Rama u përgjigjet protestuesve për Zvërnecin dhe Sazanin: Po ju mashtrojnë, ju ftoj të verifikoni faktet
Në përmbyllje të turit të aktiviteteve me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama i është drejtuar nga Tirana protestuesve që kundërshtojnë investimet në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit, duke deklaruar se ata po manipulohen me informacione të pavërteta.
Rama u shpreh se pretendimet se qeveria ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura për t’i hapur rrugë këtyre projekteve janë “gënjeshtra të përhapura në mënyrë të përsëritur”, ndërsa i ftoi qytetarët të verifikojnë vetë faktet.
“Këto ditë nuk kanë qenë të lehta as për mua. Nuk ka vend dhe ditë më të duhur që, me lejen tuaj, t’u drejtohem me disa fjalë edhe atyre që nuk janë këtu mes nesh. Duke nisur nga ata që kanë dalë dhe janë në protestë për të mbrojtur Zvërnecin dhe Sazanin, nga unë dhe nga qeveria e PS-së. Përpara 800 e ca mijë shqiptarëve që më kanë besuar udhëheqjen, nëse të tjerët nuk duan as të dëgjojnë apo të besojnë ato që them unë. Po të ishin të vërteta ato që u është mbushur mendja se janë, ashtu siç ua kanë thënë e shkruar në kanale të ndryshme, do të isha edhe unë po aq i neveritur sa më duket se janë disa prej jush. Po jetojmë këto ditë zhvillime që vende të tjera para nesh kanë rënë në kurthe të ngjashme si rezultat i manipulimit masiv të njerëzve me metoda të provuara dhe të demaskuara edhe në vende të tjera. Kushdo që është i interesuar për mjedisin, biodiversitetin, të ardhmen e shpendëve në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo i Sazanit, unë i them se faktet që kemi në dispozicion duhet të jenë të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo. Ejani t’i dëgjoni, verifikoni vetë faktet, ejani të merrni provat për t’u ndjerë jo vetëm të lehtësuar, por edhe krenarë për mënyrën se si institucionet tona e kanë përfaqësuar interesin publik, qoftë në lidhje me investimin për Sazanin, qoftë me zhvillimin e Zvërnecit. Nuk ka status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh në historinë e Shqipërisë. Për Sazanin nuk ka asnjë marrëveshje ende sot që flasim, por ka një negociatë që zgjat prej shumë kohësh. Zgjat sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve. Ne përfaqësojmë interesat e Republikës së Shqipërisë. Në tryezë kemi bërë të qarta dy gjëra: ishulli nuk shitet, gjë që, për hir të së vërtetës, as nuk e kanë kërkuar, dhe ishulli nuk jepet me qira. Ishulli është dhe mbetet pronë e shtetit shqiptar. Shteti kërkon të marrë pjesë në investim si partner. Nuk ka njeri me logjikë që nuk e kupton se tradhtarët dhe shitësit nuk e mbajnë pronën për shtetin dhe nuk kërkojnë fitime për shtetin.Ejani të shikoni se kush u ka thënë në mënyrë të përbindshme të përsëritur se ne paskemi ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura. Ju ka sharruar me një rrenë shumë të fortë. Jam shumë i qartë që protesta është kthyer në natyrë politike, legjitime për këdo që do të ndryshojë Shqipërinë sipas qasjes së tij. Megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe kanë hall se po u dëmtohet sezoni, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët dhe fshehin dorën. Njësoj si opozita këtu hedh kënetën e vet e deri te “tabakatë që mbi taka”, që mbledhin “like” duke ecur me pasqyrë përpara. Partitë e reja që u bënë të vjetra kërkojnë një copë aty në prurjen e re. Për të rejat dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë revolucion, kam simpati dhe jam i hapur të flasim, por mbetem mirëkuptues nëse nuk duan të flasin. Një gjë të jashtëzakonshme e kanë bërë: kanë pastruar zhulin e shoqatës së molotovarëve!”, tha Rama.
