Rama poston foton e Thaçit me Wesley Clark: Emri i Hashimit simbol i sakrificës
Në prag të dëshmisë së ish-gjeneralit Wesley Clark në Gjykatën e Hagës e cila do të jepet në muajin nëntor, Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, të shoqëruar me një fotografi të Thaçit me ish-gjeneralin Wesley Clark, Rama thekson se shteti i ri dhe sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, por nga gjaku i Ushtrisë Çlirimtare.
Ai theksoi se sakrificat e luftëtarëve për liri dhe pavarësi nuk duhet të trajtohen si krim dhe se emri i Thaçit do të mbetet përgjithmonë i lidhur me çlirimin dhe sovranitetin e Kosovës.
“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?! Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty, ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë. Emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, është shprehur Rama.
Mbrojtja e Thaçit ka njoftuar se Clark ka marrë autorizimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), po gjykohen në qytetin holandez për krime lufte.
Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.
Fushata e sulmeve të NATO-s, që zgjati 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Clark shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në çlirimin e vendit dhe për këtë ai është nderuar në Prishtinë në vitin 2024 me një dekoratë. Në Kosovë madje ka edhe rrugë të emëruara në nderim të tij.
Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, po shkon drejt përfundimit.
Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në të mirë të Thaçit, mbrojtja e të cilit e filloi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.
Nuk është e qartë se kur saktësisht Clark do të ulet në bankën e dëshmitarit të mbrojtjes, por, sipas mbrojtjes, ai ka njoftuar se nuk mund ta nisë dëshminë para 18 apo 19 nëntorit.
Mbrojtja e Thaçit kishte parashikuar paraprakisht se do t’i kryente dëshmitarët deri më 14 nëntor, megjithatë gjykata i ka lejuar më shumë kohë.
Gjithashtu mbrojtja i ka kërkuar gjykatës ta rezervojë të premten e 21 nëntorit për një seancë shtesë, në rast se kjo do të jetë e nevojshme për ta përmbyllur dëshminë e Clarkut.
LEXONI GJITHASHTU:
Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në
Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit
- 15:50 Mrekulli në Everest, udhërrëfyesi nepalez gjendet i gjallë pas gjashtë ditësh i zhdukur
- 15:48 Alarm në SHBA, paraziti mishngrënës gjendet te një viç në Teksas! Ishte zhdukur prej vitesh
- 15:39 I biri vrau një polic dhe plagosi një tjetër, merret në pyetje nga autoritetet nëna e Violand Braçellarit
- 15:32 “Braçellari, emër shumë i njohur në Korçë”, Artan Hoxha: Dhjetëra operacione për ta arrestuar
- 15:32 Sulm ndaj një ekipi shëndetësor në Kongo, autoritetet të shqetësuara për përhapjen e Ebolës
- 15:23 Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur