht udhëheqësi i ri i Partisë Laburiste
- 13:24 Bashkimi Evropian propozon zgjerimin e tregut të karbonit për fluturime
- 13:21 Netflix zbulon shifrën: Rreth 300 produksione kanë përdorur Inteligjencën Artificiale në vitin 2026
- 13:02 “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Programi më ambicioz i qeverisë për bizneset e vogla