Rama: Jo rritje të çmimit të energjisë për familjet dhe biznesin e vogël

9 Tetor 2021 | 16:20

Kryeministri Edi Rama prezantoi të shtunën planin e masave për krizën energjitike ku deklaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit për furnizim me energji elektrike vetëm për familjet dhe biznesin e vogël.

“Plani ynë i kundërveprimit për krizën e energjisë nuk parashikon rritje të çmimit për familjarët dhe biznesin e vogël dhe nuk parashikon as kufizim”, deklaroi z. Rama.

Kryeministri theksoi se kriza pritet të vazhdojë të paktën deri në verën e ardhshme duke shtuar se do të jetë “po aq sfiduese sa pandemia dhe me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin nëse nuk reagojmë”.

Sipas z. Rama plani për përballimin e krizës përmban tri pika kryesore; garantimin e furnizimit pa ndërprerje, mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimit të energjisë dhe garantimin e mjeteve financiare për blerjen e energjisë.

Kryeministri tha se do të garantohet një fond prej 200 milionë euro, ku 100 milionë do të vihen në dispozicion të kompanisë së shpërndarjes së energjisë në fund të këtij viti ndërsa 100 milionë të tjera do të jenë për garantimin e furnizimit dhe mos rritjen e çmimit për familjet dhe bizneset e vogla në fillim të 2022.

Kryeministri gjatë deklaratës pranoi se Shqipëria e blen më shtrenjtë energjinë elektrike se sa shet. Ai tha se kjo vjen pasi energjia blihet në kohë thatësire dhe shitet në kohë me shumë reshje.

“Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet. Ne e shesim lirë kur i tërë rajoni përreth nuk ka nevojë për energji. E blejmë shtrenjtë pasi dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës”, tha drejtuesi i qeverisë.

Gjithashtu, Rama pranoi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i shtrenjti në rajon duke thënë se kjo vjen për shkak të përfshirjes në çmim të taksës së qarkullimit dhe karbonit.

“Ne nuk e prodhojmë në vend naftën pasi nafta jonë është naftë e rëndë ajo shitet për nënprodukte dhe kryesisht për bitum. Ne importojmë rreth 600 mijë ton naftë në vit për konsum. Është e vërtetë që janë më të shtrenjtë në rajon (nafta dhe benzina) sepse është brenda dhe taksa e qarkullimit ku vendet e rajonit e paguajnë veçmas. Plus taksë karboni”, tha ai.

Nën presionin e kritikave të shumta për rritjen e çmimeve, kryeministri para paraqitjes së planit të veprimit të qeverisë për krizën energjetike, foli për pamundësinë e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve sa kërkohet.

“Në rast se do të rrisnim pensionin minimal në 300 mijë lekë do të falimentonim brenda dy vitesh. Në rast se do të rrisnim pagën minimale në 500 mijë lekë brenda një viti do të përjetonim krizë urie”, tha ai.

Nga ana tjetër kreu i qeverisë  tha se “paga për ministrat nuk është rritur asnjëherë që kur kam marrë detyrën ndërsa taksat janë rritur” dhe se gjatë qeverisë së tij janë “ulur taksat për biznesin e vogël dhe janë rritur për biznesin e madh”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk

Territori i Bashkisë së Shkodrës është përfshirë mbrëmjen e së martës nga reshje të denduara shiu, ndërsa autoritetet lokale bëjnë me dije se strukturat e...
23:16 | 03/06/2026

Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet

Edhe pse protesta e qytetarëve u njoftua se është mbyllur pas disa orësh, dhjetëra të rinj kanë shkuar pranë ambienteve të selisë së PS-së. Ata...
22:28 | 03/06/2026

Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit

Politologu, Adri Nurellari i ftuar këtë të mërkurë i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat e...
22:14 | 03/06/2026