Ai theksoi se zhvillimi i projekteve në Zvërnec do të varet vetëm nga cilësia e investimit të propozuar dhe jo nga vendime të paracaktuara politike.
“Ky është investimi më i madh që i ka ardhur si mundësi Shqipërisë. Është një investim që Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë. Për këtë investim ka vend për debat, kundërshtim dhe vigjilencë. Kjo është demokratike dhe e drejtë. Por ajo që nuk është e drejtë është që sa herë guxojmë të ëndërrojmë fort dhe sa herë kemi ambicien për një ide më të madhe se ato të përditshmet, përballemi me shpalljen e tyre si krim pa marrë ende formë. Çdo vepër dënohet vetëm sa shfaqet, sa artikulohet. Çdo përpjekje për zhvillim konsiderohet armike. Por natyra nuk mbrohet duke e ngrirë jetën, as duke e lënë një vend të varfër, as duke pranuar që një vend të jetojë i varfër nga ata që na thonë “mbrojeni Vjosën”, ndërkohë që i kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre. Sfida nuk është të zgjedhim mes natyrës dhe zhvillimit, por si t’i bëjmë të dyja bashkë: të mbrojmë natyrën duke krijuar mirëqenie, të ndërtojmë pa shkatërruar, të zhvillojmë duke ruajtur dhe rigjeneruar, të rrisim ekonominë duke rritur përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe trashëgimisë së natyrës dhe historisë. Ne nuk jemi budallenjtë e lagjes”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, Shqipëria synon të kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik në Mesdhe, ndërsa këto projekte, sipas tij, përfaqësojnë “investime strategjike me vlerë të madhe për vendin”.
Rama deklaroi gjithashtu se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare për projektin në Sazan, duke sqaruar se procesi është ende në fazë negociatash.
“Nuk ka status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh në historinë e Shqipërisë. Nuk ka asnjë marrëveshje ende. Ka vetëm negociata”, u shpreh ai.
Ai shtoi se shteti shqiptar nuk synon të shesë apo të japë me qira pronat publike, por të jetë partner në investime që, sipas tij, i shërbejnë interesit publik.
Rama komentoi edhe reagimet ndërkombëtare për protestat, duke i cilësuar ato si pjesë e një “përplasjeje politike e ideologjike” që nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.
Sipas tij, interesimi i disa figurave politike të huaja nuk ka lidhje me mjedisin apo investimet konkrete, por me zhvillime të tjera politike ndërkombëtare.
Kryeministri u ndal edhe te debati për raportin mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit, duke theksuar se këto dy elemente, sipas tij, duhet të ecin paralelisht.
“Nuk ka zgjedhje mes natyrës dhe zhvillimit. Sfida është t’i bëjmë të dyja bashkë”, tha Rama.
Dita e 13-të e protestës, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë
Zbardhen detajet e aksidentit në Kamenicë, 76-vjeçari përplas nënë e bir me makinë, 3-vjeçari nuk i mbijeton plagëve
Kaos në rrjetet sociale, përdoruesit e Facebook, Messenger dhe Instagram kanë probleme
- 19:05 Me pankartë në dorë, gruaja ndalohet të hyjë në aktivitetin e Ramës (VIDEO)
- 18:47 Rama veçon Fatos Nanon: Mbetet për mua vlerësim i veçantë! Nuk pretendoj se i nuk i kam hyrë kujt në hak
- 18:45 Protestuesit marshojnë në bulevard dhe ndalen para Kryeministrisë
- 18:35 Rama nga 35-vjetori PS-së kujton Konicën: Bëj durim, sepse shqiptari e ka zakon që kundërshton pa marrë vesh
- 18:20 Nis festa e 35-vjetorit të PS-së, Rama nis fjalimin
- 18:15 NATO projekton tërheqjen graduale të trupave nga Kosova