Përballjet politike mes Sali Berishës dhe Edi Ramës nuk do t’i shohim më vetëm në parlament, përmes akuzave politike, betejave zgjedhore apo shpeshherë edhe televizive.
“Lufta” e podkasteve do të jetë platforma më e re që do të përballë kokë më kokë, kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilët duket se po orientojnë komunikimin e tyre publik drejt një formati jo pak sfidues.
“Flasim” do të titullohet podkasti që do të drejtojë kreu i qeverisë. Intervista, dialogë, monologë, por jo vetëm, siç tha kryeministri një derë e hapur edhe për kundërshtarët e tij politikë.
“Flasim është podkasti im i menduar për të folur lirshëm në praninë tuaj me njerëz të njohur a të panjohur. Personazhe të skenës publike, politikës, artit, kulturës madje edhe kundërshtarë pse jo, nëse e pranojnë ndonjëherë ftesën,” – tregoi Rama.
Ftesë të cilën nga radhët e kundërshtarëve, ishte Sali Berisha i pari ai që e pranoi. Jo vetëm me një përgjigje pozitive, por duke e sfiduar edhe ai me podkastin e tij “Jeta përtej politikës”.
“Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podkast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj. Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podkastin tim apo të tijin. Uroj të gjejë kurajë dhe të pranojë ftesën time,” – tha Berisha.
Kjo qasje e re e politikanëve me publikun, është vënë re kryesisht në Shtetet e Bashkuara. Ish-Presidenti Barack Obama ka qenë ndër politikanët e parë që përqafuan këtë metodë të re komunikimi. Në SHBA realizimi i një podkasti është kthyer tashmë në modë, duke u përqafuar nga pjesa më e madhe e kongresmenëve. Dhe siç ndodh shpesh, kjo tendencë e Shteteve të Bashkuara ka ardhur dhe në Europë dhe Shqipëri.
LEXONI GJITHASHTU: